Nju Jork – Vendimi i presidentit të SHBA-së Joe Biden të hiqet mënjanë si kandidati presidencial i Partisë Demokratike këtë vjeshtë e ka transformuar politikën amerikane. Ajo shënon kulmin e një korriku historik në Shtetet e Bashkuara, një korrik i shënjuar nga vendime me pasoja të mëdha të Gjykatës Supreme dhe një atentat kundër jetës së ish-presidentit Donald Trump në prag të Konventës Republikane.
Vendimi i Biden, i nxitur nga shumë zyrtarë të Partisë Demokratike dhe donatorë, si dhe i mbështetur nga shumë votues, ishte zgjidhja e duhur. Në periudhën pas debatit që u pa gjerësisht si katastrofë për Biden, mosha e tij e bëri të pamundur që të argumentojë para popullit amerikan se ai meriton edhe katër vite të tjera – dhe po e bënte të pamundur për të që të argumentonte se Trump nuk e meriton një mandat të ri.
Është tepër herët që të shkruhet mbi trashëgiminë e Biden, qoftë kjo edhe për faktin se presidenca e tij ka edhe gjashtë muaj të mbetura. Por duke dalë mënjanë, ai ka arritur sakaq të shmangë një pjesë të madhe të kritikës potenciale, kritikës se duke qëndruar në garë, ai i hapi rrugën një pasardhësi që kishte shumë pak të përbashkët në angazhimin e tij për demokracinë amerikane dhe rolin e vendit të tij në botë. Me të vërtetë, nëse Trump do ta kishte mposhtur Biden në nëntor, siç kanë parashikuar sondazhet, kjo do të kishte lënë në hije çfarëdo arritjeje që mund t’i atribuohet Bidenit si president.
Mundësia është e madhe që zëvendëspresidentja Kamala Harris do të jetë kandidatja demokratike. Dhe mbështetja që mori nga Biden do ta ndihmojë atë. Por kjo nuk i zgjidh gjërat për shkak se Biden ka autoritet vetëm që të çlirojë delegatët e partisë që janë angazhuar për të por jo që t’i kërkojë atyre të mbështesin dikë tjetër. Rrjedhimisht, Konventa Demokratike në Çikago këtë gusht do të jetë e hapur dhe katër javët mes tani dhe atëhere janë goxha për të përcaktuar se çfarë mund të ndodhë atje.
Harris në thelb mund të garojë për nominim si kandidate pa kundërshtarë ose një apo më shumë pretendentë mund të shfaqen. Nëse supozojmë se ajo triumfon, skenari i mëposhtëm mund të jetë avantazh për të, për shkak se procesi mund të forcojë aftësitë e saj politike, të ndihmojë që ajo të shihet si fitimtare dhe ta lejojë atë të dalë nga hija e një presidenti jopopullor.
Procesi mundet gjithashtu të sjellë në qendër të vëmendjes Partinë Demokratike në një kohë kur ajo ka nevojë të riprezantojë vetveten te elektorati. Kjo është me rëndësi thelbësore për shkak se Trump dhe senatori J.D. Vance, zgjedhja e tij për zëvendëspresident, premtojnë se do të jenë politikanë të jashtëzakonshëm në fushatë. Dhe edhe nëse Harris garon dhe humbet përballë tyre, sondazhet gjithsesi sugjerojnë se ajo mund të dalë më mirë nga sa do të kishte dalë Biden, duke përmirësuar shanset e demokratëve për të fituar Dhomën e Përfaqësuesve (ndërsa mbajtja e Senatit nën kontroll duket për momenti shumë e pagjasë), rrjedhimisht duke ndaluar republikanët nga kontrolli i të gjithë qeverisë federale.
Trump është lehtësisht përpara Harris në sondazhe, por ajo mund të marrë një fuqizim në muajt e ardhshëm kur të vendoset në qendër të vëmendjes. Aftësitë e Harris si prokurore, të cilat ajo i ka farkëruar si prokurore dhe më vonë si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë, mund t’i shërbejnë asaj mirë në fushatë. Ajo është e pozicionuar mirë që t’i kundërvihet pozicionit ekstrem anti-abort të Gjykatës Supreme si dhe nga Vance. Dhe ajo mund të përfitojë nga mungesa e një gruaje apo një kandidati minoritar në anën e republikanëve.
Gjithsesi, një sfidë e pashmangshme është ajo që mund të përshkruhet si dilema Hubert Humphrey. Më 1968, Humphrey, i cili ishte zëvendëspresident në atë kohë, fitoi nomiminin e demokratëve pasi presidenti në detyrë, Lyndon Johnson, zgjodhi të mos garojë për mandat të dytë. Fjalët e letrës së tërheqjes së Biden i bëjnë jehonë shumë prej atyre të përdorur nga Johnson 56 vjet më parë; dallimi kryesor mes të dy letrave në fakt është që Biden e vendosi atë në platformën X ndërsa Johnson u shfaq në televizionin kombëtar.
Dilema është kjo: si të shfaqesh besnik dhe të marrësh kredite për atë që ishte popullore nga presidenca e paraardhësit pa u penguar nga politikat e tij jopopullore. Në vitin 1968, ishte Lufta e Vietnamit ajo që komplikoi garën e Humphrey, sepse ai e gjeti të vështirë të distanconte veten nga një politikë e lidhur kaq fort me bosin e tij, i cili kishte shumë pak tolerancë për jobesnikët.
Sot nuk ka një debat të vetëm që dominon opinionin publik por ende ka nevojë për të dalluar kandidaten demokrate nga Biden, ndërsa presidenti aktual bëhet barrë në një kohë kur shumë janë në kërkim të ndryshimit. Çdokush që ka dyshim për këtë ka nevojë vetëm të shohë nga rezultatet zgjedhore të kohëve të fundit në Afrikën e Jugut, në Indi dhe në Mbretërinë e Bashkuar, apo në Francë.
Kjo do të thotë se kandidati demokrat, qoftë Harris apo dikush tjetër, bën mirë të përqafojë Ligjin për Reduktimin e Inflacionit dhe CHIPS Ligjin e Shkencës që synon të luftojë ndryshimet klimaterike dhe të mbrojë demokracinë, të luftojë për akses në abort dhe në kontrollin e lindjeve si dhe për ndihmën ushtarake për Ukrainën. Por gjithashtu duket e nevojshme që një kandidat i tillë të distancohet nga politika e Lindjes së Mesme, e cila shihet nga shumë amerikanë si tepër pro-Izraelite, dhe nga politikat mbi kufirin dhe mbi krimin, të cilat shihen nga shumë vetë si tepër të lëshuara.
Nëse zgjedhja e demokratëve do të jetë Harris, përzgjedhja e një kandidati për zëvendësprsident do të ketë rëndësi. Disa shtete nga Perëndimi i Mesëm ka gjasa që do të kenë rëndësi vendimtare në zgjedhjet e nëntorit, dhe në to ka një numër të konsiderueshëm votuesish të pavarur të cilët mund të fitohen. Guvernatorët Gretchen Ëhitmer (Miçigan), Josh Shapiro (Pensilvani), Andy Beshear (Kentaki) dhe Roy Cooper (Karolina e Veriut), ka gjasa do të shihen si kandidatë potencialë, krahas disa anëtarëve të kabinetit të Biden.
Ndoshta e vetmja gjë që është e sigurt është se më pak gjëra janë të sigurta pas shpalljes tronditëse të Biden. Një gjë është gjithsesi e qartë: rezultati i zgjedhjeve presidenciale do të ketë rëndësi të stërmadhe për SHBA-të dhe për pjesën tjetër të botës. Zakonisht nuk ka qenë kështu për shkak se ngjashmëritë mes kandidatëve shpesh kanë qenë më të forta se sa dallimet. Por jo në këto zgjedhje. Dallimet janë kaq të thella sa është e vështirë ta ekzagjerosh se sa shumë gjëra janë në lojë në nëntor, kur amerikanët të votojnë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Will the Democrats Win After Biden’s Withdrawal?