Nëpërmjet një operacioni policor të koduar “Cybersnare” është bërë i mundur identifikimi i një skeme shantazhi online, si edhe arrestimi i autorëve.
“Është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të dy vëllezërve, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijonin profile nëpër aplikacione virtuale, dhe pas komunikimeve me persona të ndryshëm, kryesisht të gjinisë femërore, siguronin materiale foto e video intime”, shkruan Policia e Shtetit nëpërmjet njoftimit zyrtar në Facebook.
“Për mospublikimin e këtyre materialeve, ata kërkonin shuma të ndryshme parash”, vijon më tej njoftimi.
Sipas policisë, këta shtetas kanë arritur të përfitojnë shuma parash nga një 14 vjeçare, por nga veprimet hetimore të kryera janë dokumentuar ligjërisht 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale.
“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma parash dhe 2 celularë dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruan njoftimi i policisë.