![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/nato-luksic-i-jens.jpg)
Qeveria e Malit të Zi është e qetë rreth paralajmërimeve ruse se do të mbyllë të gjithë projektet e përbashkëta nëse vendi i bashkohet aleancës së Atlantikut.
![Majtas Igor Luksic (Zv.Kryministër dhe ministër i Jashtëm i Malit të Zi dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/nato-luksic-i-jens-533x400.jpg)
Marrëdhënia me ulje-ngritje e Malit të Zi me Rusinë duket se do të përkeqësohet përsëri tani që republika e vogël e Adriatikut ka mirëpritur ngrohtësisht një ftesë për t’u bashkuar me NATO-n.
Moska paralajmëroi javën e shkuar se do të “ngrijë projektet e përbashkëta me Malin e Zi” nëse i bashkohet aleancës së Atlantikut, siç pritet në vitin 2016.
Disa ekspertë mendojnë se nuk ka gjasa që Rusia të ndërmarrë hapa drastike. Qeveria gjithashtu duket e pashqetësuar se ftesa për t’u bashkuar me Aleancën Perëndimore mund të rrezikojë marrëdhëniet me Rusinë.
“Nuk ka ndonjë investim të rëndësishëm apo ndonjë projekt biznesi nga Rusia në Malin e Zi së fundmi,” tha Byroja e Komunikimit të qeverinë për BIRN në reagimin e parë pas lajmërimit të Moskës.
Më 2 dhjetor, Mali i Zi u bë e treta ish-republikë jugosllave që u ftua për t’iu bashkuar aleancës. Sllovenia u bashkua në vitin 2004 dhe Kroacia në vitin 2009.
Pas marrjes së ftesës zyrtare në një takim të NATO-s në Bruksel, kryeministri, Millo Djukanoviç, e quajti atë ditën më e rëndësishme në historinë e vendit që nga referendumi i suksesshëm i pavarësisë në vitin 2006.
Megjithatë, pasi u lajmërua ftesa, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov, tha se Moska po konsideronte shpagimin.
Ministria e jashtme ruse publikoi gjithashtu një deklaratë armiqësore: “Kjo lloj iniciative ka një potencial real të sjellë konfrontim. Nuk promovon paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe as në Europë në përgjithësi,” thuhej në të.
“Do të komplikojë më tej marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s,” shtoi ministria.
Kryesisht sllav në etni kryesisht ortodoks në fe, Mali i Zi ka një histori të gjatë të marrëdhënieve të ngushta me Moskën, që datojnë që prej mbretërimit të Carit Pjetri i Madh.
Rusia e mori atëherë principatë e vogël ortodokse nën krahun e saj mbrojtës. Moska ka thënë vazhdimisht se ambiciet e Malit të Zi për t’u bashkuar me NATO bien ndesh me shekuj të “marrëdhënieve vëllazërore” midis dy popujve.
Marrëdhëniet u ftohën së pari në mars 2014, kur Mali i Zi imponoi sanksione mbi Rusinë duke iu bashkuar embargos së BE ndaj 33 zyrtarëve ukrainas dhe rusë, disa prej tyre shumë të afërt me presidentin Putin.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Uashington në prill të vitit 2014, kryeministri Djukanoviç gjithashtu zemëroi Moskën duke bërë thirrje për një “fillim të guximshëm” për të zgjeruar më tej zonën Euro-Atlantike në Lindje.
Megjithatë, Rusia e zgjeroi kundër-embargon e saj në importet e ushqimeve perëndimore për të përfshirë edhe Malin e Zi vetëm në gusht 2015. Gjithashtu përjashtoi nga ndalimi eksportin kryesor të Malit të Zi në Rusi, verën.
Revista Forbes shkroi se për aq kohë sa biznesi rus ishte ende i mirëpritur në Mal të Zi, anëtarësimi i NATO-s nuk do të ngjarë të ndikojë në investimet ruse. “Mali i Zi mund të dëshirojë që të funksionoi kështu,” theksoi revista.
Gjëra të rëndësishme në Malin e Zi
Sipas ambasadës ruse në Podgoricë, rreth 5000 deri në 7000 rusë janë banorë të përhershëm në Malin e Zi. Shtetasit rusë zotërojnë më shumë se 30 për qind të kompanive të huaja në vend.
Për vite, Mali i Zi është etiketuar si “resorti VIP rus”, si destinacioni i preferuar i oligarkëve rusë.
Rusët janë ende turistët më të shumtë të huaj në vend. Rreth 300,000 rusë vizitojnë vendin çdo vit dhe përbëjnë më shumë se një milion qëndrime me fjetje.
Disa sondazhe sugjerojnë se më shumë se 40 për qind e pasurive të patundshme në Mal të Zi tani i takojnë rusëve, kryesisht politikanëve dhe miliarderëve.
Rusia për shumë vite ka qenë burimi më i madh i vetëm i investimeve të huaja direkte. Ajo është përgjegjëse për gati një të tretën e investimeve të huaja direkte në Mal të Zi.
Sipas informacionit të qeverisë dhënë për BIRN, që kur vala e investimeve ruse filloi në Mal të Zi në vitin 2005, rreth 1.16 miliardë euro kanë hyrë në Malin e Zi nga Rusia.
Nga këto, rreth 128.5 milionë euro erdhën nga ish-investimet në sipërmarrje dhe banka dhe rreth 900 milionë euro shkuan për prona të paluajtshme.
53.5 milionë euro të tjera hynë Malin e Zi në vitin 2015, sipas qeverisë, nga të cilat vetëm 1.5 milionë ishin investime dhe pjesa tjetër kryesisht blerje pronash.
Kompanitë ruse kanë qenë pjesëmarrëse të mëdha në procesin e privatizimit në Mal të Zi në dhjetë vitet e fundit.
Në vitin 2015, manjati miliarder rus Oleg Deripaska dhe kompania e tij Rusal blenë asetet më të mëdha në vend, impiantin e aluminit KAP, që përllogaritej për 15 për qind të PBB prej 3.5 miliard euro të Malit të Zi.
Sipas Deklaratës së Investimit Klimatik të Departamentit Amerikan të Shtetit në vitin 2014, pati vetëm tre investime kryesore ruse në Malin e Zi atë vit me vlerë 92 milionë euro.
Hakmarrja mund t’i kushtojë Malit të Zi:
Ndërsa qeveria shfaqet e qetë, disa analistë dhe politikanë të opozitës thonë se “kundër-masat” ruse, në lidhje me ftesën e NATO-s, mund të shkaktojnë dëme të mëdha në ekonomi.
Kryetari i Komitetit parlamentar për Ekonominë, Financën dhe Buxhetin, Aleksandar Damjanoviç, tha se sanksionet ruse, pavarësisht nëse ishin apo jo formale, mund t’i kushtonin vendit miliona.
Ai shtoi se Rusia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Malit të Zi.
Bashkimi me NATO-n mund të ketë “një efekt të fortë mbi turizmin e Malit të Zi dhe tregun e pasurive të patundshme,” vuri në dukje ai.
“Unë pres që qeveria të përgjigjet për alternativat dhe se si ato do të zëvendësojnë kapitalin e zhdukur, nëse ndodh, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e investimeve të tjera vijnë nga vendet që nuk janë anëtare të NATO-s”, tha Damjanoviç mediat javën e kaluar.
Mali i Zi gjithashtu ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë, e nënshkruar në vitin 2000, kur vendi ishte pjesë e Jugosllavisë. Ajo është ende në fuqi në Malin e Zi të pavarur dhe pavarësisht nga marrëdhëniet e tronditura të dy viteve të fundit.
Lista e produkteve që nuk mbulohen nga marrëveshja pa doganë është përditësuar çdo vit, dhe përfshin pije alkoolike, mobilie prej druri, pajisje shtëpiake dhe automjetet motorike.
Një nga liderët e opozitës, Srdjan Miliç, të martën paralajmëroi për pakësim të mundshëm në tregtinë e huaj, duke theksuar se eksportet nga Mali i Zi në Rusi thuajse janë përgjysmuar këtë vit krahasuar me vitin e shkuar.
Megjithëse Rusia duhet të ndërmarrë ende hapa praktikë për të ndëshkuar Malin e Zi për ambiciet ndaj perëndimit , duke përdorur presion ekonomik, Maxim Samorukov, nga Qendra Moskovite Carnegie, tha se Moska ka shumë gjëra në dorë nëse do të destabilizojë Malin e Zi.
Kremlini mund të përmbysë regjimin pa viza, të lançojë një fushatë negative të medias, ose të ndalojë turistët rusë të udhëtojnë në Malin e Zi, siç bënë së fundmi me Turqinë.
“Por asgjë nga këto nuk ka ndodhur,” theksoi Samorukov në një analizë të publikuar të mërkurën.