![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/maqedoni-zaev-hahn-gruevski.jpg)
Kriza politike e Maqedonisë do të vazhdojë teksa kryeministri dhe lideri i opozitës nuk arritën të nënshkruajnë një marrëveshje për qeverinë tranzicionale gjatë negocimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel.
![Hahn me liderët maqedonas. | Photo by ec.europa.eu](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/maqedoni-zaev-hahn-gruevski-300x225.jpg)
Pas një dite intensive bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel të mërkurën, nuk pati marrëveshje mes qeverisë maqedonase dhe opozitës për t’i dhënë fund krizës së thellë politike në vend.
Bisedimet mes kryeministrit Nikola Gruevski dhe liderit të opozitës Zoran Zaev dështuan në arritjen e një marrëveshje në detajet e qeverisë tranzicionale që supozohet të përgatisë vendin për zgjedhjet e përgjithshme elektorale në prillin e ardhshëm.
Komisioneri i BE për Zgjerimin Johannes Hahn i tha gazetarëve rreth mesnatës se takimi kishte përfunduar pa një marrëveshje pas më shumë se 12 orësh bisedime me dyer të mbyllura.
“Bashkimi Europian nxit të gjitha partitë në interes të vendit dhe njerëzve të tyre të gjejnë një kompromis politik të qëndrueshëm pa vonesë dhe të paraqiten me propozime konkrete për fundin e krizës”.
“Angazhimet për reforma që do të përmbajë marrëveshja duhet të zbatohen si çështje urgjente. Kjo është themelore që vendi të bëjë progres në rrugën Euro-Atlantike” shkroi Komisioni Europian në një deklaratë pas takimit të Hahn me liderët maqedonas.
BE tha se i vinte keq që bisedimet kishin dështuar por shprehu shpresën që bisedime të tjera të mbahen së shpejti.
Në një deklaratë të dhënë pas bisedimeve, Gruevski dhe Zaev ia hodhën fajin njëri-tjetrit për dështimin.
Ndërsa Gruevski akuzoi Zaev për vënien e kushteve të reja, opozita fajësoi kryeministrin për prishjen e bisedimeve duke refuzuar të dorëhiqej.
Megjithatë mediat vendase cituan burime diplomatësh brenda grupit negociues sipas të cilëve marrëveshja dështoi pasi palët nuk ranë dakord për kohën se kur duhej të dorëhiqej Gruevski përpara zgjedhjeve të prillit për t’i dhënë kohë qeverisë tranzicionale të përgatisë zgjedhjet.
Sipas tyre Gruevski kishte rënë dakord të dorëhiqej tre muaj përpara zgjedhjeve, gjë që Zaev nuk e kishte pranuar.
Ka pasur tre bisedime mes kryeministrit maqedonas Gruevski, liderit të opozitës Zaev dhe ndërmjetësit të BE-së, Hahn. Ata u takuan javën që shkoi në një mbledhje 10-orëshe në Strasburg dhe në një takim 9-orësh në Shkup.
Problemi më i madh mbetet çështja se kush do ta marrë drejtimin e qeverisë ndërmjetëse pas dorëheqjes së Gruevskit. Opozita ka kërkuar formimin e një qeverie të përkohshme që do të kontrollojë dhe menaxhojë problemet zgjedhore.
Kriza në Maqedoni ka shpërthyer pas akuzave të përgjimit masiv nga qeveria e Gruevskit, akuza këto të ngritura nga opozita në shkurt të këtij viti. Kryeministri ndërkohë ka pretenduar se akuzat dhe provat janë të inskenuara.