![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Katica-Janeva-by-MIA-4.jpg)
Nga anonimiteti te të qenët në qendër të vëmendjes, një prokurore nga një qytet i vogël, Katica Janeva u shfaq në bisedimet ndërpartiake si prokurorja e re në qendër të hetimeve dhe pretendimeve të mbikëqyrjes së paligjshme që kanë tronditur qeverinë.
![Katica Janeva | Foto: MIA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Katica-Janeva-by-MIA-4-532x400.jpg)
Kur maqedonasit dëgjuan për herë të parë rreth caktimit të Janevës si Prokurore Speciale, shumë njerëzve iu desh ta kërkonin në Google për të marrë detaje të biografisë së saj dhe një foto.
Nuk mund të gjendej shumë rreth kësaj avokateje 50-vjeçare relativisht e panjohur nga qyteti jugor i Gevgelijës.
Edhe mes profesionistëve të gjyqësorit emri i saj nuk thoshte gjë, e cila në varësi të perspektivës, shihet si një gjë e mirë ose e keqe për angazhimin e saj të ardhshëm profesional.
Dilema e madhe është nëse një prokurore kaq pak e panjohur do të mund të përballojë rastet e ndërlikuara që arrijnë deri te politikanët e fuqishëm.
“Prokurorja Speciale ka punë të vështirë dhe me përgjegjësi përpara saj. Ajo duhet të merret me të gjitha këto krime, me mashtrime zgjedhore të së shkuarës, me tenderë të sajuar, me të burgosur politikë si dhe me shëmtinë dhe akuzat e dëgjuara nga përgjimet e opozitës,” tha Vasko Lazarevski, një aktivist nga Platforma për Politika Qytetare – Ajde! e cila bashkon OJQ të ndryshme.
Ata kanë ofruar vetëm mbështetje të kushtëzuar për Janevën bazuar në performëncën e saj.
Një vajzë gjykatësi, Janeva ka punuar si një prokurore në Gevgelija për 13 vjet. Pasi aplikoi dy herë për postin, ajo u caktua kryeprokurore në qytetin e vet në vitin 2010. Biografia e saj thotë se ajo u trajnua në Shtetet e Bashkuara dhe në Siçili, bazë e mafias italiane. Ajo ka një rol mësimdhënës në akademinë e gjykatësve të Maqedonisë.
Në vitin 2005, juridiksioni i prokurorisë dhe gjykatës së Gevgelijas ra ndjeshëm, meqësenë hetonte vetëm krime të vogla që dënoheshin maksimalisht me pesë vjet burg. Kjo ngre padyshim pyetje për eksperiencën e saj.
“Maqedonia nuk ka mjaftueshëm kohë për të pritur që prokurorja të mësojë cila është puna e saj. Ajo është një e panjohur e madhe, jo vetëm për publikun por edhe për profesionistët gjyqësor në Maqedoni, gjë që nuk është pozitive,” tha për BIRN kreu i Transparency International në Maqedoni Slagjana Taseva.
Por të tjerë janë optimistë për perspektivat e saj.
“Mungesa e eksperiencës së saj me çështje të vështira është e parëndësishme sepse çdo prokuror mund të përshtatet lehtësisht nëse ndjek praktikën e Prokurorisë Publike,” tha për BIRN ish-kryeprokurori maqedonas Ljupco Svrgovski.
Një gjë për të cilën kushdo bie dakord është se emri i saj nuk mund të lidhet me asnjë parti politike.
“Sot qëndroj përpara jush vetëm. Në afatin kohor të një muaji do të më shihni mua dhe skuadrën time mbi çështjet,” tha Janeva për median pasi bëri betimin në Shkup të mërkurën. “Veprimet e mia do të flasin për punën time,” i tha ajo gazetarëve.
Kriza politike në Maqedoni rrotullohet rreth pretendimeve për përgjim masiv. Opozita ka publikuar përgjime që nga shkurti, të cilat hedhin dritë mbi aferat e Gruevskit që ka qenë në pushtet prej vitit 2006.