![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/suzavac.jpg)
Opozita malazeze po merr në konsideratë “forma të reja rezistence” teksa dy liderë janë arrestuar në përleshjet e dhunshme në Podgoricë.
![Protesta në Podgoricë. Foto: Zeljko Bracanovic/BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/zeljko-12-300x200.jpg)
Aleanca opozitare më e fortë e Malit të Zi, Fronti Demokratik, u betua të dielën se do të vazhdojë dhe do të forcojë “luftën për liri”, pasi dy zyrtarë të saj janë arrestuar kur policia ndërhyri në një protestë anti-qeveritare të shtunën në mbrëmje në Podgoricë.
Zyra e Prokurorit të Shtetit tha të dielën se deputetët e opozitës Andrija Mandiç dhe Slaven Radunoviç akuzoheshin për stimulim të ndryshimit të dhunshëm të rendit kushtetues, duke inkurajuar protestuesit të hyjnë në ndërtesën e parlamentit në Podgoricë.
Ata u liruan të dielën pasi kaluan 24 orë në izolim.
“Faleminderit të gjithëve që keni qenë me ne. Në ditët e ardhshme do t’i përgjigjemi këtij brutaliteti,” tha Fronti Demokratik të dielën.
Opozita pretendoi se Mandiç dhe Radunoviç u arrestuan pa bazë ligjore sepse ata ishin të mbrojtur nga imuniteti parlamentar. Sipas ligjit malazez, deputetët nuk mund të ndiqen penalisht për disa krime, por mund të akuzohen nëse shkelja e tyre dënohet me të paktën pesë vjet.
Mandiç dhe Radunoviç u burgosën pasi protesta e së shtunës u bë e dhunshme. Policia qëlloi me gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestues që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Milo Djukanoviç dhe formimin e një qeverie të përkohshme për të organizuar një zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.
Protestuesit thirrën “Milo, hajdut”, ndërsa disa hodhën fishekzjarrë ndaj oficerëve të policisë që ruanin parlamentin.
Sipas Djukanoviç dhuna e protestuesve kishte si synim të kapte institucionet shteërore, duke përmbysur qeverinë dhe ndryshuar orientimin politik të vendit. Në këto rrethana, ai shtoi, policia u detyrua të veprojë.
Ai tha se Mali i Zi nuk do të lejojë rritjen e trazirave civile dhe protestave të rrugës që të pengojnë vendin që të mos i bashkohet BE-së dhe NATO-s.
Djukanovic gjithashtu tha se disa qarqe të caktuara politike në Serbi mbështetën haptazi lëvizjen e protestës duke iu referuar Partisë Demokratike të Serbisë, një parti opozitare serbe dikur e drejtuar nga ish-presidenti jugosllav Vojislav Kostunica.
Në një deklaratë tjetër, zv. kryeministri Dusko Markoviç tha se institucionet shtetërore kishin mbledhur prova se Rusia mbështet protestat e Frontit Demokratik.
Ai shtoi se protestat gjithashtu mbështeteshin nga qarqe nacionaliste në Serbi, por jo nga qeveria e kryeministrit Aleksandër Vuçiç.
![Protesta në Podgoricë. Foto: Zeljko Bracanovic/BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/DF-protest-october-25-004-600x400.jpg)
![Protesta në Podgoricë. Foto: Zeljko Bracanovic/BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/DF-protest-october-25-001-600x400.jpg)
![Protesta në Podgoricë. Foto: Zeljko Bracanovic/BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/suzavac-600x400.jpg)
![Protesta në Podgoricë. Foto: Zeljko Bracanovic/BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/DF-protest-october-25-003-600x400.jpg)