Drejtori i organizatës për të drejtat e hebrenjve “Simon Wiesenthal” i shkroi kryeministrir kroat Zoran Milanoviç duke i kërkuar të ndërpresë pensionet për veteranët e njësive pro naziste nga Lufta e Dytë Botërore.
Drejtori i qendrës “Simon Wiesenthal”, tha në një letër të hapur për Milanoviçin, e cila u bë publike ditën e martë, se pensionet janë një fyerje për viktimat e regjimit pro-gjerman të kohës së luftës në Kroaci.
Sipas Institutit kroat të Sigurimit të Pensionit, në vitin 2013 Zagrebi i pagoi pensione 13, 000 ish-ushtarëve dhe policëve të Shtetit të Pavarur të Kroacisë, NDH, një shtet kukull pro nazist.
Edhe veteranë e elitës famëkeqe vullnetare të njësisë së ustashëv, përgjegjëse për vrasjen e serbëve, hebrenjve, romëve dhe kundërshtarëvve të NDH-së, kanë të drejtë të marrin këto pensione.
Në letrën e tij, Zuroff theksoi se “përfitimet speciale që anëtarët e lëvizjes së Ustashëve morën me miratimin e një ligji në vjeshtë të vitit 1993, janë një fyerje për viktimat e ustashëve dhe familjet e tyre”.
Ligji i miratuar në vitin 1993 ishte një përpjekje nga qeveria kroate e krahut të djathtë në atë kohë për të kompensuar anëtarët e njësive që luftuan kundër partizanëve antifashiste, në mënyrë që veteranët në të dyja anët të merrnin përfitime.
“Me një pamje të tmerrshme të krimeve të luftës që u kryen nga ustashët në NDH, ne besojmë se një politikë e tillë ishte e gabuar, në kundërshtim me parimet e Republikës së Kroacisë dhe se kjo është një fyerje e qartë për viktimat e ustashëve, familjet e tyre dhe të gjithë kroatët që kanë një sens morali dhe integriteti,” thuhet në letrën e Zuroff.
“Prandaj, ne ju ftojmë të merrni masat e duhura dhe ta ndryshoni këtë politikë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që t’i kurseni Kroacisë turpin e shpërblimit të atyre që kryen krimet më të rënda dhe të egra të Luftës së Dytë Botërore, me çmime të veçanta për mizorinë dhe verbërinë e tyre morale,” përfundon letra.
Qendra “Simon Wiesenthal” i është përkushtuar gjetjes së të gjithë kriminelëve pro nazistë që janë ende gjallë, ruajtjes së kujtimit të Holokaustit dhe trajtimit të mohimit të Holokaustit në këtë proces.
Zuroff është një historian izraelit, i cili ka qenë përgjegjës për nxjerrjen para drejtësisë të disa kriminelëve nazistë të kohës së luftës nga Evropa Lindore. Në vitin 1998 ai luajti një rol domethënës në ekspozimin, arrestimin, ekstradimin dhe ndjekjen e Dinko Sakic, ish-komandant i kampit ustash të të përqëndrimit në Jasenovac.
Në vitin 2013, Kroacia shpenzoi rreth 46 milion euro për pensionet e 13,000 ish-ushtarëve dhe policëve të NDH-së. Dy të tretat e këtyre pagesave ishin të ashtuquajtura ‘pensione familjare’, të pretendurara nga bashkëshortet e veteranëve pas vdekjeve të tyre.