![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/rumani-femije-arme.gif)
Parlamenti i Rumanisë ka miratuar 100 për qind rritje të ndihmës mujore për fëmijë me shpresën se kjo do të inkurajojë familjet të kenë më shumë fëmijë.
![Një grua rumune me fëmijë në krah ecën pranë mjeteve të blinduara të ushtrisë amerikane në Ploiesti, Rumani më 13 maj 2015. (AP Photo/Vadim Ghirda)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/rumani-femije-arme-300x180.gif)
Ditën e mërkurë, Dhoma e Deputetëve në parlamentin rumun pranoi të dyfishojë ndihmën mujore për fëmijët nga 42 lei (rreth 9.3 euro) në 84 lei për muaj, në përpjekje për të stimuluar rritjen e popullsisë. Të 322 deputetët votuan pro ligjit.
“Ky është një lajm fantastik për 3.5 milion fëmijë dhe familjet e tyre. Ne shpresojmë ta rrisim edhe më shumë pagesën mujore në vitet në vazhdim dhe në këtë mënyrë t’i inkurajojmë njerëzit të kenë më shumë fëmijë,” tha Alina Gorghiu, një deputete e Partisë Liberale Kombëtare.
Ndërsa të gjitha partitë politike e mbështetin këtë lëvizje, qeveria ende përpiqet të gjejë një mënyrë për të financuar këtë rritje të ndjeshme.
“Për këtë vit kemi para. Duke marrë parasysh këtë votim të madh, jam i bindur se parlamenti do të votojë gjithashtu burimet financiare për vitin 2016. Ne duhet ta ruajmë këtë vendim edhe për vitin që vjen,” tha kryeministri Victor Ponta.
Qeveria duhet të shpenzojë 390 milion euro çdo vit për të mbështetur vetëm rritjen e pagesave për ndihmën mujore për fëmijët.
Sipas një raporit, ndër vendet e Bashkimit Evropian, Austria, Belgjika, Sllovenia dhe Gjermania kanë paketat më bujare për ndihmën ekonomike për fëmijët, dhe Rumania vendi më pak bujar.
Sipas të dhënave më të fundit, Rumania po përballet me një krizë demografike duke qenë se popullsia është zvogëluar me mbi 2.6 milionë që nga viti 2001 dhe është aktualisht vetëm 19 milionë banorë
Shumë gra në Rumani janë të detyruara të rrinë në shtëpi e të rrisin fëmijët e tyre për shkak të një uljeje të vazhdueshme të numrit të çerdheve dhe kopshteve. Kriza e kopshteve ndodhi pas një uljeje të madhe të numrit të fëmijëve të lindur çdo vit, nga 360,000 në vit oara vitit 1989, në 200,000 në vit në vitin 2002. Shifra aktuale është 220,000.
Që prej mesit të viteve 1990, si rezultat i ndryshimeve socio-ekonomike në Rumani, femrat kanë vonuar marteat dhe kanë lindur më pak fëmijë. Numri mesatar i fëmijëve për femër tani është 1.3, një normë lindjeje mesatare në Evropë.