![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/shkup-protesta.jpg)
Kundërshtarët e Nikolla Gruevskit planifikojnë të bëjnë zhurmë me tiganë dhe objekte të tjera metalike në Shkup ditën e sotme për të rritur kështu presionin për dorëheqjen e kryeministrit.
![Protesta antiqeveritare në Shkup, Foto arkive: AP / Boris Grdanoski](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/shkup-protesta-300x226.jpg)
Një koalicion i partive opozitare dhe OJQ-ve i quajtur “Qytetarët për Maqedoninë” i ka bërë thirrje njerëzve të sjellin enë gatimi metalike, lugë dhe gjithçka tjetër që mund të bëjë zhurmë për të bërë “protestën më të zhurmshme deri tani” kundër qeverisë së Nikolla Gruevski.
Marshimi i caktuar për ditën e mërkurë do të fillojë para ndërtesës së qeverisë në Shkup, ku opozita ka ngritur një kamp anti-qeveritar dhe duhet të përfundojë para rezidencës së vetë Gruevskit.
Koalicioni thotë se Gruevski duhet të japë dorëheqjen dhe të mbahet përgjegjës për “sundimin e tij kriminal dhe të dhunshëm” gjatë nëntë viteve të fundit.
“Në vend të institucioneve të pavarura, ai ka krijuar kukulla partiake, në vend të mediave të pavarura, megafonë partiakë, në vend të drejtësisë sociale, ai i ka vendosur qytetarët në mëshirën e partisë së tij,” tha koalicioni.
Maqedonia është në grahmat e një krize të thellë politike që përqendrohet mbi pretendimet e përgjimeve të paligjshme në masë.
Social Demokratët e opozitës të udhëhequr nga Zoran Zaev e akuzojnë Gruevskin se ka organizuar mbikëqyrjen e rreth 20,000 njerëzve dhe kërkojnë që ai dhe qeveria e tij të japë dorëheqjen.
Gruevski ka këmbëngulur se përgjimet kompromentuese të bisedave zyrtare, tëcilat janë bërë publike nga opozita që në shkurt, “ishin krijuar” nga shërbime sekrete të huaja pa emër dhe i janë dhënë opozitës për të destabilizuar vendin.
Kasetat tregojnë mashtrim zgjedhor, abuzim të sistemit të drejtësisë dhe të medias, si edhe sugjerojnë se qeveria ka mbuluar vrasjen e një të riu nga një oficer policie.
BE-ja ndërkohë ka ndërmjetësuar një marrëveshje për zgjedhje të reja të cilat duhet të mbahen në vend minimalisht prillin e ardhshëm.
Një anketim i ri i kryer nga Qendra Maqedonase për Trajnim Evorpian, një OJQ, tregon se edhe pse mediat kryesore i kanë injoruar përgjimet, 88 për qind e të anketuarve në këtë anketë kanë dëgjuar për të paktën disa nga bisedat inkriminuese.
Sondazhi ilustron shkallën e dëmit të shkaktuar ndaj besueshmërisë së qeverisë. Rreth 41 për qind e të të anketuarve thanë se ata besonin se qeveria kishte kryer vërtet përgjime të paligjshme, ndërsa vetëm 22 për qind besonin versionin e qeverisë, e cila pretendon se kaseta janë “krijuar” nga shërbime të huaja të inteligjencës.
Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmjetësuara nga BE dhe SHBA për zgjidhjen e krizës, të katër liderët kryesorë politikë do të takohen më 29 qershor për të diskutuar detajet e një qeverie të mundshme tranzicionale, e cila do të ngarkohet me përgatitjen e zgjedhjeve të dakorduara të parakohshme.
Komisioni Evropian ka bërë gjithashtu publik një raport të kohëve të fundit, i cili liston reformat urgjente të nevojshme në disa fusha kyçe.
Raporti vë në dukje mangësitë serioze në Maqedoni në fusha të tilla si pavarësia gjyqësore, shërbimet e sigurisë, procesi zgjedhor dhe liria e medias.