![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/07/Rama-Kuvend.jpg)
Votimi u bë në një situatë të tensionuar, pasi deputetë të opozitës protestuan duke bllokuar foltoren dhe goditur tryezat e tyre, pasi kryetarja e Kuvendit në ikje, Lindita Nikolla nuk u dha fjalën.
Ndërsa deputetët e mazhorancës socialiste vijonin procesin e votimit, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe deputetë të tjerë akuzonin kryeministrin se kishte sjellë në qeveri ministra të mbështetur nga krimi i organizuar.
Protesta u nxit nga mospranimi nga mazhoranca i një kërkese të PD-së për të pasur një seancë me debat parlamentar për ndryshimet në qeveri.
“Përbërja e Këshillit të Ministrave nuk është një produkt privat i Kryeministrit, që gëzon vetëm të drejtën kushtetuese të propozimit të saj, por caktimi është një ndërveprim institucional mes tre institucioneve Kryeministër-President i Republikës-Kuvendi i Shqipërisë”- thuhej në këtë kërkesë të dorëzuar në Kuvend nga Bardhi.
Sipas PD-së, “Kuvendi nuk mund të ketë rol formal, vetëm në certifikimin e vullnetit personal të Kryeministrit, por duhet të diskutojë dhe vlerësojë në meritë propozimet dhe dekretet e ardhura”.
Por Nikolla, e cila dha dorëheqjen për arsye shëndetësore në seancën plenare të së premtes, kundërshtoi kërkesën me argumentin se votimet e dekreteve për emërime ministrash ishin bërë pa debat dhe kjo ishte një traditë parlamentare.
Për shkak të atmosferës së tensionuar u votua me votim elektronik të fshehtë dhe jo me kuti edhe kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali, po ashtu një propozim i kryeministrit Rama. Spiropali, deputete e Kuvendit që nga vitit 2017 dhe ministre e shtetit për Parlamentin që nga 2019, mori 75 vota pro dhe 4 kundër gjatë votimit.
Dekretet për shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj të kabinetit ‘Rama' u votuan me një shumicë votash prej 76 deri 79 vota pro. Pas miratimit nga Kuvendi, ministër i ri i Mbrojtjes do të jetë Pirro Vengu, ministër i Brendshëm Ervin Hoxha dhe ministër i Financave, Petrit Malaj.
Taulant Balla që mbajti për një vit detyrën e ministrit të Brendshëm u votua si ministër shteti për marrëdhëniet me Parlamentin.Gjatë kongresit të partisë, Rama njoftoi ndryshimin e tre posteve kyçe të kabinetit qeveritar pa dhënë asnjë shpjegim publik për këto ndryshime.