![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Untitled3.png)
Njëmbëdhjetë vjet pasi trazirat etnike shkaktuan 19 viktima dhe bën që shumë të tjerë të arratiseshin, një çift të moshuarish serbë risjell në mendje se si ata i mbijetuan dhunës.
![Tihomir dhe Gordana Dedic në shtëpinë e tyre në Kumodraz. Foto: BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Untitled3.png)
Foto: BIRN
“Ishte data 17 mars 2004, rreth orës 5-5:30 pasdite, kur turma shqiptare, e përbërë kryesisht nga njerëz të rinj, vërshoi në lagje. Nuk e di sa njerëz ishin. Ndoshta 500 ose 600,” rikujton Tihomir Dedic, një pensionist 73-vjeçar nga qyteti i Rahovecit të Kosovës, ndërsa ulet në shtëpinë e familjes së tij në Kumodraz, në rrethinat e Beogradit.
“Ata po prishnin shtëpitë serbe gjatë rrugës së tyre. Pastaj erdhën në shtëpinë time,” thotë ai.
Por ai ishte gati, sepse pak më herët atë ditë trazirat kishin shpërthyer diku tjetër në Kosovë.
Ai mban mend se ai dhe serbët e tjerë nga Rhoveci pasdite u mblodhën në pjesën e tyre të qytetit. “Mos duhet t’ia mbathim?” ishte një nga pyetjet që i bënin vetes. “Ku të shkojmë? S’kemi ku të shkojmë.” risjell në mendje Dedic.
Kështu që ata vendosën të mos largoheshin nga shtëpitë e tyre.
“Po errësohej, kështu që shkova në një shtëpi që ishte djegur tashmë nga UÇK-ja. Kudo kishte hi. Isha veshur i gjithë me të zeza që ata të mos më shikonin dot,” thotë Decid dhe zëri i tij fillon të dridhet.
“Pastaj ata thyen dritaret, dyert… Nuk hynë në shtëpinë tonë atë natë dhe nuk vodhën gjë. Thjesht po shkatërronin gjithçka përreth tyre,” shton ai, pothuajse gati të qajë.
Dedic është thjesht një nga mijëra njerëzit që u tremb për jetën e tij kur protestuesit etnikë shqiptarë u përballën me serbët e Kosovës më 17 dhe 18 mars 2004.
Sipas një raporti të OSBE-së, 19 persona u vranë (11 shqiptarë dhe tetë serbë) dhe më shumë se 900 u plagosën (duke përfshirë 65 policë ndërkombëtarë dhe 58 policë të Kosovës). Më shumë se 50,000 njerëz, shqiptarë dhe serbë, morën pjesë nëpër trazira, të cilat shpërthyen pas tensionit të rritur pasi një i ri serb u vra dhe gjashtë shqiptarë etnikë u mbytën.
Gjykatat ndërkombëtare në Prishtinë kanë ndjekur penalisht disa njerëz të cilët sulmuan disa kisha ortodokse serbe, duke i dënuar me nga 21 muaj deri në 16 vjet burg.
Në vitet 1998 dhe 1999, qyteti ishte skenë luftimesh të ashpra midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe dhe gjatë asaj kohe, shumë shqiptarë të Kosovës u vranë ose dëbuan. Kur përfundoi bombardimi i NATO-s, ata u kthyen dhe morën hak kundër serbëve të mbetur, duke i detyruar ata të shkonin në pjesën e sipërme të qytetit, e cila tani është një nga disa enklavat serbe në Kosovë.
Ditën e dhunës, Gordana, gruaja 65-vjeçare e Dedicit, ishte për vizitë te dy djemtë e tyre në Beograd. Ata ishin shpërngulur në kryeqytetin serb në vitin 1999. Një nga djemtë e tyre ka lindur më 17 mars, kështu që ajo shkoi atje për një festë të vogël familjare.
“Shkoja gjithmonë për ditëlindjet e tyrë, u gatuaja diçka, rrija me ta,” thotë ajo.
“Pastaj dëgjuam se diçka po ndodhte në Kosovë, në Rahovec. Shikonim gjatë gjithë kohës televizorin,” kujton ajo, duke parë duart e saj.
Apartamenti me qira ku jetonin djemtë e saj ishte plot me miqtë e djemve, edhe nga Kosova, kujton ajo. Të gjithë ishin të shqetësuar për Tihomir Dedic. Ata nuk e dinin se si ishte ai.
“E morëm në telefon disa herë. Ai e hapte telefonin dhe thoshte “Gjithçka është në rregull. Gjithçka është në rregull. Pastaj e mbyllte,” thotë ajo.
Ata pastaj vendosën të pyesnin një mik që ishte në Rahovec në atë kohë që të shkonte të shikonte si ishte ai.
“Sasa, të lutem, shko dhe shiko ç‘po ndodh me babanë tim,’ tha djali im më i madh,” risjell në mendje Gordana Dedic.
“’Je ende gjallë?’, më pyeti Sasa. I thashë, ‘Jam gjallë,’” ndërhyj bashkëshorti i saj me një buzëqeshje.
Atë natë ai fjeti në shtëpinë e djegur, nga frika, por të nesërmen në mëngjes tha se ishte në Rahovec. Protestuesit shqipëtarë ishin tërhequr, por asgjë s’ishte më njësoj.
Dy nipër zhduken
Por fshehja në një shtëpi të djegur s’ishte gjëja më e keqe që i ndodhi familjes Dedic, thotë 73-vjeçari.
“Kur shpërtheu lufta, familja jonë vuajti shumë. Humbëm dy nipër, që të dy ishin djem të vetëm,” shpjegon ai.
Familja mendon se djemtë e dy vëllezërve të tij më të mëdhenj u rrëmbyen nga UÇK-ja në qershor dhe tetor të vitit 1999.
Një nga vëllezërit e Tihomir Dedic dhe gruaja e tij më vonë vdiqën në kampin e refugjatëve Krnjaca në Beograd, ndërsa vëllai tjetër jeton në qytetin jugor të Serbisë, në Pirot.
“Ai s’di asgjë për vendndodhjen e djalit të tij, por shpreson të jetë ende gjallë,” thotë Dedic.
“Më e keqja është se humbëm ata. Gjërat e tjera… Ato thjesht ikin,” shton ai duke parë nga dritarja i përhumbur.
Pas luftës, rrëmbimit të të afërmve të tyre dhe të trazirave të 17 marsit, jeta vazhdoi disi për familjen Dedic.
“Para luftës, shkonim mirë me fqinjët shqiptarë. Ne pinim kafe së bashku, ata na sillnin bakllava për Bajramin e tyre (festave fetare myslimane) dhe ne u jepnim atyre vezë të kuqe për Pashkë,” kujton Gordana.
“Sa herë që shkoj në Rahovec, ai fqinji më thërret për një kafe. Por nuk është më njësoj. Si mund të shkoj dhe të pi kafe me të, pas gjithçkaje që ndodhi?” shton burri i saj.
Ai kthehet shpesh në qytetin e tij të lindjes, të pakën një herë në dy muaj. Ka kaluar një dekadë që kur çifti u shpërngulë në Beograd, por ata janë ende shumë të lidhur pas Rahovecit. Por edhe pse disa vlerësime tregojnë se në qytet tani jetojnë rreth 380 serbë, ai nuk beson se kjo është e vërtetë.
“Kur shkoj në pjesën e sipërme, pjesën serbe, të Rahovecit rreth mesditës, nuk ka as edhe një këmbë robi. Në kishë të dielave ka vetëm 5-6 prej nesh dhe jo dhe aq shumë fëmijë,” thotë ai.
Megjithatë, ai këmbëngul se tani është e sigurt të shkosh atje. “Unë shkoj në komunë, në postë për të paguar faturat. Gjithçka është normale tani. Por nuk kam me kë të flas, përveç se me një shok.”
Serbët që qëndruan në qytet pas trazirave të marsit 2004 janë kryesisht ata që punojnë në institucionet publike – në shkolla, spitale ose komunë – njerëz që marrin një rrogë, shpjegon ai.
Edhe pse të dyve u mungon shumë shtëpia e tyre, ata ende mendojnë se janë më mirë në Beograd.
“Atje nuk ka të rinj. Pse të shkojmë?” thotë Gordana Dedic.
Dhe një arsye edhe më e madhe për të ndenjur në kryeqytetin serb janë nipërit e saj, Vukasini dhe Damjani.
Gjyshja e tyre ngrihet dhe tregon fotografitë e tyre, duke i treguar ata me krenari. “Është shumë më e lehtë kur ata janë rrotull,” buzëqesh ajo.