![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Isa-Boletini-in-hall-of-the-Kosovo-Parliament.jpg)
Isa Boletini, një lider ushtarak dhe hero kombëtar në Kosovë dhe Shqipëri, do të rivarroset me një ceremoni në qytetin verior të Mitrovicës, pothuajse një shekull pas vdekjes së tij.
![Arkivoli i Boletinit në Parlamentin e Kosovës. Foto: BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Isa-Boletini-in-hall-of-the-Kosovo-Parliament-300x225.jpg)
Foto: BIRN.
Boletini, një luftëtar nacionalist shqiptar, i cili ndihmoi për të udhëhequr luftërat ushtarake kundër Perandorisë Osmane, forcave serbe dhe malazeze në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, u rivarros në një ceremoni në fshatin Boletin, në qytetin verior të Mitrovicës, ditën e mërkurë.
Qindra njerëz morën pjesë në rivarrimin që pasoi një ceremoni përkujtimore publike në stadiumin e futbollit në Mitrovicë, ku zyrtarë të lartë përfshirë presidentin shqiptar Bujar Nishani mbajtën fjalime.
“Është një nder i veçantë të jem i ftuar në këtë ceremoni historike sepse sot historia do të rishkruhet duke i dhënë fund udhëtimit të Isa Boletinit, që po kthehet në një Kosovë të lirë, ashtu siç e donte kur ishte gjallë,” tha Nishani.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se Boletini frymëzoi njerëzit të luftonin për lirinë e shqiptarëve në shekullin e 19.
“Brezi i Isës luftoi për ëndrrën e lirisë së të gjithë shqiptarëve,” tha Mustafa.
Pati gjithashtu një seancë ceremoniale në parlamentin e Kosovës në nderim të Boletinit të martën.
Xhavit Haliti, një anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se “është një privilegj i madh të mund të nderojmë kujtimin e tij”.
“Isa Boletini meriton respektin e të gjithë shqiptarëve dhe varri i tij do të shndërrohet në një vend të shenjtë për të gjithë shqiptarët në Ballkan,” tha ai.
Dhjetëra admirues morën pjesë gjithashtu në seancën e hapur parlamentare.
Neriman Braha nga Prishtina tha se Boletini luftoi për ta pasur Kosovën të bashkuar me Shqipërinë dhe se ëndrra e tij duhet të realizohet.
“Ai e kishte këtë shprehje të famshme: “Unë jam mirë kur Shqipëria është mirë.” Por Shqipëria vazhdon të mbetet ashtu siç ishte që nga koha që ai u vra. Ai do të prehet i qetë vetëm në një shtet të bashkuar, siç ëndërronte ai,” tha Braha për BIRN.
Qazim Ferizaj erdhi nga Tropoja në Shqipëri për t’i bërë nderimet e tij. “Isa Boletini bashkoi të gjithë shqiptarët”, tha ai për BIRN.
Në ditët para seancës parlamentare në Prishtinë, eshtrat e Boletinit u çuan në një tur në qytete të tjera të Kosovës, përfshirë Prizren, Deçan dhe Skënderaj.
Boletini u vra gjatë një luftimi në Mal të Zi në vitin 1916 dhe u varrosë në Podgoricë. Në vitin 1998, eshtrat e tij u zhvarrosën dhe u sollën në Mitrovicë, ku u mbajtën në xhaminë e qytetit.
Ato u zhvendosën në vitin 2011 – kryesisht për arsye sigurie në veriun e trazuar të Kosovës – dhe u dërguan në Departamentin e Mjekësisë Ligjorë në Prishtinë, ku u mbajtën deri në këtë vit.
Vendimi i muajit të kaluar për të rivarrosur Boletinin në Vlorë, i marrë nga Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkaktoi reagime negative mes shqiptarëve të Kosovës.
Familja Boletini ra dakord fillimisht ta varroste atë në Vlorë, por pastaj e ndryshoi vendimin e saj.
Nderimi i Boletinit u dënua nga deputetët e pakicës serbe në Kosovë, të cilët bojkotuan seancën parlamentare të ditës së martë, duke e quajtur atë një provokim.
Aleksandar Jablanovic i Iniciativës Qytetare Srpska tha se kjo tregoi “mungesë konsiderate për ndjenjat” e serbëve në Kosovë.