![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Djukanovic.jpg)
Milo Djukanoviç tha se ai nuk do të dorëhiqet përpara kërkesave të protestuesve dhe akuzoi partitë opozitare në Serbi se po përpiqeshin të destabilizonin Malin e Zi.
![Kryeministri Djukanovic. Foto: Qeveria e Malit te Zi.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Djukanovic-300x225.jpg)
Kryeministri malazez Milo Djukanoviç të enjten tha se qeveria e tij kishte legjitimitet të plotë dhe nuk do të japë dorëheqjen përpara protestave të opozitës në kryeqytetin Podgoricë.
Organizatorët e protestës, në aleancë me disa parti opozitare që e quajnë veten Fronti Demokratik, kanë premtuar demonstrata të reja dhe thanë se “do të vijë e gjithë Mali i Zi” nëse qeveria e Djukanoviç nuk heq dorë deri të shtunën.
Ata kërkojnë formimin e një qeverie tranzicionale në vend të Djukanoviç, i cili ka qenë në qendër të pushtetit që nga vitet 1990.
“Pas marrjes seriozisht në konsidetarë, qeveria refuzoi kërkesën e pjesës së opozitës për të dhënë dorëheqjen sepse ka legjitimitet të plotë dhe vazhdon punën,” tha Djukanoviç.
Ai tha se Mali i Zi nuk do të lejojë rritjen e trazirave civile dhe protestave të rrugës që të pengojnë vendin që të mos i bashkohet BE-së dhe NATO-s.
Djukanovic gjithashtu tha se disa qarqe të caktuara politike në Serbi mbështetën haptazi lëvizjen e protestës duke iu referuar Partisë Demokratike të Serbisë, një parti opozitare serbe dikur e drejtuar nga ish-presidenti jugosllav Vojislav Kostunica.
“Është një vazhdim i politikës së qarqeve nacionaliste mbledhur rreth Vojislav Kostunicës që ka bërë çdo gjë në përpjekje për të ndaluar pavarësinë e Malit të Zi,” i tha Djukanoviç gazetarëve.
Ai tha se ishte i bindur se lidershipi shtetëror i Serbisë nuk kishte bërë asgjë kundër Malit të Zi dhe se protestat e opozitës ishin përpjekja e fundit brenda dhe jashtë Malit të Zi për të parandaluar anëtarësimin në NATO.
Në një deklaratë tjetër, zv. kryeministri Dusko Markoviç tha se institucionet shtetërore kishin mbledhur prova se Rusia mbështet protestat e Frontit Demokratik.
Ai shtoi se protestat gjithashtu mbështeteshin nga qarqe nacionaliste në Serbi, por jo nga qeveria e kryeministrit Aleksandër Vuçiç.
I pyetur nëse kishte prova financiare ose inteligjence për pretendimet e tij Markoviç tha: “Po, ne e kemi këtë informacion”.
Pasi protestat në Podgoricë u bënë të dhunshme në fundjavë dhe policia përdori gaz lotsjellës në përpjekje për të larguar protestuesit nga kampi i tyre pranë parlamentit, opozita lajmëroi se do të mblidhet të shtunën dhe se është e sigurt se Djukanoviç do të dorëhiqet.
Ata thanë se synimi nuk ishte thjesht të largohej Djukanoviç, por të sigurohej një fushatë e drejtë elektorale.
Markoviç tha se tubimi të shtunën do të autorizohet ndonëse qeveria e konsideron se protestat mund të përdoren për të shkaktuar destabilitet.