Nënkomisioni “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që përfaqësojnë shoqërinë civile” ripërsëriti procedurën e shortit pasi Kuvendi nuk miratoi në seance pleanare listën e shortit të parë, ku Fejzulla ishte kandidat për KLGj-në, ndërsa KLP-ja mbeti pa kandidat për shkak të listës së kufizuar të kandidatëve.
Nënkomisioni tejkaloi fazën e një votimi formal për dy emrat e vetëm në garë për dy vende vakante në këshillat drejtues të sistemit të drejtësisë pasi mungonin anëtarët e opozitës, pa të cilët nuk arrihen 4 votat për konsensusin e kërkuar.
Në garë për këto dy vende janë vetëm dy emra, Erjon Fejzulla për dy këshillat, ndërsa Violanda Theodhori për një vend në KLGj.
Edhe në shortin e parë mes dy emrave për KLGJ-në u përzgjodh gogla me emrin e Fejzullës duke futur në ngërç shortin dhe garën për KLP-në, pasi në mungesë të kandidatëve procedura e shortit nuk mund të kryhej.
Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj në këshillat e drejtësisë është kontestuar në vazhdimësi nga opozita, kryesisht për skualifikim të padrejtë nga lista e kandidatëve me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj.
Procedura e plotësimit të vakancave në dy këshillat u hap në korrik të vitit të shkuar, dhe vetëm në korrik të këtij viti Kuvendi arriti të zgjedhë me short 4 anëtarë nga radhët e avokatëve për dy këshillat.
Ndërsa gara për 2 anëtarë të tjerë nga radhët e shoqërisë civile u fut në ngërç për shkak të numrit të pakët të kandidatëve të kualifikuar nga nënkomisioni i posaçëm.
Nga kjo garë në KLGJ pritet të zëvendësohet kryetarja e këshillit Naureda Llagami, e cila qëndron në detyrë, ndërsa anëtari i ri në KLP do të zërë vendin vakant të lënë nga Alfred Balla, i larguar nga procesi i vetingut.