Disa mesazhe të kamufluara si të ardhura nga platforma Meta po qarkullojnë në aplikacionin WhatsApp në Shqipëri, ku qytetarëve u kërkohet të verifikojnë llogaritë e rrjeteve sociale nëpërmjet disa linqeve të rreme.
“Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë ka konstatuar mesazhe të maskuara si ato të kompanisë Meta Platforms, drejt numrave të telefonit, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads, por jo vetëm”, njoftoi qytetarët Policia e Shtetit.
Në këto mesazhe të cilat duken se vijnë prej numrave të huaj, postohen disa linqe të rreme të cilat kanë si qëllim mashtrimin dhe përfitimin financiar prej qytetarëve.
“Mesazhet mashtruese kanë si synim orientimin e poseduesve të llogarive drejt linqeve mashtruese me qëllim marrjen në posedim të llogarive të personave të mashtruar, në mënyrë të padrejtë”, vijon më tej njoftimi i policisë.
Policia u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre tentativave për mashtrim dhe të denoncojnë rastet pranë Sektorit të Krimit Kibernetik.