![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/francesco-becchetti.gif)
Biznesmeni italian, katër bashkëpunëtorë dhe pesë kompanitë e tij si dhe dy punonjës të AKBN do të gjykohen për skemën e dyshuar të “mashtrimit” me hidrocentralin e Kalivaçit.
![Francesco Becchetti. Foto: Facebook](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/francesco-becchetti-300x180.gif)
Biznesmeni italian, Francesco Beccheti do të përballet me drejtësinë shqiptare për katër akuzat e ngritura nga prokuroria; falsifikim i dokumenteve, vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës, krijimit të skemave mashtruese dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Bashkë me Becchetin, prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë katër bashkëpunëtorë të ngushtë dhe pesë kompani të tij, mes të cilëve edhe kompaninë mediatike “AgonSet”.
Prokuroria ka marrë të pandehur gjithashtu dy topografë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të cilët dyshohen se kanë mundësuar falsifikimin e dokumenteve në favor të kompanive të Becchetit.
Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria bëri me dije se ka përfunduar hetimet për skemën “mashtruese” me hidrocentralin e Kalivaçit, duke marrë të pandehur Becchetin, nënën e tij, Liljana Condimi, Mauro de Renzin, Eriona Troplinin, Stavri Peçin, Fetah Dervishin dhe Sokol Koçin. Prokuroria ka ngritur gjithashtu akuzë kundër kompanive “Kalivaçi Green Energy”, “Energji”, “Cable System”, “400 KV”, Agon Set”.
Sipas Prokurorisë, skema mashtruese e krijuar përmes “Kalivaçi Green Energy” kishte një vlerë prej 38 milionë eurosh dhe përmes saj janë shmangur 5 milionë euro detyrime doganore.
Biznesmeni italian, Francesco Beccheti nuk ka hyrë në Shqipëri prej një viti. Megjithatë, në intervista të dhëna për mediat italiane, Beccheti e ka cilësuar hetimin kundër tij si “një sulm politik, të frymëzuar nga kryeministri Rama”.
Prokuroria shqiptare lëshoi një urdhër-arrest ndërkombëtar në emër të tij në qershor të vitit 2015. Në fund të muajit tetor, Beccheti është lokalizuar në Londër, ku është shoqëruar në një gjykatë dhe është njohur me urdhër-arrestin e lëshuar nga autoritetet shqiptare. Ai është lënë më pas i lirë, në pritje të një vendimi përfundimtar për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Paralelisht me hetimin, Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e të gjitha kompanive të tij në Shqipëri, një vendim ky që pritet të shqyrtohet në rrugë gjyqësore.
Prokuroria e akuzon Becchetin se ka nisur manovrat financiare në Shqipëri që prej vitit 1997, kohë kur kompania e tij “Beg” s.p.a mori nga qeveria shqiptare koncesionin për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi lumin Vjosë. Hidrocentrali nuk u përfundua kurrë, por shërbeu sipas Prokurorisë për t’i siguruar përftime biznesmenit italian.