![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/victor-ponta.jpg)
Parlamenti rumun ka miratuar një ligj të ri që i ofron pensione ekstra deputetëve që i kanë shërbyer legjislativit, ndërkohë që sondazhet raportojnë se besimi i shtetasve te parlamenti është në nivele shumë të ulëta.
![Kryeministri rumun Victor Ponta. (AP Photo/Vadim Ghirda, File)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/victor-ponta-554x400.jpg)
Parlamenti rumun të martën miratoi një ligj që ofron pensione speciale për ligjvënësit pasi këta dalin në pension. Ligji u miratua me 303 vota pro dhe 124 kundër.
Për shërbimin brenda një mandati, një ish-senator ose ish-deputet do të mund të marrë një pension special prej 344 euro në muaj, sipas ligjit të ri.
Për ata që shërbejnë për dy mandate do ketë një pension prej 700 euro dhe ata që kryejnë tre mandate marrin 1030 euro – të gjitha të shtuara pensioneve të tyre normale.
Deputetët që mbështetën ligjin thanë se perspektiva për më shumë para pensioni do të joshë ekspertët në fusha të ndryshme të kandidojnë për parlament dhe do të rrisë cilësinë dhe performancën e parlamentit.
Shumë njerëz dënuan vendimin, duke reflektuar përbuzjen tradicionale të rumunëve ndaj klasës politike. “Është e gabuar që deputetët të votojnë për pensione më të larta për veten, pasi parlamenti mbetet një institucion inefiçent dhe i korruptuar,” thotë Cosmin Popescu, një 45-vjeçar që punon si inxhinier. “Deputetët duhet të kuptojnë se nuk shkojnë përtej ligjit”, shtoi ai.
Rritja e pensioneve vjen pasi deputetët kanë bërë një lëvizje për të mbrojtur veten nga hetimet gjyqësore për korrupsion. Vetëm këtë vit, parlamenti bllokoi hetime për tre deputetë, një prej të cilëve kryeministri aktual Viktor Ponta.
Sipas ligjit, prokurorët duhet të marrin aprovim për të hetuar dhe burgosur ligjbërësit që kanë kryer shkelje në detyrë.
Parlamenti është një nga institucionet më pak të besuara në Rumani. Vetëm 12 për qind e rumunëve kanë besim te ai, sipas një sondazhi të fundit. Nga ana tjetër, 76 për qind e rumunëve i besojnë më tepër ushtrisë dhe rreth 61 për qind i besojnë kishës ortodokse.
Analistët thonë se nivelet e larta të besimit te ushtarët dhe kisha reflektojnë karakterin tradicional të vlerave rumune.