![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/gazprom1.gif)
Kur një nga planifikuesit kryesor të Josif Stalinit u pyet se pse ai qe aq i gatshëm të mbrojë një seri propozimesh qesharake, ai u përgjigj, “më mirë mbështes plane jorealiste se sa të rri [në burg] për plane realiste.” Ka gjasa që edhe zyrtarët e Gazpromit po mendojnë po me këtë model sot.
![Dhoma kryesore e kontrollit të monopolit rus të gazit Gazprom në Moskë, Rusi në këtë foto të 13 janarit 2009. (AP Photo/Mikhail Metzel)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/gazprom1-300x180.gif)
Vëzhguesit e Rusisë janë përqendruar me të drejtë në armëpushimin e brishtë në Ukrainë, në përpjekje për të dalluar qëllimet e Presidentit Vladimir Putin atje. Por ata do të bëjnë mirë të mos anashkalojnë një betejë tjetër që po shfaqet – atë që do të ketë pasoja të thella afatgjata për Europën dhe për aftësinë e Putinit për të ushtruar presion mbi kontinentin.
Dhjetorin e kaluar, gjigandi rus i naftës, Gazprom, dhe një kompani gazsjellësish turke nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të ndërtuar një tubacion nga Rusia për në Turqi nën Detin e Zi. Kjo “Rrymë Turke” e re është një alternativë ndaj projektit “Rryma e Jugut” një tubacion nën Detin e Zi që synonte të lidhte Bullgarinë me Rusinë – projekt që Kremlini e braktisi në dhjetor, në përgjigje të sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Europian pas invazionit të Rusisë dhe aneksimit të Krimesë.
Projekti i Rrymës së Jugut nuk ia doli të përmbushë rregullat e BE-së për konkurrencë në energjetikë dhe njoftimi për projektin turk me vlerë 12 miliardë dollarë ka gjasa do të përforcojë reputacionin e Rusisë si një partner i pabesueshëm, duke përshpejtuar në këtë mënyrë kërkimet europiane për burime alternative furnizimi. Në të vërtetë, duke rrezikuar tregun e vet më fitimprurës, Putini po shfaq një injorim pothuajse vetëvrasës për ekonominë e Rusisë – në dukje pa ndonjë arsue tjetër veçse për çimentimin e armiqësisë me Ukrainën.
Kremlini synon të heqë Ukrainën nga sistemi i transportimit të gazit që ka qenë në funksion që nga vitet 1980, duke devijuar furnizimet përmes një rrjeti të ri dhe të patestuar për te një treg që ndoshta as nuk ekziston. Muajin e kaluar, Gazprom njoftoi synimin për të ndërprerë transportimin përmes Ukrainës kur kontratat me kompaninë e tubacioneve të gazit të këtij vendi, Naftogaz, të skadojnë më 2019. Gazi nga Rryma Turke do të dorëzohet te kufiri me Greqinë me kontratë të llojit Merre-Ose-Paguaje. Gazprom pret leje për të filluar punimet e projektimit dhe vrojtimit “së shpejti” dhe gazsjellësi pritetë të jetë gati për punë në vitin 2017.
Sjellja erratike e Gazprom nuk është një çështje shqetësimi të vogël për Europën. Kontinenti bazohet te Rusia për 30 për qind të gazit të konsumuar këtu nga ku 80 për qind transportohet përmes Ukrainës. Dhe kontinenti është lënë në të frohtë në një rast. Në janar 2009, Gazprom urdhëroi ndërprerje të furnizimeve përmes Ukrainës, duke shkaktuar kufizime të rënda në furnizim në gjashtë vende në Europën lindore dhe juglindore.
Vonë në vitin 2014, Rusia ndërpreu furnizimin tërësisht për Ukrainën, duke sinjalizuar sërish gadishmërinë për të përdorur gazin si armë për politikën e jashtme. BE-ja ndërhyri për të ndërmjetësuar një zgjidhje të cilën disa e konsideruan si në kundërshtim me interesat e Ukrainës.
Por, në kundërshtim me atë që Putini duket se beson, as Europa dhe as Ukraina nuk ka gjasa të jenë humbësit më të mëdhenj nga tentativa e Rusisë për të devijuar eksportet e saj të gazit. Gazpromi merr dy të tretat e të ardhurave të veta në valutë të fortë nga Europa, dhe një periudhë rënieje eksportesh dhe krize ekonomike të brendshme, kjo nuk është koha ideale për të luajtur lojëra me klientët më të mirë.
Për më tepër, tregjet europiane sakaq po rrëshqasin. Shitjet e Gazprom në Europë kanë rënë ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit të kaluar dhe ranë me 25 për qind në tremujorin e katërt. Rënia e kërkesës po vjen në një kohë kur Rusia është e dëshpëruar për valutë të fortë, për shkak të sanksioneve që e kanë përjashtuar nga tregjet e kreditit. Kompanitë e saj më të mëdha po përballen me nevoja të stërmëdha për rifinancim borxhesh, rezervat e saj valutore po bien me shpejtësi, ekonomia po ecën drejt një recesioni të thellë, dhe rubla po bie në nivele gjithnjë e më të ulëta.
Duke devijuar eksporter, Rusia në praktikë po kërkon që Europa të shpenzojë miliarda euro në infrastrukturë për të zëvendësuar një gazsjellës shumë të mirë, vetëm për të kënaqur dëshirën e Putinit për të shkaktuar telashe në Ukrainë. Në janar, shefi i Gazprom Alexey Miller, me arrogancë hodhi poshtë shqetësimet Europiane duke deklaruar, “Ne kemi informuar partnerët tanë europianë dhe tashmë i përket atyre për të krijuar infrastrukturën e nevojshme duke filluar nga kufiri Turko-Grek.”
Reagimi fillestar në Europë qe që Putini ose po luan blofin ose ka humbur logjikën. “Vendimi nuk ka asnjë kuptim ekonomik,” deklaroi Maroš Šefčovič, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian. “Ne jemi klientë të mirë. Ne po paguajmë shumë para. Ne po paguajmë në kohë dhe ne po paguajmë në monedhë të fortë. Kështu që unë mendoj se duhet të trajtohemi në mënyrë të përshtatshme.”
Politikat eratike dhe ekonomikisht harraqe të Putinit thërrmojnë atë që ka mbetur nga ajo që dikur qe pozicioni monopol i Gazpromit në tregun europian të gazit. Dukshëm, nëse Europa do të duhet të shpenzojë miliarda në gazsjellës, do të jetë mirë që ta bëjë këtë si pjesë e një përpjekjeje për të diversifikuar burimet e saj të gazit natyror, në vend që të rrisë varësinë nga Rusia. Në fund të fundit, memria është e gjatë, veçanërisht kur bëhet fjalë për kujtime me dimra të ashpër me shtëpi të pangrohura dhe fabrika të mbyllura.
Kur një nga planifikuesit kryesor të Josif Stalinit u pyet se pse ai qe aq i gatshëm të mbrojë një seri propozimesh qesharake, ai u përgjigj, “më mirë mbështes plane jorealiste se sa të rri [në burg] për plane realiste.” Ka gjasa që edhe zyrtarët e Gazpromit po mendojnë po me këtë model sot.
Nëse po, ata duhet të fillojnë të mendjnë ndryshe. Rusia nuk ka më takat për më shumë vuajtje ekonomike. Por kjo është ajo që do të vijë në rast se mendjet e kthjellëta nuk triumfojnë.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Putin’s Gas Problem