“Një përpjekje kriminale për ta intimiduar përmes dokumentave të falsifikuar,” e cilësoi Bardhi mesazhin, duke pretenduar se pas kësaj qëndrojnë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK.
“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor”- shkruan Bardhi në letrën drejtuar SPAK-ut.
Në informacionin drejtuar SPAK, Bardhi vë në dispozicion një dokument të noterizuar, për mesazhet e ardhura në numrin e tij të telefonit në kanalin “Signal”.
Sipas tij, mesazhi “të jesh mir” shoqërohet me emrat dy ekspontentë të botës së krimit, Ervis Martinaj dhe Erigers Muhasi, njëri i vrarë dhe tjetri i zhdukur, dhe një dokument bashkëlidhur që pretendohej të ishte një tabulat përgjimi i firmosur nga oficerë të Policisë Gjyqësore ku pretendohej për implikim të Bardhit.
Kreu i grupit demokrat kërkon SPAK të identifikojë autorin e mesazheve, motivet e këtij kërcënimi dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar si shantazh ndaj tij.
“Për qëllime publike, ju nxis të verifikoni dhe përmbajtjen e rrethanave konkrete të tyre,” thuhet në padinë e Bardhit.