Pasi Gjermania prezantoi kontrollet e reja të emergjencës në kufi për të përballuar fluksin e refugjatëve nga Lindja e Mesme, Maqedonia dhe Serbia po përgatiten për më tepër mbërritje nga jugu.
Maqedonia dhe Serbia, të cilat shtrihen të dyja në rrugën e tranzitit për në BE, thanë se po përgatiteshin për më tepër mbërritje pavarësisht lajmërimit nga pala gjermane të dielën se do të dilte përkohësisht nga zona Shengen për t’u përballur kështu me fluksin e refugjatëve.
Teksa fluksi ka vazhduar edhe gjatë fundjavës, ministri maqedonas i mbrojtjes Zoran Jolevski tha se vendi i tij nuk planifikon të ndryshojë në mënyrë drastike veprimet, përveç rinovimit të gjendjes së emergjencës në kufirin jugor me Greqinë për të mbajtur ushtrinë në atë zonë për të ndihmuar policinë në përballimin e krizës.
“Ne po bëjmë gjithçka për t’i ofruar migrantëve një tranzit njerëzor dhe të shpejtë nëpër Maqedoni që ata ta vazhdojnë udhëtimin. Ne shpresojmë që kjo valë të ndalojë sa më shpejt të jetë e mundur, por informacionet thonë të kundërtën,” thotë Jolevski.
Ministria e jashtme maqedonase ndërkohë është përpjekur të lërë mënjanë deklaratën e ministrit të jashtëm Poposki, për një gazetë hungareze ku u shpreh se Maqedonia po mendon të ndërtojë një gardh në kufirin jugor.
Ministria tha se media kishte lënë pa përmendur një pjesë të intervistës ku thuhej nga Poposki se gardhi nuk ishte një ide e mirë.
“Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme aktualisht në kufirin jugor dhe verior. Ne mbetemi vigjilent në rast të çdo ndryshimi,” tha zëdhënësi i policisë maqedonase Ivo Kotevski për BIRN.
Ministri serb i punës Aleksandar Vulin tha të hënën se qeveria po priste më tepër migrantë të qëndronin në Serbi pas lajmërimit për mbylljen e kufirit gjerman por shtoi se Beogradi do të respektojë detyrimet ndërkombëtare.
Në një intervistë për RTS, Vulin refuzoi çdo mundësi të ngritjes së mureve në kufirin serb për të ndaluar fluksin e refugjatëve.
Ai shtoi se Serbia po ndërton kampe pritjeje në kufirin verior, pranë Hungarisë.
“Serbia nuk do të shpenzojë para për këtë gjë. Ne do të përdorim fondet europiane,” tha Vulin, që nxiti BE-në të ndihmojë më tepër Serbinë sepse vendi mezi po përballej me situatën.
Ai tha se qeveria serbe priste mbërritjen e rreth 3500 personave në komunën jugore të Preshevës nga Maqedonia të hënën.
Numri i refugjatëve është rritur me 20 për qind në ditët e fundit, shtoi ai.
Beogradi mund të përballet me më tepër probleme nga e marta kur të hyjë në fuqi ligji i Hungarisë për shtrëngim të fluksit të refugjatëve që hyjnë nga Serbia.
Ligji i ri shton mundësinë e dërgimit të ushtrisë në kufirin hungarez dhe thotë se migracioni i paligjshëm dënohet deri me tre vjet burg.
EurActive.com ka raportuar se një gazetar hungarez ka zbuluar plane edhe më të ashpra nga qeveria e Budapestit për të ndaluar refugjatët të hyjnë në vend.
Autoritetet hungareze do të dërgojnë në Serbi çdo refugjat pa një vizë Shengen sepse KE e ka deklaruar Serbinë një vend të sigurt, ndërsa çdo refugjat që hyn në Hungari pa një viza do të çohet në gjykatën e gjendjes emergjente, është raportuar.
Rumania ndërkohë nuk ka bërë reagim zyrtar ndaj vendimit të Gjermanisë për të mbyllur kufirin.
Vendi, që nuk është anëtar i zonës Shengen të BE-së, mbetet i vendosur për të marrë vetëm 1785 azilkërkues.
Ministri i brendshëm rumun, Gabriel Oprea tha të hënën se Bukureshti do të refuzojë planin e Komisionit Europian për kuotat kombëtare të refugjatëve.
“Kam mandat të qartë nga presidenti dhe kryeministri për të refuzuar me mirësi kërkesën e KE,” tha Opera përpara se të largohej për në Bruksel, ku ministrat e brendshëm të BE do të mbajnë një takim për krizën e refugjatëve.
“Ne do të respektojmë marrëveshjen tonë fillestare për të marrë 1785 migrantë. Ky është kapaciteti i Rumanisë,” shtoi ai.
Presidenti Klaus Iohannis tha të dielën se Rumania duhet të tregojë solidaritet me atë që po ndodh në Europë, por vendi nuk mund të pranojë më tepër refugjatë.
Në Zagreb, analisti politik Davor Gjenero tha se lëvizja e Gjermanisë për të pezulluar Shengenin mund të ndikojë negativisht shpresat e Kroacisë në hyrjen e zonës pa pasaporta.
“Hyrja e Kroacisë në marrëveshjen Shengen është synimi më i rëndësishëm për t’u arritur në BE. Në këto kushte, çështja është nëse do të ketë një zgjerim të regjimit Shengen, nëse sistemi Shengen mbijeton në përgjithësi,” tha Gjenero për BIRN.
Denis Hadzovic nga Qendra e Studimeve të Sigurisë në Sarajevë tha megjithatë se lëvizja e Gjermanisë do të ketë pasoja në itinerarin e migrantëve në Europën perëndimore.
“Kjo do ta përkeqësojë situatën për shtetet tranzit. Tani refugjatët do të jenë të çorientuar dhe të humbur ndërsa konsiderojnë destinacionin final,” tha Hadzoviç për BIRN.
“Ndoshta Serbia do të synojë që ngadalë të heqë qafe këta refugjatë, që do të vijnë në Bosnje dhe Kroaci”, tha ai.