![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20210730_195001_300721_5_01-1_R7eE0wy.jpg)
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, SPAK njoftoi të enjten më 25 korrik përfundimin e hetimeve ndaj avokatit Petraq Semani, i akuzuar se kërkoi 25 mijë euro nga të afërm të një personi të pandehur për plagosje të rëndë me pasojë vdekjen, me qëllim për të ndikuar në zbutjen e dënimit të tij. Po ashtu, prokuroria i kërkon gjykatës respektive që kalojë për gjykim procedimin penal ndaj avokatit Semani.
Sipas SPAK, nga hetimet është vërtetuar tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në fakte dhe prova se, i pandehuri Petraq Semani, si mbrojtës ligjor i shtetasit Llazar Dine, i mori këtij të fundit dhe Sidorela Dines shumën monetare prej 25 mijë euro, duke u premtuar se do të ushtronte ndikim tek gjyqtarët që po shqyrtonin çështjen në ngarkim të tij, për favorizimin e të pandehurit në masën e dënimit.
Përfitimi i paligjshëm është marrë nga avokati Semani pjesë-pjesë. Një pjesë e vlerës monetare është marrë më datë 5 mars 2019, në banesën e shtetasit Llazar Dine në fshatin Dërsnik Korçë, pas seancës gjyqësore të asaj date. Sipas prokurorisë, ku fakt është vërtetuar jo vetëm me deklarimet e Llazar Dines dhe familjarëve të tij, por ky moment është pranuar dhe nga vetë i pandehuri Petraq Semani, i cili ka deklaruar se ky takim është zhvilluar në këtë datë dhe se ka marrë shumën prej 9550 Euro, por sipas tij kjo shumë është marrë për shërbimin e ofruar si avokat.
Marrja e shumës monetare nga avokati Semani është regjistruar me audio dhe video nga rrethi familjar dhe shoqëror i Dines. Prokuroria shprehet se provat e regjistruara dhe përmbajtja e tyre përputhen edhe me të dhënat e përftuara nga provat e tjera të administruara gjatë hetimit.
Megjithëse avokati Semani ka marrë shumën e parave, Gjykata e Korçës e ka dënuar klientin e tij me 15 vjet burg në shkurt të vitit 2020, aq sa kishte qenë masa e dënimit të dhënë ndaj tij në 2018-ën.
Në njoftim thuhet se nga shuma e përfituar në mënyrë të paligjshme, i pandehuri Petraq Semani i ka kthyer shtetases Sidorela Dine shumën prej 8000 Euro.