![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/R0.jpg)
Shumica e rumunëve e kanë humbur interesin në përkujtimin e përvjetorit të rrëzimit të regjimit komunist, teksa problemet e përditshme janë edhe më të mëdha.
![“Gjithçka është për mrekulli”, thotë dicitura e një vizatimi të diktatorit komunist Nikolai Ccaushesku jashtë ish-rezidencës së tij. Foto: BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/R0-300x225.jpg)
Siç ka bërë për këto dy dekadat e fundit më 21 dhjetor, një grua 47-vjeçare eci e vetme përgjatë qendrës së Bukureshtit të hënën, duke filluar nga Piata Universitatii, sheshi kryesor i kryeqytetit, ku vuri disa lule në një kryq të madh.
Më pas ajo iu drejtua Piata Revolutiei, ku është një statujë e mbretit të parë të Rumanisë, Karoli I dhe një monument i njerëzve që vdiqën 26 vite më parë gjatë revolucionit të dhunshëm që përmbysi regjimin komunist. Atje ajo vuri disa lule të tjera.
“Kjo është mënyra ime e të bërit homazh në kujtim të njerëzve, disa prej tyre miq të mitë, që vdiqën në 1989. Do t’i kujtoj përherë ato ngjarje, që ndryshuan radikalisht jetën time,” tha gruaja, që kërkoi të mbetej anonime.
Revolucioni rumun filloi më 16 dhjetori 1989, në qytetin perëndimor të Timisoarës, ku një prift, Leszlo Tokes, do të zhvendosej në një famulli tjetër nga autoritetet. Lëvizja shkaktoi kundërshtim nga personat në famullinë e tij dhe së shpejti iu bashkuan qindra të tjerë në protestën që u kthye në demonstratë.
Lideri komunist Nikolai Çaushesku udhëroi që demonstrata të shtypej me çdo mjet të nevojshëm dhe ushtria hapi zjarr ndaj marshuesve. Në ditët pasuese, protestat u përhapën edhe në qytete të tjera në Rumani.
Çaushesku kërkoi të rikthejë autoritetin e tij më 21 dhjetor duke sajuar një shfaqje të mbështetjes për qeverinë e tij, siç kishte bërë shpesh. Por tubimi shkoi keq kur turma e ndërpreu fjalimin e tij duke e tallur drejtpërdrejt.
Një ditë më vonë, nën presionin e turmave të mëdha të demonstruesve të zemëruar Çaushesku dhe gruaja e tij Elena, u larguan nga Bukureshti me helikopter. Më 26 dhjetor 1989, ata u ekzekutuan pas një gjyqi të shpejtë.
Që atëherë, përkujtimi vjetor i rrëzimit të tyre, një event që transformoi historinë bashkëkohore të Rumanisë, është kujtuar me festime popullore – deri më tani.
Këtë vit, pati vetëm shërbesa të vogla që u mbajtën në varreza dhe vendet që lidhen me revolucionin në disa qytete, përfshirë Bukureshtin dhe Timisoarën.
Shumë rumunë thonë se tani ata nuk e vrasin mendjen për revolucionin sepse janë më të shqetësuar rreth problemeve të përditshme.
“Jeta ime është më keq tani sesa në vitin 1989. Standardi i jetesës ishte më i lartë, kushdo kishte një vend pune, askush nuk ishte i frikësuar të dilte natën jashtë. Sigurisht, ka shumë ushqim tani, por të duhen para për këtë,” tha pensionisti Radu Aurescu.
“Përse duhet të më interesojë një revolucion që nuk ma ndryshoi jetën për mirë?” pyeti ai.
Për të rinjtë që u rritën pas 1989, jeta nën regjimin komunist është e vështirë të kuptohet, ndërsa Çaushesku shfaqet më tepër ekzotik sesa kërcënues për ta.
Analistët thonë se indiferenca aktuale ndaj revolucionit rumun lidhet gjithashtu me faktin se nuk është ende e qartë se çfarë ndodhi në prapaskenë.
Edhe sot e kësaj dite, askush nuk është sjellë përpara drejtësisë për më shumë se 1000 të vrarë dhe 3400 të plagosur në dhjetor 1989.
Në tetor të këtij viti, prokurorët ushtarakë që kanë hetuar trazirën e 1989 vendosën ta mbyllin çështjen.
Ata nuk ndoqën penalisht askënd, duke argumentuar se disa nga përgjegjësit për krimet gjatë revolucionit ishin dënuar tashmë në çështje të tjera.
![Sheshi i revolucionit në Bukuresht, ku përkujtohen ngjarjet e dhjetorit 1989. Foto: BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/rumania-600x369.jpg)