Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, i dha fund të mërkurën më 10 tetor debatit mbi përgjigjet e pesë ekspertëve që kanë hartuar akt-ekspertimin financiar për tragjedinë e Gërdecit, kundrejt rreth 150 pyetjeve të drejtuara nga ish-ministri i Mbrojtjes në cilësinë e të pandehurit dhe përfaqësuesit e tij ligjorë. Gjatë dy seancave të mëparshme më 11 dhe 18 shtator, ekspertët paraqitën qëndrimin e tyre lidhur me pyetjet e mbrojtes, për shumicën e të cilave u shprehën se nuk kishin lidhje me objektin e aktit të ekspertimit të hartuar prej tyre. Në disa raste u përgjigjën se në aktet ligjore dhe nënligjore nuk kishte asnjë pikë ku të përcaktohet e drejta e ministrit për të përcaktuar blerësin e municioneve.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, prej aktit të ekspertimit financiar të hartuar në funksion të hetimit të mëparshëm, evidentohen dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e ish-ministrit Mediu, pretendim që është kundërshtuar nga ky i fundit.
Gjatë seancës të mërkurën, avokati Henrik Ligori ishte përfaqësuesi i vetëm mbrojtës i Mediut. Edhe ky i fundit nuk ishte i pranishëm. Për rreth dy orë, avokati Ligori paraqiti qëndrimin e tij lidhur me aktin e kryer nga ekspertët dhe përgjigjet e dhëna prej tyre së fundmi.
Ai theksoi se asnjë prej tyre nuk ka qenë ekspert ligjor, por kanë qenë specialistë në institucione të ndryshme, të cilët janë pyetur për mendim. Kjo sipas Ligorit, ka sjellë rezultat të gabuar të aktit të ekspertimit. Sipas avokatit, demontimi nuk ka qenë një proces që është kryer vetëm në vitin 2008, por është realizuar më herët, si dhe në vazhdimësi.
Në vijim, Ligori u drejtoi pyetje ekspertëve nëse ishin konsultuar me aktet e mëvonshme të administruara gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor për ngjarjen tragjike të Gërdecit, si dhe me vendimmarrjen e formës së prerë. Ai shtoi ndër të tjera se ekspertët nuk kanë pasur në dispozicion një pjesë të akteve dhe për rrjedhojë konkluzionet e tyre nuk mund të ishin të sakta.
Ligori vërejti se shpërdorimi i detyrës kërkon që të plotësohet kriteri i shkaktimi të dëmit ekonomik me dashje. “Çfarë lidhje ka me ministrin dëmi i konstatuar prej tyre”, tha avokati Ligori. Po ashtu, kërkoi disa herë që ekspertët të saktësonin se kë cilësonin me termin “ministra”, ish-ministrin e Mbrojtjes, apo ministrinë përkatëse.
Prokurori Klodian Braho deklaroi se akti i ekspertimit ishte sjellë prej prokurorisë për provuar situatën financiare. Sipas Brahos, edhe pas dhënies së përgjigjeve të ekspertëve në funksion të pyetjeve të drejtuara nga mbrojtja, akt-ekspertimi financiar mbetet i pacënuar. Ai vërejti se disa prej pretendimeve ishin ligjore, për të cilat jep përgjigje prokuroria dhe gjykata, ndërsa shtoi se akt-ekspertimi ishte paraqitur vetëm për vlerësimin shkencor të fakteve ekonomike.
Prokurori u shpreh se mbrojtja është përpjekur t’i vendosi në vështirësi ekspertët.
Përfaqësuesi ligjor i familjarëve të viktimave, Dorian Matlija konstatoi se po evidentohet se procesi demontimit është bërë me shpejtësi dhe fitim për shtetin, po është lënë mënjanë siguria. Sipas tij, procesi duhej të ishte fokusuar pikërisht tek siguria, qoftë dhe nëse do kishte zgjatur 100 vjet.
Ligori ngriti pyetje lidhur me funksionarët përgjegjës për sigurinë. Sipas tij, kush duhet të përgjigjet për sigurinë, ministri që është funksionar politik, apo funksionarët teknikë. Në vijim, ai kërkoi që të hiqen nga analiza shpenzimet e transportit dhe që të administrohej një vendimarrje e Gjykatës së Beratit për një çështje që kishte të bënte me Kombinatin Mekanik të Poliçanit – akt që u pranua nga gjykata. Ai vijoi të pyeste ekspertët nëse ishin njohur me aktet e tjera, si dhe se çfarë nënkuptonin me termin “ministra”, por gjyqtarja Irena Gjoka nuk i pranoi disa prej pyetjeve dhe i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e komunikimit.
Gjyqtarja Gjoka i vlerësoi të mjaftueshme përgjigjet e dhëna deri të mërkurën nga ekspertët dhe i lejoji ata të largohen. Avokati Ligori kërkoi që të zhvillohej dhe një seancë ku të debatohej reth akt-ekspertimit financiar, por prokurori Braho e cilësoi të realizuar debatin për këtë akt. Gjykata vendosi që në seancën e radhës të debatohet akti teknik ushtarak. Seanca u shty për më datë 9 tetor, në orën 09:00.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.