![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Greqia.gif)
Greqia ka shumë të drejtë të kërkojë falje të borxheve, por kjo falje vështirë se mjafton për të shëruar sëmundjet e vendit, të cilat i kanë rrënjët te sistemi politik disfunksional, jo te problemet e BE-së.
![Mali Himetus në Athinë fotografuar më 11 shkurt 2015 i mbuluar nga dëbora. (AP Photo/Petros Giannakouris)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Greqia-300x180.gif)
Trembëdhjetë vjet më parë, Argjentina gjendej në një situatë të pashpresë. Monedha e saj pëso qe e lidhur me kurs fiks këmbimi me dollarin në një kuotë shumë më të lartë se sa vlera e saj reale. Borxhi i saj i jashtëm qe i papërballueshëm. Dhe presioni politik nga Shtetet e Bashkuara ndaloi qeverinë e dobët të këtij vendi nga rinegocimi i një programi shpëtimi nga falimenti të cilin edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e dinte se qe jorealist.
Sot, ndërsa Greqia po përballet me shumë sfida të njëjta, ia vlen tën shohim në nga afër leksionet e mësuara nga kriza e Argjentinës. Në atë kohë, ne quajtëm një përgjigje politikash ndaj “papërgjegjshmërisë ekonomike dhe politike…. çdo fazë e shkurtimit të buxhetit thjeshtë sa përkeqësonte recesionin, rriste tensionin social dhe dobësonte më tej besimin… As FMN dhe askush tjetër nuk mund t’i këshillojë çfarëdolloj vendi të zhvilluar të zbatojë politika të tilla mazokiste dhe vetëshkatërruese… Është koha që kjo politikë të marrë fund.”
Në pjesën më të madhe të argumentit ne kishim të drejtë. Qe me të vërtetë koha për t’i dhënë fund. Qeveria u rrëzua menjëherë dhe u zëvendësua me një tjetër, e cila e zhvlerësoi monedhën dhe falimentoi vendin përballë borxheve të veta. Megjithatë, parashikimet e gjithëpërhapura për katastrofë nuk u bënë realitet. Kriza ekonomike qe e vërtetë dhe e thellë, por në këtë pikë kjo krizë mori fund. Rritja u rikthye disa muaj më vonë – duke arritur mesataren e jashtëzakonshme prej 8 për qind në vit përgjatë pesë viteve që pasuan.
Ne ishim gabim, gjithsesi, në një pikë: supozimi ynë qe që asnjë vend i zhvilluar nuk do të pranonte politika të tilla shkatërrimtare mbi veten e vet. Ekonomistët mund të kenë mësuar nga historia por politikanët duken se janë të dënuar ta përsërisin historinë. Sërish, në Greqi, FMN-ja u vu nën presion nga politikanë dritëshkurtër për të mbështetur një program që ajo e di shumë mirë se nuk është as i qëndrueshëm dhe as në të mirë të vendit.
Sakrifikimi i interesave të Greqisë në emër të stabilitetit financiar sistemik të Europës mund të ketë qenë dikur shtegu i drejtë për t’u ndjekur nga FMN, por kriza atje është tashmë shumë përtej pikës në të cilat këto politika nuk janë më të justifikueshme. Tashmë që qeveria e paefektshme dhe jopopullore e Greqisë është rrëzuar (një parashikim tjetër i saktë), është koha që pjesa tjetër e Europës të pastrojë këtë rrëmujë financiare. Kjo nuk do të arrihet duke detyruar vendin të bëjë ripagesa borxhesh të pamundshme për hatër të dhënies së një leksioni “moral” – gjë që për fat të keq është përqasja aktuale e politikbërësve të Europës.
Leksioni i parë nga Argjentina është që nëse ekonomiksi është nga ana jote, ti mundesh dhe duhesh të injorosh politikanët që profetizojnë katastrofë. Shumica dërrmuese e ekonomistëve (përveç atyre të Gjermanisë) janë dakord se borxhi i Greqisë duhet të falet dhe politikat fiskale të vendit duhet të lehtësohen.
Ka gjithashtu pak dyshime që ky është edhe mendimi i ekonomistëve më të lartë të FMN-së; për shembull, Reza Moghadan, i cili së fundmi iku nga posti i kreut të Departamentit të Europës në FMN, bëri thirrje që borxhi i Greqisë të falet përgjysmë.
Leksioni i dytë nga kriza e Argjentinës është që një periudhë e shkurtër trazirash politike mund të kushtojë në mënyrë surprizuese shumë pak në krahasim me periudhën e gjatë të ndjekjes idiote të politikave të keqkonceptuara. Fakti që bursat greke po tronditen dhe jeldet e bondeve po rriten me shpejtësi nuk nënkupton pothuajse asgjë; pas shtatë vitesh kontraktimi ekonomik dhe vuajtjesh ekonomike më të rënda se sa ato të Depresionit të Madh të viteve 1930, edhe një luatshmëri e madhe në tregje nuk është arsye për të vijuar zbatimin e politikave të gabuara.
Eksperienca e Argjentinës sugjeron se pas ndryshimit të politikës, rimëkëmbja mund të vijë shumë shpejt. Një marrëveshje që ristrukturon borxhin e Greqisë, bashkë me një qeveri të qëndrueshme pro reformës, do të sjellë rikthim të shpejtë të besimit dhe rigjallërim të shpejtë të rritjes ekonomike.
Por leksioni i tretë mbart edhe një kufizim të madh. Greqia duhet të pranojë se problemet e saj themelore janë të krijuara nga ajo vetë. Deficitet e saj të stërmëdha dhe nivelet e borxheve të paqëndrueshme qenë simptoma të patologjive të rënda: sektori publik disfunksional, sektori privat jokonkurrues dhe një elitë që abdikoi nga përgjegjësitë e veta e, në vend që të përballej me sfidat e ditës, përdori shtetin si mjet për të furnizuar me vende pune besnikët politikë.
Qeveria e re e Greqisë nuk duhet të përdorë Bashkimin Europian – apo Gjermaninë – si kokë turku. Greqia ka nevojë për reforma strukturore radikale.
Duhet të jemi të qartë, kjo nuk do të thotë që qeveria e re duhet të vijojë politikat me të cilat ranë dakord paraardhësit e saj. Planet për të rritur pagën minimale, për shembull, do të sjellin disa probleme, për shkak se Greqia nuk është më lartë në raport me produktivitetin e punës se sa Franca apo Mbretëria e Bashkuar.
Në mënyrë të ngjashme, eksperienca e gjatë si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në vendet në zhvillim sugjerojnë se privatizimi shpesh sjell katastrofa kur ndërmerret në mes të një krize fiskale. Në vend që të sjellë rritje të eficencës, rezultati tepër shpesh është një shitje e sajuar e aseteve të shtetit te kompanitë me lidhje të shumta politike. Pezullimi i privatizimit është tërësisht i nevojshëm.
Megjithatë Greqia ka shumë punë për të bërë. Qeveria e saj duhet të bashkëpunojë me FMN-në për të dizenjuar një program që kombinon financimet me eficencën. Kjo do të thotë të nxitet konkurrenca, të thyhen oligopolet, të mbështeten sipërmarrësit dhe novacioni. Në të njëjtën kohë, Greqia ka nevojë për një program madhor për të luftuar papunësinë mes të rinjve: një Marrëveshje e Re për një gjeneratë që është tradhëtuar.
Leksioni i katërt i Argjentinës ka formën e një përralle me moral. Më 2012, qeveria e re premtoi jo vetëm rimëkëmbje, por gjithashtu edhe reformë të sistemit disfunksional politik. Dhe ajo dështoi të realizojë premtimet. Administrata e re përdori suksesin fillestar ekonomik dhe përrallën politikisht të leverdishme që thoshte se problemet e vendit qenë si pasojë e fajit të të huajve për t’u tërhequr nga premtimet e saj.
Një bum lëndësh të para që vijoi për një dekadë i dha Argjentinës mundësi për të marrë frymë. Por shkaqet themelore të patologjive ekonomike dhe politike të Argjentinës nuk u trajtuan kurrë. Edhe një dekadë më vonë, jashtëzakonisht shumë pak gjëra kanë ndryshuar.
Greqia nuk ka gjasa se do të ketë ndonjë hapësirë për frymëmarrje të siguruar nga një bum lëndësh të para. Nëse dëshiron të vendosë veten në rrugën e rimëkëmbjes së qëndrueshme, ajo nuk ka kohë për të humbur.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Argentina’s Lessons for Greece