Që nga epoka e artë e demokracisë athinase, liria e fjalës është parë si një tipar përcaktues i shoqërive të hapura, edhe pse ajo mbetet nën sulm të vazhdueshëm. Athinasit besonin se funksionimi i duhur i qeverisë varej nga shkëmbimi i lirë dhe i ndershëm i ideve, pavarësisht se sa të diskutueshme apo jopopullore mund të ishin ato. Në Romën e lashtë, përkundrazi, vetëm senatorët gëzonin atë që i ngjante fjalës së lirë – dhe madje edhe atëherë, siç mësoi edhe Marcus Tullius Cicero, të folurit e hapur mund të kishte pasoja vdekjeprurëse.
Në shekujt që pasuan, autoritetet e centralizuara – nga Vatikani te monarkitë – vazhduan të shtypnin debatin e hapur, me Galileon që u bë ndoshta viktima më e famshme e censurës zyrtare. Ndërsa shpikja e shtypshkronjës së Gutenbergut shënoi një pikë kthese historike, duke nxitur reformimin protestant dhe duke sjellë në një epokë ndryshimesh sociale dhe teknologjike, qeveritë ende kërkonin të kontrollonin materialet e shtypura. Në vitin 1644, pasi Parlamenti Britanik miratoi një ligj për licencimin para botimit, John Milton botoi Areopagitica, mbrojtjen e tij pasionante të fjalës së lirë, duke deklaruar, “Më jep lirinë të di, të shpreh dhe të argumentoj lirisht sipas ndërgjegjes, mbi të gjitha liritë.”
Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së, i rrënjosur thellë në idealet e Iluminizmit, është padyshim kurorëzimi i advokimit të fjalës së lirë. Në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, ndërsa liderët totalitarë si Adolf Hitler dhe Joseph Stalin shtypën në mënyrë të pamëshirshme lirinë e shprehjes, presidenti i SHBA-së Franklin Roosevelt e bëri atë një gur themeli të vizionit të tij për një rend global të pasluftës. Kjo është arsyeja pse, në fjalimin e tij të vitit 1941 për gjendjen e Bashkimit, Roosevelt e vendosi fjalën e lirë të parën midis “katër lirive” të tij.
Por ndërsa liria e fjalës është ngulitur thellë në demokracitë perëndimore, ajo nuk ka lulëzuar kudo. Autokratë si presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin, për të përmendur dy shembuj të dukshëm, e konsiderojnë lirinë e shprehjes si një kërcënim ekzistencial për regjimet e tyre kleptokratike. Goditja e vazhdueshme ndaj lirive civile në Hong-Kong, ku gazetarët burgoset, gazetat mbyllen dhe vetë gazetaria trajtohet si rebele, dëshmon për qasjen e tyre.
Nga shtypshkronja e deri te interneti, përparimet teknologjike shpesh u kanë ofruar disidentëve mjete për të anashkaluar censurën e qeverisë. Gjatë gati dy dekadave të saj nën arrest shtëpiak, për shembull, ish-udhëheqësja birmaneze Aung San Suu Kyi u mbështet shumë në BBC Ëorld Service për të qëndruar e informuar për ngjarjet globale.
Në botën tonë të hiper-lidhur, ku telefonat celularë tejkalojnë numrin e njerëzve dhe shumica e popullsisë globale ka qasje në internet, rënia e mediave tradicionale të lajmeve ka thelluar varësinë tonë nga rrjetet sociale. Ndërsa algoritmet opake formësojnë lajmet që konsumojmë dhe perceptimin tonë për realitetin, korporatat dhe oligarkët që kontrollojnë këto platforma paraqesin një kërcënim në rritje për lirinë e fjalës. Edhe pse ata pretendojnë se janë mbrojtësit e saj, modeli i tyre i biznesit, duke përforcuar dezinformimin dhe ankesat e bazuara te identiteti për përfitime, heq dorë nga përgjegjësia që e mbështet atë.
Në këtë pikë kritike, ne duhet të pyesim: A duhet të jenë miliarderët e teknologjisë dhe “absolutistët e fjalës së lirë” si Elon Musk dhe CEO-ja i Telegram Pavel Durov – i arrestuar së fundmi në Paris me akuzat se platforma e tij ishte bërë një qendër për aktivitete të paligjshme si trafiku i drogës – mbi ligjet e miratuara nga legjislaturat e zgjedhura në mënyrë demokratike? Nëse përqafojmë pikëpamjen më ekstreme libertariane të fjalës së lirë, a nuk rrezikojmë të mundësojmë shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve dhe përhapjen e gënjeshtrave të rrezikshme, si ato që nxitën trazirat urbane në mbarë Mbretërinë e Bashkuar në gusht?
Qeveritë demokratike në mbarë botën po kërkojnë gjithnjë e më shumë përgjigje të drejta për këto pyetje kritike. Për të frenuar përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, qeveritë duhet të vendosin rregulla të qarta dhe të vendosin dënime të rënda ndaj platformave të rrjeteve mediave sociale që i shkelin ato. Por shkëmbimi i njohurive dhe bashkëpunimi ndërkufitar janë gjithashtu jetike për të garantuar që gjigantët e teknologjisë të mbahen përgjegjës dhe të mos shmangin më përgjegjësitë e tyre.
Adresimi i këtyre sfidave kërkon një qasje të nuancuar ndaj fjalës së lirë, një qasje që njeh rëndësinë e saj, ndërkohë që pranon rreziqet e ekstremizmit të pakontrolluar. Siç argumentoi në mënyrë të famshme filozofi i madh anglez i shekullit të tetëmbëdhjetë Edmund Burke, “liria duhet të kufizohet në mënyrë që të zotërohet”.
I alarmuar nga teprimet e dhunshme të Revolucionit Francez, Burke e shihte lirinë e pakontrolluar si një kërcënim për shoqërinë. Sfida me të cilën përballen qeveritë demokratike sot është zbatimi i diktimit të Burke në epokën digjitale, duke frenuar aspektet më të dëmshme të teknologjive në zhvillim, pa minuar të drejtën themelore për lirinë e fjalës.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The New Threat to Free Speech