![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/14100276.jpg)
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani kryetar partie politike, Ramush Haradinaj tha se autoritetet e kishin ekzagjeruar numrin e guerrilasve që luftuan në luftën e viteve 1990.
![Haradinaj. Foto: BETA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/14100276-300x199.jpg)
Haradinaj, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u tha deputetëve në parlament ditën e enjte se ai nuk besonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte më shumë se 23,000 veteranë, siç kanë sugjeruar këtë javë shifrat paraprake nga një njehsim i qeverisë.
Haradinaj, një ish-komandant i ‘Zonës Operacionale Dukagjini’ të UÇK-së gjatë konfliktit të 1998-1999 me forcat serbe, tha se kishte informacion se ishin numëruar si veteranë disa njerëz që s’duhet të numërohen. Statusi veteranit garanton një pension.
“Pse ndodhi? Kjo duhet të korrigjohet,” tha Haradinaj.
Ai akuzoi komisionin që kreu numërimin se ishte një vegël politike e administratës së ish-kryeministrit Hashim Thaçi.
“Komisioni është produkt i qeverisë Thaçi,” tha ai.
Haradinaj nuk ka dhënë asnjë arsye për ekzagjerim e pretenduar të numrit të veteranëve, ose të shpjegojë se si Thaçi mund të përfitojë nga kjo gjë.
Kryetari i komisionit, deputeti Agim Ceku, tha se lista mundet ende të korrigjohet nëse është e nevojshme.
“Ne nuk përjashtojmë gabime. Kjo është një listë fillestare dhe njerëzit mund të ankohen me qetësi,” tha Ceku në parlament.
Të hënën, komisioni i qeverisë tha se pasi ishin verifikuar 95 për qind e aplikantëve të regjistruar si veteranë të UÇK-së, 23.684 njerëz ishin konfirmuar si ish-luftëtarë.
Lista përfundimtare do të publikohet më 20 shkurt, sipas komisionit.
Që prej fillimit të numërimit në nëntor 2012, qeveria mori 66,300 aplikime nga njerëz që pretendojnë se kanë qenë pjesë e forcave guerile.
Në prill të vitit të kaluar, deputetët miratuan legjislacionin e ri tepër të diskutuar, i cili do t’i sigurojë përfitime ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Ligji parashikon përfitime për ata që luftuan në konfliktin e viteve 1998-1999 me Serbinë, por mund të hyjë në fuqi vetëm pasi të gjithë ish-luftëtarë të UÇK-së të verifikohen zyrtarisht.
Veteranët e papunë do të marrin një pension mujor jo më pak se paga minimale në Kosovë – 170 euro për njerëzit mbi 35 vjeç dhe 130 euro për ata nën 35 vjeç.