Një raund i ri takimesh të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për gjetjen e një rrugëzgjidhje në Maqedoni do të ndodhë në Shkup të premten.
Takimi, që vjen pas dështimit të javës së shkuar për të gjetur një marrëveshje rreth qeverisë tranzicionale në bisedimet në Bruksel, pritet të mbledhë liderë të katër partive politike kryesore si dhe ambasadorët e BE dhe SHBA në vend, Aivo Orav dhe Jess Baily.
Kryeministri Nikola Gruevski, kreu i opozitës Zoran Zaev si dhe kryetari i partisë së koalicionit qeverisës Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmet dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve, me në krye Menduh Thaçin, do të marrin pjesë.
Takimi u lajmërua të enjten nga Zaev, i cili tha se ai do ta përdorte atë për të dhënë afatin përfundimtar të opozitës për një zgjidhje – fundi i këtij muaji – pas të cilit ai nuk do të përjashtojë veprime protestash të radikalizuara.
Zaev përsëriti se opozita ishte e vendosur ta shohë Gruevskin, që ka qenë në pushtet që nga 2006, të japë dorëheqjen dhe t'i hapë rrugën një qeverie tranzicionale pa influencën e tij për ta përgatitur vendin për zgjedhje të parakohshme.
Bisedimet e fundit vijnë pasi kryeministri dhe lideri i opozitës dështuan të arrijnë një marrëveshje në qeverinë tranzicionale gjatë negociatave të udhëhequra prej BE-së në Bruksel më 11 qershor.
Ndërkohë komisioneri i BE për zgjerim, Johannes Hahn, i cili ka ndërmjetësuar bisedimet e Brukselit, dha gjatë një vizite te zv. Kryeministri Fatmir Besimi, një raport të BE-së për krizën duke kërkuar reforma urgjente në disa zona kyçe.
“Raporti i KE është i përditësuar me zhvillimet më të fundit në vend dhe gjithashtu përfshin një analizë nga eksperti i KE Reinhard Priebe, duke nënvijëzuar prioritetet të cilat Maqedonia duhet të përmbushë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Besimi.
Megjithëse dokumenti nuk u bë publik, një burim pranë delegacionit të BE në Shkup tha për BIRN se ai thekson “mangësi serioze” në disa zona kyçe si pavarësia e gjyqësorit, reformat në shërbimet e sigurisë së shtetit, reformat e lidhura me procesin elektoral dhe liria e medias dhe fjalës.
Pas takimit me Besimin, Hah përsëriti thirrjen që të gjitha partitë e përfshira në krizë të veprojnë në interes të vendit dhe shtetasve të tyre për të gjetur një kompromis politik afatgjatë, të ngritur mbi marrëveshjen që ata kishin arritur tashmë më 2 qershor.
Kriza në Maqedoni rrotullohet rreth pretendimeve për përgjim masiv ilegal. Opozita akuzon Gruevskin për orkestrim të mbikëqyrjes së 20,000 personave dhe kërkon që ai dhe qeveria e tij të japin dorëheqjen.
Gruevski ka këmbëngulur se bisedat komprometuese të zyrtarëve të lartë të publikuara radhazi që nga shkurti prej Social Demokratëve janë krijuar nga agjenci të huaja sekrete për të destabilizuar vendin.
Përgjimet flasin për mashtrim me zgjedhjet, abuzim me gjyqësorin dhe median dhe sugjerojnë se qeveria mbuloi përgjegjësinë për vrasjen e një të ri nga një polic.