![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/al-azhar-xhami.jpg)
Si ta shohësh Islamin pa syze orientalisti? Si një pasuri në ekzistencën e njeriut, si një natyralitet njerëzor i cili ka pësuar deformimet sepse përherë është trajtuar as brenda edhe as jashtë.
![Xhamia al-Azhar në Kajro, Egjipt |Foto nga :AP](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/al-azhar-xhami-300x200.jpg)
Ngjarja kriminale që ndodhi në qendër të Parisit, prodhoi jo vetëm tronditje por edhe qe një lakmues për të parë reagimet. Sidomos në Shqipërinë tonë, vend periferik dhe hera herës i centralizuar me zorr prej dëshirës sonë për të qenë edhe në me zërin tonë atje në mes të Parisit. Ndër shkrimet e shumta që u botuan në gazeta, më bëri përshtypje shkrimi i Gilman Bakallit, i cili i bënte një trajtim botëkuptimit të islamit në disa paragrafë të mbushur me refrene të dëgjuara kohë më parë. Refrene që dukeshin si të ndërtuara nga Hefesti i paragjykimeve dhe orientalizmit e të vendosura në një situatë të tillë që fare lehtësisht mund të bie dakord me to.
Ndërkohë që lexoja paragrafët e shkrimit në fjalë më erdhi ndër mend “Islami dhe Perëndimi. Krijimi i një Imazhi” një libër interesant i cili flet për mënyrën se si perëndimi ka krijuar imazhin mbi një islam të egër, barbar të mbushur me padrejtësi. Imazh i cili vazhdon të bëhet gjithnjë e më me kontraste sa herë që Perëndimi fitonte nga një veçori që deri më dje nuk e kish patur. Fjala vjen kur në Perëndim gratë filluan të gëzonin disa të drejta si ajo e votës, myslimanët portretizoheshin si një shoqëri thellësisht patriarkale që ishte ku e ku më larg Perëndimi të civilizuar. Duke harruar kësisoj, fjala vjen, se në veprën “Letrat Persiane” të Monteskje, ky i fundit lëvdon mënyrën se si në Orientin magjik femrat trajtohen në shoqëri.
Pra, thelbi i librit është për të rrëzuar mitet dhe kontrastet e padrejta që perëndimi (për një arsye a për një tjetër) ka krijuar mbi Islamin dhe lindjen. Mbi botëkuptimin e këtij të fundit, mbi mënyrën se si ka operuar kjo shoqëri dhe për veçoritë e saj, duke i dhënë mundësi evropës që të pranojë ekzistencën e një realiteti tjetër që nuk është edhe aq i dhunshëm sa tradita e kish paraqitur.
Këto pasazhe më erdhën ndërmend, ndër të tjera, tek sa lexoja shkrimet e ndryshme dhe reagimet ndaj ngjarjes në Paris. Është e vërtetë që ajo ngjarje ka sjellë tek të gjithë (e sidomos tek disa) një pështjellim të atillë sa të lëshojë disa gromësima në formë sëkëlldie por kjo nuk mendoj se duhet të na pengojë në krijimin e një dialogu civil dhe njerëzor. Njësoj si ato dialogje dhe diskutime që ndodhnin në lindje në kohën e mesjetës së errët të Evropës dhe atyre që ndodhin sot në modernizmin iluminist evropian.
Në një shkrim të Gilman Bakallit lexoja se “Islami si botëkuptim nuk ka vend në këtë Europë, sepse ai nuk dëshiron t’i shohë fenë, kulturën, shoqërinë dhe politikën si të ndara nga njëra-tjetra, por kërkon me forcë unitetin e tyre. Kjo ide unifikuese nuk është e re. Si judaizmi ashtu edhe krishterimi e njohin idenë e unifikimit të shtetit me fenë nën flamurin e besimit fetar. Vetëm se Europa, përmes një beteje të gjatë e të përgjakshme, ia ka dalë të çlirohet nga ideja e superfuqisë fetare. Për këtë arsye, Islami si botëkuptim nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe, sepse ai vë besimin mbi shkencën, nuk njeh periudhë reformatore, nuk e ka kaluar atë betejën e ashpër e të dhimbshme midis filozofisë, shkencës dhe kishës.”
Paragraf i cili është i mbushur jo vetëm me një sipërfaqësi në gjykim dhe njohuri mbi Islamin por edhe mbi religjionet në tërësi. E ky vështrim vjen me një farë dashamirësie, sepse paragrafi i mësipërm të jep edhe përshtypjen e një luftëtari sekularist i cili nën flamurin e sekularizmit përpiqet të luftojë të gjitha religjionet duke i tej thjeshtëzuar (qëllimisht apo jo?) ato deri në një pikë sa i zhbën nga thelbi i tyre njerëzor. Se të thuash që religjioni ka si qëllim kryesor të sajin unifikimin nën besimin fetar do të thotë që nuk e kupton aspak filozofinë e religjionit, e cilido me pak njohuri mbi këtë disiplinëshkencore mund ta kundërshtojë lehtësisht këtë qasje sipërfaqësore të shkrimit.
Ekzistenca e besimeve monoteiste (edhe pse të gjitha besimet kanë versete lufte brenda librave të tyre të shenjtë) është e rrethuar drejt njeriut dhe natyrës së tij. Kjo është arsyeja se përse Zoti zbriti besëlidhjen për hebrenjtë, sakrifikoi birin e Tij për të krishterët dhe zbriti Kuranin për myslimanët. Pra esenca e religjioneve nuk është unifikimi dhe absolutizmi i gjithçkaje, por është mbarëvajtja e jetës së njeriut sipas një kodifikimi hyjnor, sipas një udhëzimi hyjnor drejt përsosjes së njeriut. Fundja a nuk është edhe kjo qëllimi dhe ekzistenca e filozofisë?!
Akoma më tej, në paragraf vërejmë se autori shkruan që Islami vendos besimin mbi shkencën, duke iu rikthyer një diskutimi të vjetër por të dalë mode. Shkenca vs Besimi, një diskutim që nuk mund të trajtohet kaq sipërfaqësisht sa përmendja në një paragraf. Pse duhet të mendojmë që shkenca është më e avancuar se sa besimi? A nuk prodhoi edhe shkenca po aq shkatërrim (dy luftëra botërore) dhe madje e ka dërguar njeriun në një fazë tjetër ku diskutohet mungesa e etikës në jetë? A nuk është shkenca ajo që po shkatërron mjedisin dhe natyrën thelbësore të njeriut?! Pra të parashtrosh një diskutim që shkenca qenka shumë herë më mirë se sa besimi është më së paku naive.
Një tjetër aspekt që vërejta në shkrimin e Bakallit, por edhe në shkrime apo qëndrime të tjera ndaj Islamit dhe lirisë së fjalës ishte argumentimi se “Islami nuk e pranon dot lirinë e fjalës”. Aludimi për këtë mungesë lirie vjen nga dy arsye kryesore, duke pasur parasysh edhe librin e Daniel të cituar më sipër, arsyeja e parëështë ajo që e lidh shoqërinë perëndimore me të shkuarën e saj. Kjo do të thotë se meqë në Evropë liria e fjalës ka qenë e ndaluar, pra që askush nuk mund të kritikonte Papën (që mori rolin e një Çezari) dhe as mbretin (në kohën e Teokracive) atëherë e njëjta gjë ka qenë edhe për lindjen dhe Kalifatin.
Hans Kung, një i krishterë dhe njohës i të tri besimeve, në librin e tij “Islami” shkruan se mënyra se si qe ndërtuar bota e Islamit dhe Kalifatit ka qenë katërcipërisht e ndryshme nga ajo që ishte në perëndim. Mjafton të shkruaj se shkollat teologjike (pra debatet filozofike) kanë qenë të pranishme në lindjen e mesjetës që në kohën e shokëve të Muhamedit, pra pak vite pas vdekjes së tij. Gjithashtu i famshmi Ibn Sina ka botuar librin e tij dhe atij nuk i është cënuar aspak jeta, e as nuk është dënuar me prerje koke. Megjithëse, libri i tij kishte një teologji që nuk ishte dhe aq pranë asaj që quhet ortodoksia islame (duke qenë se pranonte ekzistencën e botës dhe jo krijimin e saj dhe gjithashtu pohonte se bota nuk do të shkatërrohej).
Një nga figurat më prominente të islamit, si Imam Gazaliu, ka jetuar në një qytet të mbushur me ateist, deistë, adhurues të zjarrit, shiitë, ashashinë dhe terroristë, mutezilitë e kështu me radhë. Jeta e tij, që mundet ta lexoni në veprën e tij autobiografike “Deliverance from Error”, është e mbushur me debate ndaj këtyre grupeve në kërkim të së vërtetës. E nëse në islamin që si botëkuptim nuk promovon “lirinë e fjalës” ka ekzistuar mundësia që Gazaliu të kritikojë edhe të kritikohet nga figura me peshë kjo do të thotë diçka apo jo? Natyrisht që kalifati nuk ka qenë një parajsë e tillë përherë, por në përgjithësi botëkuptimi islam ka pranuar lirinë e fjalës përderisa i famshmi Maimondes (filozofi më i njohur Hebre) e zhvilloi filozofinë e tij në këtë botëkuptim.
Nga ana tjetër, shkollari palestinez Wael Hallaq, në veprën e tij “The Impossible State” analizon në një kapitull të veçantë se bota e lindjes nuk ka patur asnjëherë teokracinë që i vishet asaj. Shumica e atyre që sot quhen themelues të shkollave juridike fetare kanë qenë kritikët kryesorë të sundimtarëve të tyre. Megjithëse ato u burgosën, fjala e tyre u përhap dhe shkollat e tyre juridike mbizotërojnë sot e kësaj dite shumicën e myslimanëve. Prandaj, koncepti që kalifi ishte mbreti diell i lindjes është një imazh që perëndimi ka krijuar mbi islamin dhe botëkuptimin e tij.
E kështu, për shkak të një inflacioni të madh (keq)gjykimesh ndaj islamit dhe botëkuptimit të tij arrihet në përfundimin se islami tenton që të ndërtojë civilizimin e tij. Në fakt, ku është problemi që islami të krijojë civilizimin e tij? Përse duhet të kemi një kulturë të vetme dhe jo shumë kultura?! Përse duhet të kemi një civilizim të vetëm (sekulariste) dhe jo një shumëllojshmëri civilizimesh?! Nëse do të gjykonim pa dorashkat e imazhit të keq islamin (e këdo civilizim tjetër) atëherë do tu përgjigjeshim këtyre pyetjeve me tezën se mund të kishim shumë civilizime. Por duke e parë islamin si një botëkuptim sipërfaqësor dhe keq gjykues atëherë është e sigurtë që botëkuptimi i tij do të jetë jo i duhuri. Pra, islami do të jetë botëkuptimi patriarkal, deligjitimuese ndaj pakicave, që s’ka përgjigje mbi ekologjinë, mbi infrastrukturën.
Akoma më tej, nëse ne do ta shohim religjionin si armik të njeriut nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se i japim të drejtë Hoxhës i cili e shihte si armik të botëkuptimit të njeriut të ri….fundja njeriu i ri duhej të ndërtohej jo përmes unitetit të religjionit prapanik me njeriun. Por përmes shkencës dhe dogmës komuniste (tanimë sekulariste iluministe). E kështu ri vijmë tek utopia vrastare që mbase emrin nuk e ka komunizëm por që ngjason me atë totalitarizëm.
Si ta shohësh Islamin pa syze orientalisti? Si një pasuri në ekzistencën e njeriut, si një natyralitet njerëzor i cili ka pësuar deformimet sepse përherë është trajtuar as brenda edhe as jashtë. E nëse perëndimi do të vazhdojë ta trajtojë atë si të tillë, atëherë produkti do jetë akoma më i dhimbshëm se sa ai i sotmi. Sepse, i dashur Gilman, iluministët që përmendni në shkrimin tuaj ishin së pari kritik të vetes së tyre e më pas të të tjerëve. Ishin më parë satirizues të vetes së tyre më pas të tjerëve.
arrita deri te paragrafi i dyte ku krahasimi i pare i autorit behet midis perceptimit te myslimanëve ne perëndim dhe pershkrimi i monteskjëse mbi respektin e grave persiane!, dhe aty nuk vazhdova më leximin! gjithkush që ka takuar emigrante iranian ne evrope, pikerisht sepse Rregjimi aktual Iranian nuk ka lene esnje xhurme te civilizimit persian ne ate vend, e kupton qe keto nuk kane te bejne fare me boten myslimane dhe menyren e jeteses sikur njehet. Fakti me i thjeshte eshte qe kurr nuk ka ndodhur ndonje akt terrorist ne perendim ku nje iranian emigrant eshte perfshire dhe 90% e ketyre emigranteve nuk mbajne shamia (grate). Kujtova se titulli do na shpjegonte te kunderten por u genjeva. Flm gjithashtu! Te gjithe e dime qe emigracioni perben pjesen me te varfera te nje shteti, perveç Iranit dhe Libanit. Shumica e tyre kane mbaruar shkolla te larta dhe jane nder emigrantet me te integruar ne perendim duke ja u kaluar dhe disa shteteve te BE-se si Rumania, Bullgaria apo Polonia (dhe le te mos diskutojme shqiptaret qe kemi lan nam duke vra amerikane ne aeroportin e gjermanise kur e dime qe fale atyre kemi kosoven shtet sot apo duke numeruar qindra pjesemarres ne nje lufte per zotin, lufte e cila nuk esht e jona dhe tek e fundit te gjithe nga pjesemarresit ne ate lufte nga evropa kane origjine arabe kurse ne jemi te vetmit me origjine evropiane). STOP LAVAZHIT TE TRURIT JU LUTEM! FLM