![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/DSC007621.jpg)
Mbi 12,000 studentë morën pjesë në një protestë madhore të mërkurën në Shkup, ku kundërshtuan planin qeveritar të provimeve të mbikëqyrura nga shteti për të diplomuarit.
![Foto nga Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Studentski-protest-2-by-SJM-1-300x225.jpg)
Mijëra student, profesorë universiteti dhe mbështetës të tjerë i thanë ‘jo’ të mërkurën një plani të qeverisë për teste të mbikëqyrura nga shteti për të diplomuarit, në atë që ishte me shumë gjasa protesta më e madhe studentore që ka ndodhur në Maqedoni në këto dy dekada e gjysmë pavarësi.
Studentët bërtitën “Universiteti është zëri i lirisë!”, “Jo drejtësi, jo paqe!”, “A mund të na dëgjoni tani?” dhe “Autonomi”, dhe mbajtën pankarta ku shkruhej: “Ne jemi studentë, jo klientë,” dhe “Dua të qëndroj në këtë vend.”
Marshimi kulmoi në qendër të Shkupit për rreth dy orë dhe filloi që nga kampusi i universitetit, kaloi në ndërtesën e parlamentit dhe përfundoi përpara ndërtesës së qeverisë.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit thanë se ata patën lidhje të keqe interneti në celularët e tyre dhe e patën të vështirë të hynin në internet. Shumë anëtarë të shtypit patën të njëjtin problem. Protesta u organizua nga një organizatë studentore “Plenumi i Studentëve”.
Paralel me protestën kryesore në Shkup, studentët marshuan edhe në disa qytete të tjera të Maqedonisë.
Ky është marshimi i dytë i studentëve kundër planit të qeverisë për ‘testim të jashtëm”, në marshimin e parë, të mbajtur në fund të nëntorit, më shumë se 2000 persona morën pjesë.
Studentët kryesisht nga Universiteti Shën Kirili dhe Metodi i Shkupit dhe nga universitete të tjera, dolën kundër ndryshimeve të propozuara në Ligjin e Arsimit të Lartë që parashikon që studentët të kryejnë një provim shtetëror të jashtë, përpara se të mbyllin studimet e tyre si një formë e përmirësimit të cilësisë së edukimit të tyre.
Ata thanë se ndryshimet ishin antikushtetuese dhe ishin kërcënim për autonominë e universitetit.
Ndryshimi ‘do kufizonte të drejtën e edukimit, të garantuar nga Kushtetuta,” i shkroi Plenumi i Studentëve Ministrit të Arsimit në një letër.
![Foto nga Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Studentski-protest-2-by-SJM-3-300x225.jpg)
Plani ishte ‘një kërcënim direkt i autonomisë së garantuar në nenin 46 të Kushtetutës,” i kryer duke ‘i hequr mundësinë dhe aftësinë institucioneve arsimore të përcaktojnë metodat e veta të diplomimit,” shtuan ata.
Të martën, ministri i arsimit, Abdulaqim Ademi, këmbënguli se pavarësisht protestave, autoritetet i qëndronin vendosmërisë për të prezantuar një mekanizëm kontrolli të cilësisë së edukimit, dhe shtoi se nuk do të dëmtonte autonominë e universiteteve.
Ademi tha se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë presioni që po bëhej mbi studentët dhe nxënësit e gjimnazeve për të qëndruar larg protestës.
Kryeministri Nikola Gruevski më parë pretendoi se Partia Social Demokrate në opozitë, fshihej pas protestës.
Në fakt, liderët e studentëve i kanë thënë partive politike të qëndrojnë larg. Në një deklaratë për shtyp ata i thanë organizatave të të rinjve se ishin të mirëpritur, por vetëm si studentë dhe qytetarë të shqetësuar. Ata i kërkuan atyre gjithashtu të mbajnë larg simbolet dhe sloganet e partive të tyre.
Me dëshirën për të ulur tubimin, partia në qeverisje VMRO DPMNE dhe media proqeveritare këmbënguli të mërkurën se protesta u krye nga vetëm 3000 njerëz, të gjithë të organizuar nga opozita.
Kryetari opozitar i komunës Centar të Shkupit, Andrej Zernovski, më parë e akuzoi qeverinë se i ka bërë presion profesorëve të gjimnazit në komunën e tij që të mos i lejonin nxënësit të linin mësimin.
Zyrtarë të VMRO DPMNE i hodhën poshtë akuzat se dyert e disa klasave ishin mbyllur nga brenda për të mos i lejuar nxënësit të largoheshin nga mësimi dhe t’i bashkoheshin protestës.
Marshimi i studentëve maqedonas u përshëndet edhe nga studentët e Serbisë, të cilët në shenjë solidariteti u mblodhën përpara ambasadës maqedonase në Beograd të enjten.
![Foto nga Meri Jordanovska](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Studentski-protest-2-by-SJM-5.jpg)
![Foto nga Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Studentski-protest-2-by-SJM-4.jpg)
![Foto nga Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/DSC007621.jpg)
![Studentski protest 2 by SJM (9)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Studentski-protest-2-by-SJM-9.jpg)