Ministrja e re për Zhvillim Rajonal në Rumani, Sevil Shhaileh, një turke entike, është gruaja e parë myslimane që ulet në kabinetin qeveritar rumun dhe është në krye të një ministrie të madhe.
Ditën e mërkurë presidenti Klaus Iohannis miratoi emërimin e Sevil Shhaileh për postin e Ministres së Zhvillimit Rajonal.
Shhaileh, 50 vjeçe dhe me profesion ekonomiste, ka qenë sekretare shteti në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal që prej vitit 2012, pasi më parë ka punuar në administratën lokale. Ajo i përket minoritetit të vogël etnik turk në Rumani dhe është gruaja e parë myslimane që bëhet ministre e kabinetit qeveritar.
Ministria e Zhvillimit Rajonal është një nga më të mëdhatë në qeverinë e Rumanisë. Ministri i saj koordinon të gjitha autoritetet lokale në Rumani dhe trajton disa nga projektet më të mëdha të financuara me fondet e BE-së. Ministria ka një buxhet prej 1.12 miliard eurosh, 4 për qind të shpenzimeve totale të shtetit të këtij viti.
Sevil Shhaileh ishte një bashkëpunëtore e afërt e ish-ministrit Liviu Dragnea, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pasi iu pezullua dënimi me një vit burg për mashtrim elektoral.
Dragnea u akuzua se kishte përdorur ndikimin e tij për të përfituar avantazhe elektorale për partinë e tij në një referendum të vitit 2012 për të fajësuar presidentin Traian Basescu. Referendumi dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët.