![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/16603491442_2137de355d_z.jpg)
Rumania po planifikon të tërheqë 1 miliardë euro për të zhvilluar infrastrukturën dhe turizmin në rajonin e deltës me famë botërore, por që ka mbetur i rrënuar dhe i pazhvilluar.
![Delta e Danubit. Foto: Flickr](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/16603491442_2137de355d_z-300x199.jpg)
Rumania synon të fitojë një miliard euro nga fondet europiane për të zhvilluar infrastrukturën dhe turizmin në Deltën e Danubit deri në 2020, lajmëroi kryeministri Victor Ponta.
“Paratë – nëse jepen – do të shkojnë për zhvillimin e infrastrukturës, ruajtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e turizmit në Deltën e Danubit,” tha Ponta në hapjen e Panairit Rumun të Turizmit.
Masa është mbështetur nga operatorët turistikë dhe nga shumë vendas që thonë se më shumë turistë të huaj duan të vijnë në deltë nga sa vijnë sot.
“Çdo masë duhet të marrë në konsideratë ndikimin mbi gjitarët dhe shpendët e Deltës. Vendasit gjithashtu duhet të ndihmohen të gjejnë mjete të tjera jetese, përveç gjuetisë ilegale dhe peshkimit,” tha Liviu Mihaiu, nga organizata e gjelbër Shpëtoni Deltën e Danubit.
Delta e Danubit shtrihet për më shumë se 3,400 kilometra katrorë dhe është delta e dytë më e madhe lumore në Europë. Ujërat e saj që derdhen në Detin e Zi janë burim jetese për më shumë se 300 specie shpendësh dhe 45 lloje peshqish në shumë liqene dhe këneta.
Delta është veçanërisht e njohur për koloninë e rrallë të pelikanëve.
Megjithatë, përveçse një parajsë për rojtarët e shpendëve, zona është një nga rajonet më të varfra të Rumanisë. Shumë komuniteteve vendase u mungojnë shërbimet bazë, si elektriciteti dhe uji.
Shumica e vendasve varen nga peshkimi dhe bujqësia. Peshkimi i paligjshëm shihet si një rutinë e fitimit të të ardhurave.
Turizmi i jetës së egër ka qenë i ngadaltë në Rumani, megjithëse disa hotele kanë lulëzuar në buzë të liqeneve për të ofruar pamjet dhe turet e mrekullueshme për adhuruesit e peshqve dhe shpendëve.