Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim, SciDev, dhe njëkohësisht raportuese dhe mbështetëse e lirisë së shprehjes dhe gazetarëve në Shqipëri dhe Ballkan ka qenë së fundmi nën sulmet e një prej mediave online tabloide në Shqipëri.
Sulmi në portralin “Prapaskena” vjen pas publikimit të raportit “Liria e Medias në Shqipëri 2024”, i publikuar nga SciDev dhe Osservatorio Balkani Caucaso Transeuropa. Përveç kritikave ndaj raportit, “Prapaskena” e targeton Binon me terma joetikë dhe linçues.
Organizatat në mbrojtje të të drejtave të gazetarëvë kanë reaguar lidhur me këto sulme të pabaza, që sipas tyre synojnë linçimin e Binos.
Asosacioni i Gazetarëve Shqiptarë (AGSH) në një reagim publik është shprehur i shqetësuar për këto sulme mediatike ndaj organizatave të medias në vend.
“Së fundmi, Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim dhe drejtuesja e saj, Blerjana Bino si edhe Këshilli Shqiptar i Medias me drejtor Koloreto Cukali janë duke u përballur me një sulm të paprecedentë nga portale online,” shkroi Asosacioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Sipas AGSH, këto sulme janë të motivuara nga puna e palodhur e organizatave në fjalë.
“Mbrojtësit e gazetarëve dhe mediave përballen vazhdimisht me sulme dhe intimidime nga një sërë aktorësh dhe është tërësisht e papranueshme që ato të përballen edhe me sulme nga vetë mediat”, vijon reagimi i AGSH.
Ngjashëm ka reaguar edhe Federata Europiane e Gazetarëve, e cila vlerëson punën e bërë nga Bino në Shqipëri.
“Prej vitesh Bino ka dokumentuar shkeljet e lirisë së shtypit në Ballkan me objektivitet të lartë”, shkruan Ricardo Gutierrez nga Federata Europiane e Gazetarëve. “Këto sulme ndaj saj nga propaganduesit shqiptarë të cilët e kalojnë kohën e tyre duke dezinformuar tregojnë rëndësinë e madhe të punës së Blerjanës,” shtoi Gutierrez.