![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/AP-Photo-Boris-Grdanoski.jpg)
Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese Maqedonase kanë rënë dakord të shqyrtojnë kërkesat për të hequr praktikën e shenjës së dukshme të bojës në gishtat e votuesve gjatë zgjedhjeve për të shmangur mashtrimin.
![Foto: AP/ Boris Grdanovski](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/AP-Photo-Boris-Grdanoski-300x225.jpg)
Shumica e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni janë bërë palë me kërkesën për të braktisur sistemin e ri të shenjave transparente në dorë, në fillimin e një debati për të hequr dispozitën.
Gjykatësit argumentojnë se praktika, që u prezantua në zgjedhjet e përgjithshme dhe presidenciale të marsit dhe prillit, është kundër të drejtave kushtetuese që lidhen me fshehtësinë e votës.
“Sistemi ynë i zgjedhjeve nuk parashikon sanksione për ata që nuk duan të votojnë, ndaj shënjimi i votuesve është në kundërshtim me liritë e garantuara të mendimit, bindjes dhe fjalës,” tha gjykatës Vlado Stojanovski.
Gjykatësja në krye të çështjes, Vangelina Markudova, citoi të njëjtin argument. “Duhet të heqim këtë nen sepse është kundër disa parimeve kushtetuese të të drejtave të njeriut,” tha gjykatësja.
Vënia e bojës në duart e votuesve u prezantua si një mënyrë për të plotësuar kërkesat e partive opozitare për parandalimin e votimit të shumëfishtë.
Por, pas shumë kritikave nga vëzhguesit në zgjedhjet e shkuara, profesoresha e së drejtës, Tanja Karakamisheva, mbështetur nga disa profesorë të tjerë, çuan në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për anulimin e praktikës.
Pas zgjedhjeve të fundit, kreu i delegacionit nga Asambleja Parlamentare e KE, Stefan Schennach, tha se shënjimi i gishtave të votuesve si mënyrë e shmangies së mashtrimit nuk ishte një ide e mirë dhe se praktika e mëparshme e bojës së tejdukshme ishte më e mirë.
Schennach shpjegoi se përdorimi i bojës së dukshme për të treguar nëse dikush ka votuar apo jo mund t'i vërë disa persona në pozicion të pabarabartë dhe potencialisht në rrezik, veçanërisht në zonat ku partitë kanë bërë thirrje që njerëzit të mos votojnë.
Vëzhguesit e brendshëm nga MOST dhe CIVIL, po ashtu si Komuniteti Maqedonas i Helsinkit, ngritën shqetësimet rreth cilësisë së bojës që u aplikua gjatë votimit.
Ata thanë se boja e dukshme, që supozohet të zgjasë për 24 orë, mund të fshihej lehtësisht nga gishti me peceta të lagura.
“Qytetarët ankohen se boja nga shënjuesi mund të fshihej lehtësisht gjë që i bëri të dyshojnë për hile të mundshme,” tha kreu i Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska.
Gjatë debatit të Gjykatës Kushtetuese, gjykatësja Gzime Starova ishte mes atyre pak personave që shprehu një opinion të ndryshëm. Ajo argumentoi se ligji nuk shkonte ndesh me fshehtësinë e votës, por ‘lëndonte dinjitetin e votuesit'.
“Fshehtësia e votës nuk cenohet nga zbulimi nëse një qytetar ka votuar apo jo, por nga zbulimi për kë ai ka votuar,” argumentoi ajo.
Pasi ra dakord të diskutojë heqjen e dispozitës, Gjykata Kushtetuese pritet të arrijë në vendimin përfundimtar brenda dy muajve të ardhshëm, thanë burime nga gjykata për BIRN.
Diskutimet e dispozitës po ndodhin në një kohë krize parlamentare. Që nga zgjedhjet e marsit dhe prillit opozita ka refuzuar të shkojë në parlament, duke këmbëngulur se partitë në qeverisje e fituan pushtetin me mashtrim.