![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/pontav.jpg)
Qeveria rumune ka dyfishuar rrogat e një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë presidentin dhe kryeministrin duke thënë se zyrtarët duhen shpërblyer më mirë.
![Kryeministri rumun, Viktor Ponta.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/pontav-300x208.jpg)
Qeveria rumune e qendrës së majtë të mërkurën vendosi përmes një Urdhërese Emergjente të rrisë rrogat e 48 zyrtarëve të lartë të shtetit, duke filluar nga muaji i ardhshëm.
Rrogat e presidentit dhe kryeministrit do të jenë më shumë se dyfishi në 15,108 lei në muaj (3350 euro) secili, krahasuar me nivelin aktual prej 6,500 lei.
Anëtarët e kabinetit po ashtu edhe shefat e shërbimeve sekrete do të shohin rritje rrogash me dyfish.
Lista e zyrtarëve të lartë të cilët do marrin shpërblime përfshin kryetarët e dhomave të parlamentit, kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe Drejtësisë dhe të tjerë. Nuk është dhënë informacion se sa do të rriten rrogat e këtyre zyrtarëve.
“Rrogat më të larta do të tërheqin profesionistë më të trajnuar në sektorin publik dhe kështu do rritet cilësia e shërbimit dhe do ulet korrupsioni,” tha kryeministri i përkohshëm Gabriel Oprea pas dhënies së lajmit.
Ai shtoi se rritja e rrogave publike ishte e mundur për shkak të rritjes ekonomike të regjistruar në Rumani në këto vitet e fundit.
Presidenti Klaus Iohannis mbroi vendimin e qeverisë, duke thënë se rritja e rrogave për zyrtarët shtetërorë ishte e merituar dhe se rrogat duhet të reflektojnë pozicionin e njerëzve.
Rumania planifikon të përditësojë të gjithë rrogat e sektorit publik deri në fund të vitit. Një ligj për rrogat publike do të hyjë në fuqi në dhjetor, për të motivuar dhe rritur performancën. Ai do të vendosë një normë 1 me 18 mes minimumit dhe maksimumit të pagës për punonjësit publikë.
Kryeministri i vendit, Ponta ka kryer një operacion në gju më 15 qershor dhe pritet të kthehet në detyrë së shpejti. Ai është i dyshuar në një rast korrupsioni. Drejtoria Kombëtare Anti-Korrupsion, lajmëroi se kishte filluar një proces hetimor ndaj Pontas më 12 qershor, duke theksuar se kishte ngritur kundër tij 17 shkelje.