![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Albin-Kurti-after-release-Photo-BIRN.jpg)
Aktivistët e partisë opozitare “Vetëvendosje” sulmuan një stacion policie në Prishtinë pasi zëvendës kryetari i tyre Albin Kurti u arrestua, me akuzën e pretenduar të hedhjes së gazit lotsjellës në parlament.
![Albin Kurti pas lirimit. Foto: BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Albin-Kurti-after-release-Photo-BIRN-300x225.jpg)
Aktivistët e Vetëvendosjes u përleshën me policinë, e cila përdori spraj piperi për t’i shpërndarë ata pasi aktivistët hodhën gurë në stacionin e policisë në Prishtinë mbrëmjen e së hënës, duke thyer dyert prej xhami.
Rreth 15 persona u plagosën gjatë përleshjeve me policinë. Aktivistët gjithashtu i vunë zjarrin dy automjeteve që i përkisnin prokurorisë.
Dhuna shpërtheu pasi policia e Kosovës arrestoi zv.kryetarin e partisë, Albin Kurtin, rreth orës 9 të mbrëmjes në periferi të Prishtinës.
Kurti u lirua rreth dy orë më pas dhe iu bashkua protestuesve të cilët u rigrupuan përpara parlamentit.
Ai tha se policia i kishte thënë se arrestohej për shkak se ai dhe deputetë të tjerë të opozitës hodhën gaz lotsjellës në parlament më 8 tetor në një protestë për marrëveshjet me Serbinë, mbështetur nga BE-ja.
“Nuk kam asgjë me shkrim. Por ata thanë se ishte rreth çështjes së seancës së 8 tetorit,” tha Kurti për median pas protestës.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani tha për BIRN se Kurti u arrestua në bazë të një mandatarresti të prokurorisë.
“Të gjithë veprimet e mëtejshme të policisë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin,” tha Kelani.
Por Kurti tha se ai ishte nxjerrë me forcë nga makina prej policisë.
“Ne nuk dolëm nga makina pa një mandat arresti. Ata na tërhoqën me dhunë nga makina dhe na çuan në stacionin e policisë. Nuk kishte mandat arrest as në stacion,” i tha ai protestuesve të hënën në mbrëmje.
Arrestimi i Kurtit erdhi pas tensioneve të thella politike midis partive opozitare dhe qeverisë mbi marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Brukseli mes Prishtinës dhe Beogradit, për të normalizuar marrëdhëniet.
Marrëveshja e 25 gushtit parashikon krijimin e një lidhje në komunat me shumicë serbe në Kosovë për të mbrojtur interesat e pakicës serbe.
Tre parti opozitare në parlamentin e Kosovës kundërshtuan me dhunë lidhjen, duke pretenduar se do të ketë të njëjtat fuqi si entiteti i dominuar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë, Republika Srpska, që ka kërcënuar të veçohet nga vendi.
Partitë opozitare kanë penguar seancat parlamentare në parlamentin e Kosovës në formë proteste që nga fillimi i tetorit.