Debati i parë televiziv i raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale kroate i vuri dy kandidatët përballë njëri-tjetrit, ku shkëmbyen akuza të ndërsjella për reputacionin e tyre.
Konkurrenca midis presidentit në detyrë Ivo Josipovic dhe sfidueses së tij Kolinda Grabar Kitarovic u nxeh të dielën në një debat televiziv teksa dy kandidatët garuan për mbështetje përpara raundit të dytë të votimit.
Grabar Kitarovic, kandidatja më e fortë e partisë opozitare, Bashkimi Demokratik Kroat i qendrës së djathtë, HDZ, u përqendrua te akuzat se Josipovic është pjesërisht fajtor për gjendjen e keqe ekonomike të vendit.
“Në pesë vite ai nuk ka bërë asgjë; kanë qenë pesë vitet më të këqija të historisë kroate,” tha Grabar Kitarovic gjatë debatit televiziv në RTL.
“Ka varfëri, njerëz me llogari të ngrira bankare prej borxheve, popullatë të varfëruar, ai nuk i përdori fuqitë që ka,” tha ajo.
Josipovic nga ana e tij tha se Grabar Kitarovic nuk kishte strategji për të arritur ndryshim.
“Nëse shihni programin e kundërshtares, nuk ka masa konkrete, flitet vetëm për qëllime. Ne të gjithë jemi dakord me këto qëllime; përmirësim të ekonomisë, rritje të punësimeve, por duhet të flasim për masa,” tha Josipovic.
Ai tha se ndryshimet kushtetuese që ai po propozonte mund të nxisnin zhvillimin ekonomik shumë të nevojshëm.
Duke folur për fushatën aktuale, Josipovic la të kuptohej se Grabar Kitarovic po përdorte më shumë mjete të reklamimit, si billbordet dhe reklamat televizive, ndonëse ajo raporton të ketë shpenzuar më pak para se ai.
Grabar Kitarovic megjithatë mohoi të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar.
“Financimi ynë është transparent, institucionet përgjegjëse mund të kontrollojnë çdo gjë. I refuzoj akuzat e Josipovic,” tha ajo.
Grabar Kitarovic akuzoi Josipovic se nuk po përdorte iniciativën e tij për t’i bërë presion qeverisë që të punojë më shumë, por ai u përgjigj se ajo nuk ishte në dijeni të fuqive presidenciale.
Josipovic theksoi se kundërshtarja e tij ishte ministre e jashtme në qeverisjen e Ivo Sanader, i cili u dënua me tetë vite burg në qershor 2014 për ryshfet dhe që po hetohet edhe për akuza të tjera korrupsioni dhe abuzimi me detyrën.
Grabar Kitarovic e mohoi të ketë pasur dijeni për korrupsion nga administrata ku punonte.
Në raundin e parë, Josipovic fitoi 38.46 për qind të votave, ndërsa Grabar Kitarovic doli e dyta me shumë pak diferencë me 37.22 për qind të votave.
Raundi i dytë është parashikuar më 11 janar, ndërsa gara është bërë shumë e ashpër.