Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ditën e enjte filloi një vizitë në Maqedoni, e cila vjen në mes të një krize të thellë politike dhe pas përleshjes së përgjakshme në qytetin e Kumanovës.
Vizita e Ivan Simonovic në Maqedoni është e para nga një zyrtar i lartë i OKB-së që prej vitit 1999 dhe atij do t’i bashkohen edhe kolegë nga Departamenti i OKB-së për Çështjet e Jashtme.
Simanovic do të takohet me autoritetet e vendit “dhe aktorë të tjerë në situatën aktuale politike në vend duke qenë se kjo ka lidhje me çështjet e të drejtave të njeriut,” thuhet në një deklaratë për shtyp.
Simonovic do të takohet me zyrtarë të qeverisë, avokatin e popullit, liderë partish si edhe grupe të drejtash njeriu dhe të shoqërisë civile.
Vizita vjen në një kohë tensioni të lartë në vendin e ndarë politikisht në Ballkan. Opozita Social Demokrate e akuzon Gruevskin, i cili është në pushtet që prej vitit 2006, se ka organizuar përgjimin e paligjshëm të më shumë se 20,000 personave dhe kërkon dorëheqjen e tij.
Përgjimet e bisedave të zyrtarëve të lartë të bëra publike nga opozita tregojnë mashtrim zgjedhor, abuzim të sistemit të drejtësisë dhe të medias, si edhe sugjerojnë se qeveria ka mbuluar vrasjen e një të riu nga një oficer policie.
Gruevski ka këmbëngulur se përgjimet “ishin krijuar” nga shërbime sekrete të huaja pa emër dhe i janë dhënë opozitës për të destabilizuar vendin.
Vizita e Simonovicit vjen pas një përleshjeje të përgjakur midis policisë dhe disa personave të armatosur në qytetin verior të Kumanovës, ku mbetën të vdekur 20 persona, përfshirë edhe nga forcat e policisë.
Avokati i popullit në Maqedoni ditën e mërkurë u ankua se nuk po lejohej të takohej me personat e armatosur që u arrestuan në Kumanovë dhe që mbahen në bugun “Shutka” në Shkup. Qeveria u shpreh se personat e armatosur i përkisnin një grupi terrorist etnik shqiptar.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni ndërkohë ka shpehur shqetësimin për ndalimin e protestuesve kundër qeverisë, një numër i madh prej të cilëve janë studentë. Ai thotë se qeveria ka përdorur forcë ndaj protestuesve për të trembur të tjerët në mënyrë që të mos shprehin pakënaqësinë e tyre nëpër rrugë.
Një tjetër pikë shqetësuese që ka ridalë në dritë – pasi 14 emigrantë të paligjshëm u shtypën nga një tren në Maqedonin qendrore – janë kushtet në të cilat mbahen emigrantët e paligjshëm gjatë rrugës së tyre drejt Evropës Perëndimore.