![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Everything-dedicated-to-the-Relay-of-the-Youth.jpg)
Njerëz nga e gjithë ish-Jugosllavia u mblodhën në fshatin kroat të Kumrovecit, vendlindja e liderit të Jugosllavisë socialiste, Josip Broz Tito, për të festuar ditëlindjen e tij.
![Admirues të Titos gjatë festimit.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Everything-dedicated-to-the-Relay-of-the-Youth-300x225.jpg)
Ditën e shtunë, me mijëra njerëz iu bashkuan festimit në fshatin e vogël të Kumrovecit, pranë kufirit të Kroacisë me Slloveninë, për të shënuar ditëlindjen e Titos, i cili vdiq në vitin 1980.
Autobusët sollën admirues të Titos nga Sllovenia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe nga e gjithë Kroacia për eventin e përvitshëm, duke mbushur fshatin që ndodhet pranë shtëpisë ku lindi Titoja, pavarësisht shiut të madh.
Ish-presidenti kroat Stjepan Mesic mori shumë duartrokitje kur u ngjit në skenë dhe përshëndeti turmën duke i quajtur ata “shokë”.
“Ne nuk jemi nostalgjikë të Jugosllavisë, siç pretendojnë disa, të cilët, me anë të këtij eventi, shprehin kundërshtimin e tyre ndaj realitetit në të cilën jetojmë,” tha Mesic në fjalën e tij.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë realitet. Jemi të vetëdijshëm për agresionin e revizionistëve historike, të cilët po e zvarritin në baltë luftën kombëtare çlirimtare (emri i përdorur për luftën antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore) dhe njeriun që e udhëhoqi atë, marshallin Josip Broz Tito,” shtoi ai.
Mesic tha se disa politikanë të lartë kroatë janë përpjekur t’i portretizojnë forcat partizane të Titos të Luftës së Dytë Botërore si të barabartë me ata që luftuan për regjimin pro nazist të Kroacisë gjatë kohës së luftës, dhe të barazojnë vrasjet e fashistëve jugosllavë në Bleiburg në Austri me vdekjet në kampin e përqëndrimit në Jasenovac në Kroaci, ku u ekzekutuan serbë, çifutë, romë dhe kundërshtarët e tjerë Shtetit të Pavarur të Kroacisë pro nazist.
“Në këtë mënyrë, ata që u vranë, të cilët ishin të gjithë të pafajshëm (në Jasenovac) janë vendosur në të njëjtin nivel si ata midis të cilëve kishte një numër të konsiderueshëm njerëzish që meritonin dënim me vdekje pas ‘orgjive gjakatare” katër vjeçare,” tha ai.
Mesic këmbënguli se Titoja, pavarësisht dobësisë së tij, meritonte vendin e tij në histori. Kur mikrofoni i tij u shkëput gjatë fjalimit të tij, ai bërtiti “Vdekje fashizmit! Liri popullit!”, një slogan shumë i njohur partizan, i cili mori shumë duartrokitje nga publiku.
Ky aktivitet u organizua nga Aleanca e Luftëtarëve Antifashist dhe Antifashistët e Kroacisë dhe Aleanca e Shoqatave të Josip Titos, si edhe administrata e fshatit dhe qarkut.
Presidenti i Aleancës së Luftëtarëve antifashist dhe Antifashistët e Kroacisë, Franjo Habulin, tha se ky ishte festimi “i ditëlindjes së njërit prej bijve më të mëdhej të rajonit tonë”.
Ndërsa në skenën qendrore u kënduan këngë partizane, vizitorët u strehuan nga moti i keq në restorantet aty pranë, baret dhe muzeun e shtëpisë ku ka lindur Titoja.
Muzeu përshkruan jetën e Titos dhe rolin e tij në Luftën e Parë Botërore. Së fundmi një bust i ish-liderit u vendos atje pasi u hoq një muaj më parë nga zyra e presidentes së re të qendrës së djathtë kroate.
Fshati u rindërtua në kohën e Jugosllavisë si një muze etnografik, duke stimuluar jetën rurale në fund të shekullit të 19-të, kur lindi Titoja, por në vitet 1990, pas rënies së Jugosllavisë, ai filloi të shkatërrohej.
Josip Broz Tito lindi në vitin 1892. Pseudonimi i tij Tito erdhi nga emri i koduar i tij në luftën civile spanjolle në vitet 1930.
![Njerëz duke bërë fotografi pranë statujës së Titos. Foto: Sven Milekic/BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Sculpture-of-Tito-central-place-of-the-event-533x400.jpg)
![Ish-luftëtarë antifashistë u mblodhën për të nderuar kujtimin e komandantit të tyre. Foto: Sven Milekic/BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Former-antifascist-fighters-gathered-to-celebrate-the-birthday-of-their-commander-533x400.jpg)
![Foto: Sven Milekic/BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Titos-photo-533x400.jpg)