![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/zgjedhje2015.gif)
Kryetari i Partisë Demokratike njeh rezultatin, por i cilëson zgjedhjet e 21 qershorit si “kthim mbrapa për Shqipërinë”. Kryeministri Rama i quan ato si “më të mirat e mbajtura në vend”.
![Një votuese në Vorë më 21 qershor 2015. Foto: LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/zgjedhje2015-300x180.gif)
Në kohën kur gara e 21 qershorit po shkon drejt fundit, duke i dhënë koalicionit qeverisës shumicën e bashkive të vendit, debati politik është fokusuar tek standardi i zgjedhjeve. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cilësoi zgjedhjet e 21 qershorit një “kthim i dukshëm prapa për Shqipërinë”, ndërsa kryeministri Edi Rama i quajti ato “më të mirat e mbajtura në vend”.
Në një konferencë për shtyp, lideri i opozitës pranoi rezultatin dhe tha se “PD dhe aleatët e saj kanë hedhur një hap të madh drejt ringritjes, duke fituar një numër bashkish dhe ngushtuar diferencën”.
Gjatë fjalës së tij, Basha denoncoi ndarjen e re territoriale si një “hartë elektorale”. Ai përmendi gjithashtu kandidimin e njerëzve me rekorde kriminale, përfshirjen e bandave të lidhura me pushtetin në zgjedhje, përdorjen e makinerisë shtetërore për fushatë dhe presionet masive për blerjen e votës si dhunim të standardeve nga dyshja Rama-Meta.
“Zgjedhjet ishin një kthim i dukshëm prapa për Shqipërinë. Strukturat e PD-së kanë dokumentuar qindra raste shkeljesh dhe ua ka vënë ato në dispozicion partnerëve ndërkombëtarë,” tha Basha.
“Beteja jonë s’do të ndalet derisa përgjegjësit të dalin para ligjit,” tha ai.
Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi këtë qëndrim në deklaratën e tij për mediat. Duke bërë një analogji me zgjedhjet e vitit 2013, kur Partia Demokratike ishte në pushtet, Rama tha se “nuk pati blerje votash, nuk pati presione mbi administratën dhe se buxheti i shtetit nuk u prek për fushatë”.
Në fjalën e tij, Rama falenderoi ndërkombëtarët dhe vlerësoi gjetjet e raportit të misionit vëzhgues të OSBE/ODHIR.
“Këto zgjedhje ishin më të mirat, por ka vend për përmirësime dhe ne jemi të vendosur që t’i bëjmë,” shtoi ai.
Raporti paraprak i misionit vëzhgues të OSBE/ODHIR vlerësoi ditën e votimeve, por vërejti parregullsi në zbatimin e kodit elektoral dhe në vendimet e “politizuara” të KQZ-së. Në raport shprehej shqetësimi për pretendimet për blerje votash në këto zgjedhje.
Gara për zgjedhjen e kryebashkiakëve të rinj po shkon drejt kutive të fundit, ndërsa procesi i numërimit vazhdon ende në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Malësi të Madhe. Megjithatë, të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se Aleanca për Shqipërinë Europiane ka fituar 42 bashki, ndërsa është në avantazh të thellë në Tiranë, Durrës dhe Malësi të Madhe.
Të djathtët e grupuar në këto zgjedhje në Aleancën Popullore për Punë dhe Dinjitet rezultojnë fitues në 14 bashki dhe kanë avantazh të thellë në bashkinë e Shkodrës. Nga kjo garë rezultuan fituese nëntë kandidate gra, ndërkohë që vëmendja është fokusuar prej mesditës së martë tek votat e qytetarëve shqiptarë për partitë.