7:00 – Hapen kutitët e votimit në bashkinë Himarë për zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak. Në orën shtatë të mëngjesit kutitë janë hapur në 36 qendra votimi në tre njësitë administrative të bashkisë Himarë. Në këto zgjedhje kanë të drejtë votimi 23,130 zgjedhës.
7:05 – Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 36 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
7:15 -Kandidatët për kryebashkiak në Himarë janë Vangjel Tavo, nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria, nga Partia Demokratike, i mbështetur nga PBDNJ dhe OMONIA. Me profesion mjek, Tavo është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përpara se të kandidonte si kryebashkiak për bashkinë Himarë, ai mbajti për disa muaj postin e Prefektit të Vlorës. Ndërkohë rivali i tij Petro Gjikuria është një biznesmen shqiptaro-amerikan me origjinë nga Dhërmiu.
7:20 – Në prag të zgjedhjeve për kryebashkiak të Himarës, në njësinë administrative Lukovë, marrëdhënia e vendësve me një grusht njerëzish të cilëve, socialistët i referohen si “investitorë” ndërsa demokratët si “oligarkë” duket se është tema kryesore, krahas marrëdhënieve shqiptaro-greke. Lexo reportazhin e gazetarit Gjergj Erebara duke klikuar këtu.
7;25- Pyetur nga BIRN, secili nga kandidatët nuk u shpreh qartë se si e mendonin çështjen e Kakomesë. Pasi përgëzoi niviciotët për rezistencën, Petro Gjikuria tha se ai priste të hynte në bashki për të kuptuar se mbi çfarë baze ligjore gjiri është rrethuar dhe plazhi është ndaluar apo se nga kush.
“Kur të vete në zyrë, do ta gjej se pse është mbyllur,” tha ai. “Do të mundohem të ndaloj vjedhjen,” shtoi.
Kandidati Tavo tha se priste që problemi i Kakomesë të zgjidhet përmes “angazhimit të aktorëve dhe faktorëve në këtë çështje, fshati, investitori dhe qeveria, për t'i dhënë zgjidhje përfundimtare”. I pyetur më specifikisht se çfarë nënkuptonte me zgjidhje dhe nëse mbështeste apo jo pretendimin e niviciotëve, Tavo nuk u shpreh prerazi ndërsa pyetur nëse kishte dijeni se kush ishte investitori tha:
“As që ia kam haberin”.
7:34 – Përfaqësuesit e KQZ-së në qendrën e votimit 4591/1 në Himarë njoftojnë se procesi vazdon normalisht.
8:14- Media greke dhe ajo shqiptare ka shfaqur një interes të shtuar për të mbuluar zgjedhjet në bashkinë Himarë. Dhjetra gazetarë dhe kameramanë nga Athina dhe Tirana kanë ardhur në Himarë për të raportuar zgjedhjet.
9:40- Në disa qendra votimi në njësinë administrative Himarë janë raportuar probleme nga votues të cilët kanë pasur dokumente identifikimi që i ka mbaruar afati dhe nuk janë lejuar të votojnë.
9:43 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë një deklaratë për procesin zgjedhor në Bashkinë Himarë. Sipas KQZ:
Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.
Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika. Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
10:13- Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri ne orën 9:00 pjesëmarrja është 6.66%, kanë votuar 1418 nga 22,921 votues. Të dhënat janë raportuar nga 33 Qendra Votimi, nga 36 githsej.
10:00- Sipas vëzhguesve të Organizatës Qendresa qytetare, deri në orën 10:00 ne zgjedhje e pjesshme për bashkinë Himarë janë konstatuar këto problematika.
– Mungesa e listave të votuesve para KQV për orët e para të votimit.
– Një numër i konsiderueshëm i votuesve kanë pasur karta ID të skaduara, duke e bërë të pamundur votimin.
– Qytetarët nuk janë të informuar se ku duhet të votojnë dhe për shkak të pritjeve të gjata në QV demotivohen për të votuar.
– Tension mes komisionerëve.
Një nga problemet më kritike ishte përdorimi i gjuhës greke nga komisionet në KQV, duke vështirësuar kështu edhe rolin e vëzhguesve.
Ora 10:44 – Interesi i votuesve për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme për postin e kryetarit të Bashkisë së Himarës duket në mënyrë të pazakontë i lartë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 10, pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme ishte gati 12%. Në zgjedhjet e vitit 2023, pjesëmarrja deri në orën 10 ishte 8%. Pjesëmarrja e lartë është e vështirë të lexohet për shkak se këto zgjedhje, ndryshe nga të shkuarat, po zhvillohen verës dhe në kulmin e sezonit turistik. Pjesëmarrja në zgjedhje në Bashkinë e Himarës ka qenë historikisht shumë e ulët për shkak të shkallës së lartë të emigrimit të popullsisë vendëse.
Ora 11:16 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se votuesit me karta identiteti të skaduara nuk do të mund të votojnë. “Ne nuk jemi institucioni përgjegjës për zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit,” njoftoi KQZ duke iu përgjigjur pyetjeve të zyrtarëve lokalë të qendrave të votimit në Himarë, të cilët thonë se ka pasur gjatë ditës së sotme një numër jo të vogël qytetarësh, të cilët nuk kanë pasur mundësi të votojnë për shkak se dokumentet e tyre të identifikimit janë përtej afatit të vlefshmërisë.
11:22- Qendra e votimit në fshatin Vuno. Janë regjistruar 123 votues nga gati 750 në listë. Në zgjedhjet 2023 kanë votuar rreth 170 votues. Janë regjistruar vetëm dy raste ku ka pasur vështirësi të identifikimi elektronik të votuesve të moshuar, të cilët janë regjistruar manualisht. QV e vendosur pranë kishës së Shën Mërisë.
Rritje e pazakontë e numrit të votuesve në Himarë
11:29 – Në zgjedhjet e së dielës në Bashkinë Himarë kanë të drejtë vote 22,921 qytetarë. Opozita akuzon se qeveria, në përpjekje për të fituar zgjedhjet, ka importuar votues nga zona të tjera të Shqipërisë. Maxhoranca socialiste nuk ka komentuar mbi akuzat. Numri i votuesve të regjistruar për zgjedhjet e së dielës është në fakt më i lartë se sa në zgjedhjet e vitit 2023. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se mes zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe atyre të këtij viti, numri i votuesve është rritur me 99 vetë. Kjo rritje është e pazakontë duke marrë parasysh që mes zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe zgjedhjeve për pushtetin vendor të vitit të kaluar, numri i votuesve në këtë bashki nuk është rritur. Të dhëna të tjera indirekte sugjerojnë se në fakt, tendenca natyrore është pakësimi i popullsisë dhe rrjedhimisht rënia e numrit të votuesve, për shkak se në Bashkinë Himarë, numri i vdekjeve tejkalon numrin e lindjeve.