![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Students-Occupy-University-Mac-Feb-2015-by-SJM-1.jpg)
Duke ndërmarrë një fazë të re të protestës kundër Ligjit për Arsimin e Lartë, studentët maqedonas kanë zaptuar fakultetet në Shkup, duke i shpallur territor autonom.
![Foto: Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Students-Occupy-University-Mac-Feb-2015-by-SJM-4-300x225.jpg)
Mbi një mijë studentë të mërkurën zaptuan fakultetet e Filozofisë, Filologjisë, Drejtësisë dhe Ekonomikut të Universitetit të Shkupit, duke i shpallur ato një territor autonom i studentëve.
Studentët kërkojnë pezullim të menjëhershëm të një ligji të ri për arsimin e lartë, i cili ka prezantuar provime të detyrueshme të mbikëqyrura nga jashtë.
Ndërkohë ata kërkojnë bisedime substanciale me qeverinë në përgatitjen e çdo legjislacioni të ri, duke thënë se deri më tani janë shpërfillur dhe manipuluar.
“Ne do të qëndrojmë këtu derisa kërkesat tona të përmbushen. Ne do të flemë dhe do të hamë këtu. I bëjmë thirrje të gjithë studentëve të na bashkohen në territorin tonë autonom sepse së bashku jemi më të fortë”, thanë studentët zaptues në një deklaratë.
Studentët, të tubuar rreth një lëvizje informate të quajtur Plenumi i Studentëve, morën mbështetjen e shumë profesorëve, që vetë u organizuan në të ashtuquajturën Plenumi i Profesorëve.
Studentët mbanin slogane si “pa drejtësi nuk ka paqe”, “ne jemi të zemëruar” dhe “ne zaptojmë për të çliruar”.
Ndërsa janë në kontroll të kampusit, studentët thanë se do të organizonin leksione alternative, koncerte dhe ngjarje të tjera. Ata thanë se veprime të ngjashme do të ndodhin në fakultete të tjera.
![Foto: Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Students-Occupy-University-Mac-Feb-2015-by-SJM-1-300x225.jpg)
Pjesa më e kundërshtuar e ligjit të ri që u miratua në mesin e janarit i detyron studentët të bëjnë një provim shtetëror në vitin e dytë dhe një tjetër përpara se të mbarojnë studimet. Organet qeveritare, jo universitetet, do jenë në krye të provimeve.
Kritikët thonë se provimet e detyrueshme të jashtme shkelin autonominë e universitete.
Dhjetorin e shkuar, mbi 12,000 studentë kundërshtuan planin duke marrë pjesë në një protestë masive në Shkup. Atyre iu bashkuan edhe profesorët që më vonë krijuan lëvizjen e tyre.
Qeveria e Nikola Gruevskit i ka shpërfillur protestat. Ajo këmbëngul se reforma do përmirësojë cilësinë e arsimit të lartë. Gjithashtu ia hodhi fajin për protestat Social Demokratëve në opozitë.
Megjithatë, të premten e shkuar, Gruevski i ftoi studentët në një takim ku i tha se ishte i gatshëm ta pezullonte ligjin për një vit.
Plenumi i studentëve shprehu skepticizëm dhe ndërkohë thotë se do të vazhdojë të protestojë.
![Foto: Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Students-Occupy-University-Mac-Feb-2015-by-SJM-6.jpg)
![Foto: Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Students-Occupy-University-Mac-Feb-2015-by-SJM-7.jpg)
![Foto: Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Students-Occupy-University-Mac-Feb-2015-by-SJM-9.jpg)
![Foto: Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Students-Occupy-University-Mac-Feb-2015-by-SJM-5.jpg)