Nuk mund të mohohet se plastika ka sjellë përfitime të jashtëzakonshme gjatë shekullit të kaluar, duke nxitur inovacionin teknologjik, duke transformuar kujdesin shëndetësor dhe duke nxitur rritjen ekonomike globale. Por siç e dimë tashmë, ky përparim ka pasur një kosto të madhe.
Pasojat e pafavorshme të mbështetjes së tepruar te plastika janë të mirëdokumentuara. Nga nxjerrja dhe transporti i lëndëve djegëse fosile të nevojshme për prodhimin e tyre, përmes procesit të prodhimit, deri te përdorimi dhe asgjësimi i tyre i përditshëm, çdo fazë e ciklit jetësor të plastikës nënkupton ndotje dhe degradim mjedisor.
Ndotja nga plastika rrezikon jetën e egër, dëmton ekosistemet dhe paraqet rreziqe serioze për shëndetin e njeriut. Mikroplastikat, së bashku me kimikatet toksike që ato përmbajnë, gjenden në ajrin që thithim, në ushqimin që hamë dhe mund të përthithen përmes lëkurës. Ndërsa mbetjet plastike grumbullohen në oqeane, lumenj dhe liqene, kimikatet e dëmshme ndotin tokën, duke prishur jetën e bimëve. Ndërsa implikimet e plota të nanoplastikës për shëndetin e njeriut mbeten të nën-hulumtuara, është e qartë se grupet vulnerabël – fëmijët, gratë, komunitetet e varfra dhe punëtorët në prodhimin e plastikës, në menaxhimin e mbetjeve dhe riciklimin e tyre – mbajnë peshën kryesore të këtyre rreziqeve.
Debati aktual, veçanërisht në lidhje me plastikën një përdorimshe, shpesh përqendrohet tek asgjësimi, duke nxitur thirrje për zgjidhje si riciklimi. Por nuk ka vërtet “plastikë të sigurt”, dhe etiketat e produkteve që pretendojnë të kundërtën nuk janë të vërteta dhe lënë në hije dëmet e shkaktuara nga nxjerrja e naftës dhe gazit, e cila përbën 99% të plastikës në botë. Toksinat e çliruara gjatë nxjerrjes së lëndëve djegëse fosile dihet se dëmtojnë lëkurën, sytë dhe sistemin e frymëmarrjes, atë nervor dhe gastrointestinal, si dhe mëlçinë dhe trurin.
Prodhimi i plastikës nuk është vetëm një kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin e njeriut, por edhe një shtytës kryesor i ndryshimeve klimatike, duke llogaritur afërsisht 3-8% të emetimeve globale të gazeve serrë (GHG). Megjithatë, pavarësisht nga rreziqet ekzistenciale që paraqet kriza klimatike, prodhimi i plastikës vazhdon të rritet. Vlerësimet e OECD sugjerojnë se, nëse tendencat aktuale vazhdojnë, përdorimi global i plastikës – dhe mbetjet që ajo gjeneron – mund të trefishohen deri në vitin 2060. Gjysma e këtyre mbetjeve pritet të përfundojë në landfille, me më pak se 20% të ricikluara.
Akoma më alarmante, plastika e ricikluar parashikohet të zërë vetëm 12% të të gjithë përdorimit të plastikës në vitin 2060, ndërsa rrjedhjet e plastikës në mjedis pritet të dyfishohen, duke arritur në 44 milionë ton në vit, me pasoja shkatërruese për shëndetin e njeriut dhe ekosistemet natyrore. Nëse realizohen planet e zgjerimit të industrisë, prodhimi i plastikës mund të konsumojë 31% të buxhetit të karbonit të mbetur të planetit për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 ° Celsius.
Kjo rritje e prodhimit është gjithnjë më jo në përpjesëtim me parashikimet e kërkesës në të ardhmen. Një studim sugjeron se prodhimi global i plastikës si polipropileni mund të duhet të ulet me 18 milionë ton në vit deri në vitin 2030, për shkak të kërkesës së reduktuar nga Kina dhe vende të tjera. Në fakt, kompanitë petrokimike tashmë po përballen me një tepricë globale – një tjetër shembull se si forcat e tregut nuk arrijnë të japin rezultate efikase apo edhe të arsyeshme.
Me korporatat nën presion në rritje për të reduktuar emetimet e gazrave serrë, dyfishimi i prodhimit të plastikës me bazë lëndë djegëse fosile duket jo vetëm i pamatur, por edhe dritëshkurtër ekonomikisht. Megjithatë, një studim i fundit nga Instituti për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare zbuloi se kompanitë më të mëdha petrokimike në botë “po bëjnë investime të mëdha duke shkuar në drejtimin e gabuar”.
Duke pasur parasysh rreziqet e përfshira, është e qartë se vetëm reduktimi i konsumit të plastikës nuk do të mjaftojë për të mbrojtur shëndetin e njeriut, mjedisin dhe planetin. Ndërsa Komiteti Ndërqeveritar Negociator për Ndotjen Plastike i afrohet takimit të tij përfundimtar në Busan më vonë këtë vit, përpjekjet e vazhdueshme për të përfunduar një traktat global për t’i dhënë fund ndotjes plastike duhet të përballen me nevojën urgjente për të frenuar prodhimin.
Fatkeqësisht, njësoj si me shumë negociata ndërkombëtare, kundërshtimi ndaj interesave të fuqishme të përfshira mund të bllokojë përfshirjen e masave thelbësore në marrëveshjen përfundimtare. Takimi i Komitetit në prill në Otava ishte një rast i tillë, duke zbuluar ndarje të thella mbi strategjitë kryesore. Çështja më e diskutueshme ishte propozimi për të kufizuar prodhimin global të plastikës, i cili u përball me kundërshtimin e ashpër nga prodhuesit e plastikës, vendet e tyre pritëse dhe prodhuesit e naftës dhe gazit. Këto grupe interesi favorizuan një qasje më të ngushtë, të fokusuar në riciklimin. Disa petroshtete madje argumentuan se traktati duhet të mbulojë vetëm menaxhimin e mbetjeve.
Në fakt, riciklimi është thelbësor. Por ai nuk mund të sjellë reduktimet e nevojshme në prodhimin dhe konsumin e plastikës, as nuk mund të trajtojë efektet e ndotjes plastike në shëndetin e njeriut. Edhe në skenarin më të mirë, pa masa më të gjera për të kontrolluar prodhimin, ndotja do të vazhdojë të rritet, duke shkaktuar kriza të rënda shëndetësore, duke përkeqësuar degradimin e mjedisit dhe duke përshpejtuar ngrohjen globale.
Çuditërisht, lobet e industrisë po bëjnë presion për një traktat ndërkombëtar jo-detyrues për plastikën pa një mandat të qartë ligjor dhe angazhime të detyrueshme. Traktate të tilla janë të prirura të shndërrohen në pak më shumë se premtime të paqarta dhe shpejt të zbehen në të parëndësishme.
Frenimi i përdorimit dhe prodhimit të plastikës është thelbësor për të lehtësuar ndryshimet e sjelljes që nevojiten që njerëzimi të përshtatet me realitetet e reja ekologjike. Nëse lobet e industrisë arrijnë të dobësojnë traktatin mbi plastikën duke përjashtuar kufijtë e prodhimit ose duke i bërë dispozitat e tij jo detyruese, ato do të minojnë përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike.
Ndërsa kriza klimatike përkeqësohet, ulja e ndotjes plastike nuk ka qenë kurrë më urgjente, prandaj negociatat për një traktat global kanë marrë kaq shumë vrull. Por negociatat meritojnë shumë më tepër vëmendje dhe angazhim publik. Për të garantuar një të ardhme më të qëndrueshme, ne duhet t’u bëjmë presion qeverive tona që të angazhohen për një marrëveshje ndërkombëtare detyruese që do të kufizonte dhe përfundimisht do të reduktonte prodhimin dhe përdorimin e plastikës.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Saving the Planet from Plastics