![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/CEZ-Shpendarje2.jpg)
Me një vendim të dhënë më 14 dhjetor, gjykata e arbitrazhit me seli në Vienë pranoi si përfaqësuese të kompanisë DIA bankieren amerikane Rebecca Gaskin Gain, duke pranuar tërheqjen e kompanisë së borxheve nga padia kundër OSHEE.
Gjykata e Arbitrazhit në Vienë vendosi më 14 dhjetor të mbyllë procesin gjyqësor mes kompanisë DIA dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i një gjobe të majme prej 135 milionë eurosh.
Mbyllja e çështjes erdhi pasi gjykata njohu si përfaqësuese legjitime të kompanisë DIA bankieren amerikane Rebecca Gaskin Gain, duke hedhur poshtë pretendimet e biznesmenit shqiptar Kastriot Ismailaj, i cili tashmë është arrestuar në Tiranë nën akuzën e mashtrimit dhe pastrimit të parave.
Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë deklaroi sot (17 dhjetor) se hetimet e Prokurorisë së Tiranës kundër Ismailajt “e kanë detyruar DIA të tërhiqet nga procedura e arbitrazhit.”
“Ish-administratori i kompanisë “DIA”, tashmë i pandehuri Kastriot Ismailaj, ka dorëzuar në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë kërkesën për të detyruar shtetit shqiptar që të paguante shumën e sipërcituar. Por, për shkak të problemeve ligjore në Shqipëri që kishte ky shtetas (aktualisht i arrestuar dhe i pandehur për “mashtrim” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”), shtetasja amerikane Rebecca Gaskin Gain, drejtore e përgjithshme e kompanisë “DIA”, e regjistruar në Britishn Virgin Island, e ka shkarkuar nga detyra e administratorit shtetasin shqiptar Ismailaj dhe, pasi është emëruar administratore, ka paraqitur tërheqjen e kompanisë që përfaqësonte nga gjykimi në Arbitrazh, me argumentimin që të mos cënohej më tej imazhi i kompanisë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme. (Link njoftimi i prokurorisë).
Skandali i njohur si “CEZ-DIA” nisi në vitin 2009, kur Shqipëria shiti 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSHEE) te gjigandi çek i energjisë elektrike CEZ, nën premtimin se çekët do të investonin në këtë kompani dhe do ta menaxhonin atë më mirë duke mbledhur borxhet e qytetarëve dhe duke ulur vjedhjet. OSHEE u emërua CEZ Shpërndarje pasi çekët morën pronësinë e saj.
Por në shtator, CEZ vendosi papritur të kontraktojë kompani të tjera për t’i shërbyer për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura që qytetarët, bizneset dhe institucionet publike i kishin kompanisë për faturat e papaguara të energjisë. Mes kompanive të kontraktuara për mbledhjen e borxheve, kontrata më e madhe iu dha një kompanie me emrin Debt International Advisory-Albania.
E regjistruar në British Virgin Island, një parajsë fiskale në Karaibe, kjo kompani regjistroi një kompani bijë në Tiranë në vitin 2010, administrator i së cilës u emërua Kastriot Ismailaj.
Kompania guackë, pronari i së cilës qe fshehur në botën sekret të një parajse fiskale, rezultoi më vonë se u përdor nga drejtori i CEZ Shpërndarje Josef Hejsek si një mjet për të nxjerrë para nga CEZ Shpërndarje dhe për t’i përdorur këto para për të paguar ryshfete te zyrtarët shqiptarë me qëllimin që të krijonte kushte të favorshme biznesi për kompaninë çeke në Shqipëri.
Një investigim i BIRN i publikuar në qershor 2015, zbuloi se kontrata mes CEZ dhe DIA qe bazuar në dokumente të falsifikuara dhe se në bazë të kontratës, DIA duhej të përfitonte 512 mijë euro në muaj plus një tarifë suksesi për borxhet që arrinte të mblidhte. Borxhet që duhej të mblidheshin vlerësoheshin në mbi 200 milionë euro.
CEZ vendosi ta ndërpresë kontratën me DIA më 28 nëntor 2011. DIA vendosi ta hedhë në gjyq arbitrazhi vendimin e CEZ ku kërkoi dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës me vlerë 135 milionë euro.
Prokurorët shqiptarë nisën një hetim për çështjen DIA në vitin 2012.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes shtetit shqiptar dhe CEZ filluan të përkeqësohen.
Shteti shqiptar vendosi t’i heqë licencën e operimit CEZ, gjë që solli efektivisht rishtetëzim të kompanisë në janar 2013. CEZ iu drejtua gjykatës së arbitrazhit duke kërkuar dëmshpërblim nga Shqipëria për rishtetëzimin e kompanisë së shpërndarjes.
Qeveria shqiptare hyri në bisedime dhe ra dakord në korrik 2014 me CEZ që t’i paguante 100 milionë euro në këmbim të shuarjes së çështjes së arbitrazhit.
Ndërsa marrëveshja mes CEZ dhe Shqipërisë u arrit, mosmarrëveshja mes DIA dhe CEZ iu transferua qeverisë shqiptare. CEZ Shpërndarje zgjodhi një kompani konsulence ndërkombëtare me emrin Clifford Chance për ta përfaqësuar në arbitrazh përballë DIA. Clifford Chance hetoi çështjen në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe ngriti si kundërargument para gjykatës se kontrata mes CEZ dhe DIA qe korruptive, se ajo nuk synonte të mblidhte borxhe por shërbeu si një kanal për të shpërndarë rryshfet mes zyrtarëve të ndryshëm shqiptarë.
Clifford Chance dorëzoi në gjykatën e arbitrazhit më 20 qershor 2015 kundërpërgjigjet e Shqipërisë ndaj DIA ku deklaroi se rrjedha e parave nga CEZ te DIA dhe te përfituesit e tjerë është ndjekur dhe se një numër zyrtarësh kanë qenë përfitues të këtyre parave.
Dokumenti i Clifford Chance ra në duart e BIRN në shtator 2015. (Kliko këtu për të parë dokumentin).
BIRN raportoi në shtator 2015 se Ilir Meta është mes zyrtarëve që ka përfituar nga këto para. (Kliko këtu për të parë investigimin e 3 shtatorit). Po në shtator, BIRN siguroi dokumentin e dëshmisë që ish-administratori i CEZ Josef Hejsek i pati dhënë Clifford Chance në tetor 2014. Hejsek deklaroi në dëshminë e tij se biznesmeni Kastriot Ismailaj qe rekomanduar si i besuar i Metës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha nga ambasadori shqiptar i asaj kohe në Pragë, Qazim Tepshi. (Kliko këtu për të lexuar investigimin).
Prokuroria shqiptare hetoi çështjen për mashtrim” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Kastriot Ismailaj u arrestua në maj 2015 dhe së fundmi dosja e tij u dërgua nga Prokuroria në Gjykatë.
Lidhja me Rebecca Gaskin Gain
Rebecca Gaskin Gain është një bankiere amerikane me bazë në Afrikë. Sipas hetimit të prokurorisë shqiptare për çështjen, ajo qe bashkëpunëtore në skema pastrimi parash me Kastriot Ismailajn.
“Rebecca Gaskin Gain siguron fonde nëpër botë dhe kërkon t’i pastrojë ato në Ballkan para se këto vende të rajonit të anëtarësohen në BE,” shkruajnë prokurorët shqiptarë në parashtrimin e hetimit, një kopje e të cilit u sigurua nga BIRN.
Një burim në Tiranë, i cili zgjodhi të mbetet anonim, i tha BIRN se Ismailaj dhe Gaskin Gain u takuan në Ohër të Maqedonisë në vitin 2006, kur ai veproi si ndërmjetës në një marrëveshje privatizimi. Të dy pastaj ranë në dashuri.
Marrëdhëniet mes Ismailajt dhe Gaskin Gain mësohet se u përkeqësuan në një farë pike pasi një sasi parash që ajo ia pati dhënë Ismailajt në Shqipëri u konfiskuan nga autoritetet shqiptare.
Gaskin Gain bashkëpunoi me autoritetet shqiptare pasi qe pjesë e hetimit fillestar për pastrim parash, siç bashkëpunoi edhe ish-drejtori çek i CEZ Shpërndarje Josef Hejsek.
Sipas prokurorisë shqiptare, Rebecca Gaskin Gain përdori autoritetin e saj si administratore e kompanisë mëmë të regjistruar në British Virgin Islands për të tërhequr pretendimet e DIA ndaj Shqipërisë në gjykatën e arbitrazhit të Vienës.
“Administratorja e kompanisë “DIA”, Rebecca Gaskin Gain, është tërhequr nga gjykimi në arbitrazh pasi është vënë në dijeni të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës për administratorin e mëparshëm të kompanisë, shtetasin Kastriot Ismailaj,” deklaroi Prokuroria e Përgjithshme sot. Prokuroria ka dërguar për gjykim Kastriot Ismailajn por jo Rebecca Gaskin Gain, duke sugjeruar se ka pasur një mirëkuptim për mosngritjen e akuzave për pastrim parash në këmbim të ndihmës ndaj Shqipërisë për të mbyllur arbitrazhin CEZ-DIA.
Çështja CEZ-DIA zbuloi një pjesë të një historie pesëvjeçare manipulimesh në lidhje me privatizimin dhe rishtetëzimin e operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri. Kuvendi i Shqipërisë debatoi gjatë muajve të fundit një kërkesë të opozitës për hetim të pjesshëm ndërkombëtar. Kërkesa u hodh poshtë. Ndryshe nga dokumenti i Clifford Chance, i cili thotë se janë ndjekur paratë dhe janë gjetur përfituesit, prokuroria shqiptare thotë se ka zbuluar përfitimin përmes mashtrimit të parave nga Ismailaj dhe kaq.