Njëzet e dy vite më parë, paraushtarakët serbë ndaluan një tren në Bosnje, kapën 20 pasagjerë dhe i vranë – dhe vetëm tani ekziston mundësia që pjesa më e madhe e të dyshuarve të përballen me drejtësinë.
Pak mbi fshatin Strpci, një vendbanim boshnjak në kufirin serb, ndodhet një stacion hekurudhor lokal.
Treni ekspres me numër 671, i cili përdoret për të udhëtuar nga Beogradi në Bar në bregdetin e Malit të Zi, ndaloi këtu vetëm një herë, më 27 shkurt 1993. Për 20 nga udhëtarët e saj, të gjithë jo-serbë, ai ishte fundi i udhëtimit. Ata u zbritën nga treni dhe u vranë.
Atë ditë, një grup luftëtarësh të udhëhequr nga Milan Lukiç, shefi i njësisë paraushtarake ‘Avengers’, urdhëruan menaxherin e stacionit hekurudhor të ndalonte trenin. Rreth orës 16:00, treni ndaloi, luftëtarët u ngjitën në tren dhe i kërkuan udhëtarëve dokumentet e tyre. Ndërsa lexonin emrat e tyre, ata filluan t’i ndanin pasagjerët duke detyruar disa prej tyre të zbrisnin nga treni.
Shumica e atyre që u kapën ishin boshnjakët që jetonin në Serbi dhe Mal të Zi. Ishte gjithashtu edhe një kroat, i cili po udhëtonte për në Mal të Zi për të takuar djalin e tij, dhe një i ri tjetër që nuk u identifikua kurrë.
Ata u çuan me kamion në një shkollë në fshatin Prelovo afër Visegradit. Atje ata u grabitën dhe u rrahën, më pas u çuan në fshatin e afërt të Musicit. Ata u vranë në një shtëpi të djegur dhe trupat e tyre u hodhën në lumin Drina.
“Kur e kujtoj atë gjë, gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën, më besoni që nuk është e lehtë. Ndihem njësoj si atëherë kur ndodhi,” tha Misin Rastoder, djali i një prej viktimave, Jusuf Rastoderit.
Eshtrat e babait të tij dhe tre pasagjerëve të tjerë u gjetën në liqenin Perucac në kufirin e Bosnjes me Serbinë. Familjet të tjera janë ende në kërkim të eshtrave të të dashurve të tyre. Një prej tyre është Nail Kajevic nga Prijepolje, në rajonin e Sanxhakut jugor të Serbisë, vëllai i të cilit Nijazimi ende s’është gjetur. Nëntë nga 20 viktimat ishin nga qyteti.
Duke kujtuar ditët e para pas rrëmbimit, Kajevic thotë ai doli të kërkonte të vëllanë me anëtarë të tjerë të familjes, fillimisht duke besuar se shteti serb do t’i ndihmonte, sepse, të paktën zyrtarisht, ai nuk ishte i përfshirë në konfliktin në Bosnjë.
“Këto ishin njerëz që nuk ishin të angazhuar në politikë apo ushtri. Ne besonim se shteti do t’i kërkonte, meqë ishin shtetas të Serbisë dhe Serbia nuk ishte në luftë,” kujton Kajevic.
Ndërsa Kajevic kërkonte vëllanë e tij, rreth 50 kilometra larg, në fshatin Savin Bor në veri të Malit të Zi, Misin Rastoder mori vesh për rrëmbimin e babait të tij. Jusuf Rastoder, i cili punonte për një kompani në Beograd, po kthehej në shtëpi për ca pushime më 27 shkurt 1993.
“Atëherë nuk kishte celularë, kështu që nuk mund ta merrnim vesh menjëherë për zhdukjen e tij. Pas katër apo pesë ditësh, kolegu i tij erdhi dhe na solli çekun e tij të pagesës dhe atëherë mësuam se ai ishte zhdukur. Shkuam në komunë Berane, e raportuam dhe filloi kërkimi i tij,” tha Rastoder.
Një kërkim pa fund
Ata menduan se kërkimi do të zgjaste për disa ditë, por u kthye në muaj dhe pastaj vite pritje. Gjatë kësaj kohe, thashethemet e ndryshme në lidhje me pasagjerët rrëmbyer arritën edhe te familjet e viktimave. Për një kohë, Kajevic risjell në mendje se njerëzit thoshin se ata po detyroheshin të punonin në një minierë në Serbi.
“Ne krijuam një bord për t’u koordinuar me autoritetet. Bordi u prit nga lideri serb Sllobodan Millosheviç dhe ai – të paktën bordi kështu mendoi – ishte i interesuar për të na ndihmuar. Ai erdhi në Prijepolje dhe u takua me ne. Ai tha se ai dhe Serbia po kthente përmbys çdo gur për të sjellë përsëri të afërmit tanë, të vdekur apo të gjallë, dhe për të ndëshkuar autorët e krimit,” tha Kajevic.
Pas këtyre premtimeve, familjet shkuan në shtëpi, të sigurt se të afërmit e tyre të zhdukur do të gjendeshin. Vetëm më vonë ata e kuptuan se premtimet ishin një strategji e hartuar për të fituar kohë, pasi autoritetet nuk kishte ndërmend t’i ndihmonin ata.
Në dëshpërim, ata protestuan, mbajtën një grevë urie dhe vizitoi Beogradin në përpjekje për të marrë ndihmë, por pas disa vitesh, ata u desh të përballeshin me faktin se baballarët, vëllezërit dhe djemtë e tyre kishin vdekur.
“Më vonë, Filip Vujanovic, i cili ishte ministër i brendshëm në Serbi gjatë viteve 1996-1998, u dërgoi atyre një telegram ngushëllimi. Pikërisht atëherë ata kuptuan më në fund se ata njerëz nuk ishin më gjallë,” tha Kajevic.
Megjithatë, familjet në Serbi nuk morën një telegram ngushëllimi. Atje rrëmbimi ishte kthyer në një temë tabu dhe familjet s’kishin asnjë mënyrë për të vazhduar kërkimin e tyre.
Detajet e para rreth asaj që kishte ndodhur në të vërtetë dolën në gjyqin e Nebojsa Ranisavljevic, një nga luftëtarët e Milan Lukiçit, i cili filloi në vitin 1998 në Bijelo Polje në Mal të Zi.
Gjatë gjykimit u vërtetua se ka pasur një plan paraprak për rrëmbimet dhe se kompania hekurudhore e Serbisë e kishte informuar Ministrinë e Brendshme në Beograd dhe Ushtrinë Popullore Jugosllave për mundësinë e rrëmbimit të pasagjerëve.
“Ai gjyq ishte i dhimbshëm,” tha Kajevic. “Morëm vesh nuk ishte akt i pakujdesshëm nga një grup ose një individ, por një veprim të planifikuar më parë nga forcat serbe të Bosnjës me Ushtrinë Jugosllave dhe se autoritetet më të larta e dinin për rrëmbimin.”
Ranisavljevic u dënua me 15 vjet burg në vitin 2002 për pjesëmarrje në rrëmbimin dhe vrasjet. Lideri i tij Milan Lukiç u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës për krime lufte në qytetin lindor boshnjak të Visegradit, por jo për vdekjet në Strpci.
Një komplot heshtjeje
Edhe pse emrat e fajtorëve të tjerë të dyshuar janë bërë të ditgur që prej gjyqit të Ranisavljevicit, 15 të dyshuar u arrestuan vetëm në një operacion të koordinuar të organizuar nga prokuroria boshnjake dhe ajo serbe në dhjetor të vitit të kaluar.
Dzemail Halilagic, një gazetar nga rajoni i Sanxhakut i cili ishte gazetari i parë që dokumentoi historitë e familjeve të njerëzve të rrëmbyer, tha se për shumë vite, ka pasur një “komplot heshtjeje” në lidhje me incidentin Strpci.
“Qëllimi i shtetit serb ishte që krimi dhe fajtorët e tij të harroheshin,” tha Halilagic.
Ai shpjegoi se në vitet 1990, shumë pak njerëz ishin të gatshëm të flisnin publikisht për krimet kundër boshnjakëve.
“Megjithatë, ajo pak që u bë për të ndihmuar në zbulimin e të vërtetës për Strpcin dhe krime të tjera u bë e njohur publikisht,” tha ai.
Një memorial në Prijepolje në buzë të lumit Lim, me emrat e nëntë personave nga qyteti që u rrëmbyen në shkurt të vitit 1993, është aktualisht i vetmi monument për krimin në Strpci.
Autoritetet komunale megjithatë nuk lejuan që emrat e viktimave që nuk ishin qytetarë të Serbisë të gdhendeshin në pllakën përkujtimore, ndërsa familjet e viktimave nga Mali i Zi janë ende duke pritur miratimin për të ndërtuar një memorial për njerëzit e tyre të dashur në Bijelo Polje.
Familjet tani shpresojnë që arrestimet e fundit në Serbi dhe Bosnjë, si edhe mundësia për kërkime të reja për eshtra në Liqenin Perucac më në fund do të tregojë të vërtetën.
“Këta ishin viktima të pafajshme, të cilët po ktheheshin në shtëpi nga puna, pasi kishin shkuar të fitonin bukën e gojës për familjet e tyre,” said Kajevic.
“Ata nuk kishin faj për asgjë që do të mund të lejonte ndonjë të thoshte se të paktën patën një arsye për të ndaluar trenin, përzgjedhur disa pasagjerë për shkak të emrave të tyre dhe më pas për t’i vrarë ata.”