Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të hënën më 7 tetor me konkluzionet përfundimtare në çështjen e prokurores së Tiranës, Suela Salavaçi. Komisionerja Publike, Irena Nino, deklaroi se u qëndronte gjithë shkaqeve të ngritura në ankim dhe parashtrimeve, duke kërkuar shkarkimin e Salavaçit për probleme në kriterin e pasurisë, si dhe të gjetjeve për profesionalizmin të konsideruara në vlerësimin tërësor. Salavaçi i cilësoi shkaqet e ankimit si të pabazuara dhe paraqiti konkluzione të zgjeruara për çdo çështje të trajtuar nga Komisionerja Publike. Në përfundim, Salavaçi kërkoi lënien në fuqi të vendimarrjes së Komisionit për konfirmimin e saj.
Prokurorja Suela Salavaçi u konfirmua nga Komisioni më 28 shtator 2023 me shumicë votash, pasi u përball me barrat e provës për pasurinë, që kishin të bënin kryesisht me bilancet negative të prindërve për disa pasuri që i kishin dhuruar si dhe me pamundësitë e konstatuara në vite për investimet dhe shpenzimet e kryera prej saj dhe të bashkëshortit. Kryesuesja e trupës së KPK, Alma Faskaj dhe anëtarja Suela Zhegu vlerësuan se subjekti kishte mundur të shpjegonte bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive, ndërsa anëtarja Etleda Çiftja në pakicë, arsyetoi se duhej të ishte shkarkuar, pasi nuk arriti të provonte ligjshmërinë e pasurisë dhe rezulton me bilanc negativ.
Komisionerja Publike, Irena Nino e ankimoi si të pabazuar vendimarrjen e KPK, duke vlerësuar se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm për t’u konfirmuar në detyrë. Ankimi u bazua në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që çmoi se vendimi i Komisionit ishte i diskutueshëm përsa i përkiste pasurisë së prokurores, pasi nuk ishte bazuar në një analizë të kënaqshme të provave. ONM theksoi se ndërsa prokurorja Salavaçi kishte marrë dhurata të shpeshta dhe domethënëse nga prindërit, i vëllai i saj nuk kishte përfituar në të njëjtën mënyrë.
Subjekti ka përfituar me dhurim nga prindërit dy apartamente, një në Tiranë dhe një në Golem. Po ashtu, ajo ka çelur një llogari dyemërore me të atin në shumën 52 mijë euro.
Duke iu referuar rekomandimit të ONM, Nino ngriti shkaqe dhe për kriterin profesional. sipas saj, gjetjet duheshin vlerësuar në funksion të parashikimeve të nenit 61, pika 5 të ligjit për vetingun e magjistratëve, që ka të bëjë me cënimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe gjendjen në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.
Komisionerja Irena Nino solli në vëmendje se subjekti dhe bashkëshorti kanë deklaruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të përfituara me dhurim nga prindërit e prokurores Salvaçi. Ajo renditi dy apartamente të fituara prej subjektit nga prindërit, një në Tiranë dhe tjetrin në Golem, një depozitë, gjendjen cash e llogari bankare.
Sipas Ninos, analiza duhet të kryhet për gjithë pasuritë. Ajo konstatoi pasaktësi në deklarimet e Salavaçit për pasurinë, si dhe se prindërit e saj kanë rezultuar të pamundësi financiare për pasuritë e dhuruara.
Komisionerja vlerëson se analiza dhe vlerësimi i pasurive në rastin në fjalë, do të duhet të bëhet në drejtim të garantimit të ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre.
Nino shtoi se Salavaçi, edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor në Kolegj, nuk arriti të provonte të kundërtën e barrës së provës, lidhur me zërat e kundërshtuar të analizës financiare – burimet e ligjshme të prindërve për krijimin e depozitës në emër të bijave; kursimet në cash të deklaruara periodikisht; shpenzimet e udhëtimit të kryera në periudhën periudhën 2004-2016 për të cilat vëzhguesi ndërkombëtar evidentoi seancën parardhëse se bëhej fjalë për rreth 100 udhëtime në vende të ndryshme; si dhe burimet e ligjshme për blerjen e një automjeti në 2014-ën.
Në përfundim, Nino tha se bazuar dhe në rekomandimin e ONM, vlerëson se Salavaçi nuk provoi të kundërtën e barrës së provës mbi burimet e ligjshme të saj dhe personave të lidhur, për mbulimin e shpenzimeve dhe kursimeve ndër vite për periudhën 2003-2016. Sipas Komisioneres, kjo pamjaftueshmëri e parë dhe në harmoni dhe me bilancin negativ të prindërve për krijimin e pasurive që i kanë dhuruar, e vendos subjektin në kushtet e pamundësisë për të arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e kriterit të pasurisë.
Prokurorja Salavaçi i kondërshtoi konkluzionet e Ninos si të pabazuara. Në fillim ajo parashtroi një përshkrim të kontributeve profesionale, duke theksuar se kishte mbrojtur dhe forcuar dinjitetin dhe standartet e funksionit dhe reputacionin e organit të prokurorisë, duke punuar me përkushtim e ndershmëri. Po ashtu, deklaroi se kishte dhënë kontributin dhe ekspertizën e saj, sa herë i është kërkuar nga institucionet ndërkombëtare me veprimtari në fushën e të drejtës, si dhe se prej vitit 2011 e në vazhdim është pedagoge në Shkollën e magjistraturës.
Subjekti pretendoi se ka bërë jetë familjare normale, pa shpenzime të tepërta, pa investime të larta apo të ekzagjeruara. Sipas Salvaçit, ato pak komoditete që kanë gëzuar familjarisht, më së shumti janë siguruar për shkak të pasurive dhe të ardhurave të dhuruara nga nëna, e pjesërisht të trashëguara nga babai.
Ajo tha se Komisionerja Publike përdor argumente që bien ndesh me provat shkresore dhe se nuk ngrihet asnjë shkak që të provojë të kundërtën e konkluzioneve të Komisionit që e konfirmoi në detyrë.
Salavaçi deklaroi se Komisionerja Nino, në mënyrë të padrejtë i cilëson prindërit e saj si persona të lidhur, në kundërshtim me parashikimet lifjore dhe vetë praktikën e ndjekur gjatë vetingut të magjistratëve.
Subjekti këmbënguli që analiza financiare për prinërit e saj të kryhet deri në justifikimin e pasurive dhe shumave monetare të dhuruara dhe jo të të gjitha pasurive të prindërve. Këtë qëndrim të Komisioneres, ajo e cilësoi në kundërshti,m me gjithë praktikën e deritanishme të Kolegjit. Ajo argumentoi se është përbërja familjare për periudhën e rivlerësimit që përcakton rrethin e personave të lidhur që duhet të deklarojnë subjektet e rivlerësimit.
Duke sjellë në vëmendje jurispudencën e deritanishme të Kolegjit, ajo kërkoi që analiza financiare të bëher në kufijtë e pasurive të dhuruara apo dhënë hua, si dhe bazuar në një vlerësim logjik e të arsyeshëm.
Salavaçi pretendoi se nga provat e administruara, provohet se burimet mbi të cilat janë krijuar pasuritë që i ka dhuruar e ëma, rjedhin nga disponimi pasurive të trashëguara prej saj, para se subjekti të ushtronte detyrën e prokurores.
Në vijim, subjekti kundërshtoi shkaqet e ngritura nga Komisionerja për pretendime deklarative të saj, duke këmbëngulur se kishte prova konkrete. Ajo shtoi se pasaktësitë në deklarime, kur nuk janë të shoqëruara me mungesë burimesh, nuk mund të sjellin pasoja.
Prokurorja Salavaçi paraqiti shpjegime të detajuara për çdo pasuri të trajtuar në ankim, duke shprehur bindjen se kishte përmbysur barrat e provës. Lidhur me shpenzimet e udhëtimeve, ajo nënvizoi se ishte e provuar se kishte udhëtuar e ftuar nga miq familjarë. Sipas saj, miqësia mes dy familjeve provohej jo vetëm nga deklarimet e tyre, por dhe nga vetë të dhënat e sistemit TIMS, që konfirmonte udhëtime të vazhdueshme të kryera së bashku.
Për vizitën dhe lindjes e vajzës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, subjekti pretendoi se nuk kishte pasur asnjë shpenzim, pasi ishgte mbuluar gjithçka një kushëri i saj, i cili dhe i kishte ftuar.
Në përfundim të shpjegimeve për kriterin e pasurisë, subjekti konstatoi se kishte deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë, se nuk ishte përpjekur të fshihte apo paraqiste në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim apo përdorim dhe se pasuria neto që ka në pronësi, e krijuar gjatë periudhës së rivlerësimit është disa herë më e vogël nga sa kishte të ardhurat. Ajo shtoi ndër të tjera, se dy apartamentet në Tiranë e Golem, të dhuruara nga prindërit i ka shitur në vitet 2021 dhe 2023 dhe nuk i zotëron më.
Salavaçi kundërshtoi dhe shkaqet e ngritura në aspektin profesional lidhur me katër çështje të hetuara prej saj. për një prej çështjeve ajo solli në vëmendje se ndodhet për shqyrtim në Gjykatën e Apelit, e për rrjedhojë nuk mund të jetë pjesë e rivlerësimit.
Për jë tjetër çështje ku janë ngritur pretendime, ajo tha se aktet që ka lëshuar janë lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit dhe se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD, nuk ka gjetur ndonjë shkelje. Ngjashëm argumentoi dhe për një çështje tjetër, duke u shprehur se gjykata ka disponuar me vendim të formës së prerë duke lënë në fuqi vendimin e mosfillimit të prokurorit, nga për rrjedhojë nuk kishte shkelur ndonjë dispozitë ligjore. Ajo shtoi se ILD e ka arkivuar këtë çështje. Sipas Salvavaçit, edhe një tjetër vendimarrje e saj është lënë në fuqi dhe nga prokurori që ka vijuar hetimet. Lidhur me pretendimet e ngritura për konflikt të mundshëm intresi me të kallëzuar për arsye se nuk i ka ditur gjeneralitetet e saj, në cilësinë e administratores të një nga katër subjekteve private që ka blerë një pasuri të paluajtshme ku nëna ishte një prej 48 trashëgimtarëve ligjorë.