Prokuroria e Kukësit akuzon 22 punonjës të Policisë së Shtetit, të seksionit për sigurinë e autostradave Milot-Morinë, se kanë përvetësuar gjobat që u kanë vjelë drejtuesve të automjeteve me targa të huaja, të cilët janë ndëshkuar për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Hetimi ka nisur bazuar në një informacion të dërguar nga vetë shefi i këtij seksioni, Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor dhe Sektorit të financës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për verifikimin e pagesës për për disa automjete me targa të huaja, që ishin ndëshkuar me gjoba përgjatë gjithë vitit 2023, por që kanë rezultuar të ishin ende debitorë. Më pas, materiali është referuar në prokurori nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Në njoftim thuhet se nga hetimi ka rezultuar se gjobat për këto mjete janë vjelë në vend nga agjentët verifikues dhe shumat e parave nuk janë arkëtuar, duke ngritur dyshime të arsyeshme të përvetësimit të tyre nga punonjësit e policisë që i kishin vendosur.
Nga përllogaritjet e kryera, është konstatuar se 160 gjobat e paarkëtuara kapin vlerën e 1 milion e 279 mijë lekëve, që së bashku me kamatvonesat në masën 60%, shkojnë në shumën totale rreth 2.1 milionë lekë. Sipas prokurorisë, shuma e paarkëtuar dyshohet se u përvetësua nga punonjësit e njësisë së sigurimit të autostradave Milot-Morinë.
Bazuar në kërkesën e prokurorisë, gjykata ka caktuar masa sigurimi personal për 22 punonjësit e policisë të dyshuar se janë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, të cilët akuzohen për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Konkretisht është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg” për gjashtë efektivë, për katër të tjerë “Arrest në shtëpi” dhe 12 punonjës policie janë lënë nën masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Për nëntë prej të proceduarve është caktuar dhe masa “Pezullimi i ushtrimit të detyrës” dhe për tre të tjerë “Ndalimi për t’u larguar jashtë vendit”.