![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/amerika.jpg)
Debati publik amerikan është orientuar drejt çështjeve që ndonëse kanë rëndësinë e tyre nuk janë thelbi i të ardhmes së Shteteve të Bashkuara. Joseph S. Nye argumenton se ku duhet të fokusohet SHBA-ja për të ruajtur lidershipin global.
![Gara presidenciale 2016 në SHBA.Foto: (Branden Camp/Atlanta Journal-Constitution via AP)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/amerika-300x200.jpg)
Kur presidenti i SHBA-së, Barack Obama, foli së fundmi te Kombet e Bashkuara rreth luftës kundër Shtetit Islamik, shumë nga kritikët e tij u ankuan se ai e vuri më shumë theksin te diplomacia dhe jo mjaftueshëm mbi përdorimin e forcës. Krahasime u bënë me ndërhyrjen ushtarake të presidentit Vladimir Putin në luftën civile në Siri; dhe, me afrimin e fushatës presidenciale amerikane, disa nga kandidatët republikanë e akuzuan Obamën për izolim.
Por akuza të tilla janë retorika politike partizane, me pak bazë në analizën rigoroze të politikës. Është më e saktë të shihet gjendja aktuale si një lëkundje e lavjerrësit të politikës së jashtme amerikane, që Stephen Sestanovich nga Universiteti i Kolumbias i ka quajtur politika “maksimaliste” dhe politika “të pakësimit”.
Pakësimi nuk është izolim, është një rregullim i synimeve strategjike dhe mjeteve. Presidentët që ndoqën politikat e pakësimit që nga fundi i luftës së dytë botërore janë Ajzenhaueri, Niksoni, Karteri dhe tani Obama. Asnjë historian objektiv nuk mund të quajë ndonjë nga kta burra izolacionist.
Ajzenhaueri kandidoi për president në 1952 sepse ai kundërshtoi izolacionizmin e Robert Taft, kandidati kryesor republikan. Ndërsa Niksoni besonte se SHBA-ja ishte në rënie, të tjerë nuk mendonin kështu. Të gjithë ata ishin ndërkombtaristë të fortë kur krahasoheshin me izolacionistët e viteve 1930, që kundërshtuan me forcë ndihmën ndaj Britanisë në luftën e dytë botërore.
Historianët mund të jenë të besueshëm kur thonë se periudhat e angazhimit të tepërt maksimalist kanë bërë më tepër dëm në vendin e Amerikës në botë sesa periudhat e pakësimit. Reagimi i brendshëm politik ndaj idealizmit global të Woodrow Wilsonit prodhuan izolacionizëm të fortë që vonoi përgjigjen e Amerikës ndaj Hitlerit. Përshkallëzimi i luftës në Vietnam nën presidentët Kennedy dhe Johnson prodhoi kthesën e vështrimit nga brenda në vitet 1970. Dhe pushtimi i gabuar i George W. Bush në Irak krijoi gjendjen aktuale të pakësimit.
Nëse kjo gjendje do të bëhet një problem në fushatën presidenciale 2016, siç sugjerojnë retorikat e hershme të fushatës, amerikanët duhet të lënë mënanjë debatin e kotë rreth izolimit dhe në vend të kësaj të bëjnë tre pyetje themelore rreth të ardhmes së politikës së jashtme të vendit: Sa? Sa pushtuese? Dhe sa shumë multilaterale?
Pyetja e parë është se sa do të shpenzojë SHBA-ja në mbrojtje dhe në politikë të jashtme. Megjithëse disa argumentojnë se Amerika nuk ka zgjedhje tjetër veçse të zvogëlojë shpenzimet e saj në këto zona, ky nuk është rasti. Si pjesë e PBB, SHBA-ja po shpenzon më pak se gjysma e asaj që kapi majën në Luftën e Ftohtë, kur shekulli i lidershipit amerikan po konsolidohej.
Problemi nuk është armë apo gjalpë, por armë apo gjalpë apo taksa. Pa një vullnet për të rritur të ardhurat, shpenzimi për mbrojtjen është përballë një shume zero në lidhje me investime të rëndësishme si edukimi, infrastruktura, kërkimet dhe zhvillimi, që të gjitha janë të rëndësishme për pozicionin e fortë të brendshëm dhe global të Amerikës.
Pyetja e dytë lidhet me mënyrën se si dhe çfarë rrugësh duhet SHBA-ja të përfshihet në çështjet e brendshme të shteteve të tjera. Obama ka thënë se Amerika duhet të përdorë forcën ushtarake, në mënyrë të njëanshme nëse duhet, kur siguria e saj ose e aleatëve të saj kërcënohet. Por jo, por vetëdija e nxit vendin të veprojë – kundër, le të themi një diktatori që vret një numër të madh shtetasish të tij – SHBA-ja nuk mund të ndërhyjë e vetme dhe duhet të përdorë forcën vetëm nëse ka një mundësi të mirë suksesi.
Ka parime të arsyeshme, por cilat janë pragjet? Problemi nuk është i ri. Rreth dy shekuj më parë, John Quincy Adams, presidenti i gjashtë i Amerikës, po luftonte me kërkesat e brendshme për ndërhyrjen në luftën greke për pavarësi kur ai tha fjalët e famshme se SHBA-ja “nuk shkon jashtë shtetit në kërkim të përbindëshave që duhen shkatërruar”. Por çfarë nëse vetëpërmbajtja në një luftë civile si e Sirisë lejon një grup terrorist si Shteti Islamik të krijojë një parajsë të sigurt?
SHBA-ja duhet të qëndrojë jashtë pushtimit dhe zaptimit. Në një kohë nacionalizmi dhe popullatash të mobilizuara socialisht, pushtimi i huaj, siç konkludoi Ajzenhaueri në vitet 1950, është i lidhur me pakënaqësi race. Por çfarë e zë vendin e saj? Është forca ajrore dhe trajnimi i forcave të huaja mjaftueshëm? Veçanërisht në Lindjen e Mesme, ku revolucionet kanë gjasa të zgjasin për një brez, një kombinim i zgjuar i forcës dhe së butës, do të jetë vështirë për t’u arritur.
Fjalimet e fundit të kandidatëve presidencialë të SHBA-së tregojnë se debati rreth dy pyetjeve të para ka filluar tashmë. Por SHBA-ja injoron pyetjen e tretë për rrezikun e vet. Si mundet Amerika të përkrahë institucionet, të krijojë rrjete dhe të themelojë politika për menaxhimin e çshtjeve transkombëtare?
Lidershipi nga shteti më i fuqishëm është i rëndësishëm për prodhimin e të mirave publike globale. Fatkeqësisht, bllokada e brendshme politike e Amerikës e bllokon këtë. Për shembull, Senati i SHBA-së, ka dështuar të ratifikojë Konventën e OKB për Ligjin e Detit, pavarësisht se është në interesin kombëtar të Amerikës, në fakt, SHBA-ja ka nevojë për konventën për të mbështetur pozicionin e vet për pretendimet territoriale në Detin e Kinës Jugore.
Po ashtu, Kongresi nuk ia doli të përmbushë një zotim amerikan për të mbështetur rialokimin e forcës votuese brenda Fondit Monetar Ndërkombëtar në vendet me treg në zhvillim, pavarësisht se kjo do të kushtonte shumë pak.
Sa do të shpenzohet në çështjet e jashtme dhe sa do të ndërhyhet në krizat e largëta janë pyetje të rëndësishme. Por amerikanët duhet të jenë po aq të shqetësuar rreth “jashtëzakonshmërisë” që po degjeneron në “zakonshmëri”. Si mundet SHBA-ja ta ruajë lidershipin global nëse vendet e tjera shohin si Kongresi vazhdimisht bllokon bashkëpunimin ndërkombëtar. Ky është debati që nuk ka filluar ende.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Which Way for US Foreign Policy?