Një përleshje e armatosur midis shqiptarësh etnikë të armatosur dhe policisë maqedonase la 22 të vdekur dhe risolli në mendje kujtimet e trazirave të kaluara, ndërsa bërja publike e kasetave përgjuese ngriti dyshime mbi arritjet e qeverisë në drejtësi.
Në vitin 2015, ndarjet midis maqedonasve të vendit dhe shqiptarëve etnikë u lanë kryesisht mënjanë, duke qenë se vëmendja e njerëzve u përqendrua kryesisht në përçarjet e thella politike të shkaktuara nga skandali masiv i përgjimeve të paligjshme që u bë publik nga opozita.
Edhe shkëmbim i zjarrit gjatë një fundjave në qytetin e Kumanovës midis një grupi të armatosur shqiptarësh etnikë dhe policisë – incidenti më i përgjakshëm që prej konfliktit të armatosur midis forcave të sigurisë dhe rebelëve shqiptarë etnikë në vitin 2001 – nuk arriti të ndizte armiqësi më të mëdha të motivuara etnikisht.
Shumë besonin se mund të shikonin dorën e qeverisë në shkëmbimin e zjarrit, duke dyshuar se kjo ngjarje ishte organizuar për të shkëputur vëmendjen nga situata e nxehtë politike në lidhje me kryeministrin Nikolla Gruevski.
Shkëmbimi i zjarrit ndodhi në një sfond krize që vërtitej rreth pretendimeve të opozitës, e cila pretendon se Gruevski urdhëroi përgjimin e paligjshëm të rreth 20,000 njerëzve.
Protestat e opozitës kundër Gruevskit panë një shfaqje të rrallë uniteti ndëretnik dhe solidaritet në këtë shoqëri zakonisht të ndarë.
Skandali i përgjimeve hodhi gjithashtu dritë mbi shumë çështje të tjera të drejtësisë tranzicionale.
Lustracioni, një tjetër proces polemik i mbështetur nga qeveria për ekspozimin e ish-bashkëpunëtorëve të policisë komuniste, u la mënjanë duke qenë se prova të reja në kasetat e bisedave të përgjuara të bëra publike nga opozita sugjeruan se qeveria kishte ndërhyrë në këtë proces për përfitimet e saj.
Opozita pretendoi gjithashtu se kasetat e përgjimit të bisedave të zyrtarëve hedhin dyshime mbi dënimin e gjashtë shqiptarëve etnikë, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonasve etnikë – një vendim i marrë që shkaktoi trazira etnike në vitin 2014.
Shkëmbimi i zjarrit risjell në mendje kujtime të hidhura
Shkëmbimi dy ditor i zjarrit në qytetin me etni të përzierë të Kumanovës në datat 9 dhe 10 maj la 22 të vdekur, përfshirë tetë oficerë policie, edhe pse asnjë civil nuk u lëndua.
Policia tha se ata po përpiqeshin të ndalonin një grup të mirë armatosur “terroristësh”, të cilët kishin planifikuar sulme në Maqedoni.
Dhuna risolli në mendje kujtime të konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe frikën se kjo mund të rezultonte në përplasje më të gjera, edhe pse kudo mbizotëronin thirrje për qetësi dhe tolerancë.
Në vitin 2001, Maqedonia kaloi një konflikt të shkurtër të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave të sigurisë. Konflikti përfundoi të njëjtin vit me nënshkrimin e një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht, e cila garantonte të drejta më të mëdha për shqiptarët që përbëjnë një të katërtën e 2.1 milionë banorëve të vendit.
Gjatë kohës së ngjarjeve në Kumanovë dielën edhe shumë kundërshtarë të qeverisë, duke përfshirë edhe kreun e Social Demokratëve të opozitës Zoran Zaev, i cili akuzoi autoritetet se ishin përpjekur ta shpërqendronin publikun nga kriza duke organizuar trazira etnike.
Disa ditë pas kasaphanës, Ministrja e Brendshme maqedonase Gordana Jankullovska dhe shefi i policisë sekrete Saso Mijalkov dhanë dorëheqjen, edhe pse ata këmbëngulën se nuk kishte lidhje me rastin e Kumanovës.
Të 29 personat e akuzuar se ishin pjesë ose ndihmuan grupin e armatosur thanë në gjykatën e Shkupit në dhjetor se ata nuk ishin terroristë.
Në vend të kësaj, të dyshuarit etnikë shqiptarë thanë se shkëmbimi i zjarrit ishte pasojë e faktit që ata po mbronin veten nga policia.
Shtatë muaj pas përplasjeve në Kumanovë, mbeten ende pyetje në lidhje me kush fshihej pas grupit të armatosur, cilat ishin qëllimet e tij politike dhe çfarë lloji sulmesh po planifikonin ata, nëse kjo është e vërtetë.
Protesta e opozitës bashkon etnitë
Kriza e Kumanovës ndërpreu për pak kohë protestat e vazhdueshme kundër qeverisë dhe e shpërqendroi vëmendjen nga skandali i përgjimeve me të cilin po përballej Gruevski.
Por më 17 maj, opozita vendosi të vazhdonte me një tubim të madh në Shkup kundër Gruevskit, të cilit iu bashkuan me mijëra shqiptarë.
Njerëzit mbanin pankarta që bënin thirrje për largimin e Gruevskit, ndërkohë që disa valëvitnin flamuj maqedonas, shqiptarë, serbë, romë dhe turq në përpjekje për të treguar se etnitë e ndryshme ishin bashkuar në kërkesën e tyre për ndryshim.
Ndalet procesi i lustracionit
Në prill, Social Demokratët e opozitës paraqitën një grumbull kasetash me përgjime që ata thoshin se vërtetonin që partia VMRO DPMNE e Gruevskit kishte keqpërdorur punën e zyrës polemike të lustracionit në vend, e cila kishte detyrë të zbulonte ish-bashkëpunëtorët e policisë sekrete, për të diskredituar kundërshtarët e tij qeveritarë.
Një nga kasetat më demaskuese, sipas opozitës, përmbante atë që ngjante si zëri i ligjvënësit të VMRO DPMNE dhe ish-Ministri i Punëve të Brendshme Antonio Milososki duke autorizuar një lustracion të motivuar politikisht të një gjyqtari nga qyteti i Kicevos.
Pas këtyre demaskimeve, Komisioni Evropian në qershor i bëri thirrje autoriteteve “të rishikojë/shfuqizojë ligjin e lustracionit dhe vënien e tij në zbatim”, me arsyetimin se “për lustracionin përdoren arsye ideologjike apo partiake”.
Kjo bëri që autoritetet të bënin thirrje për të ndaluar procesin e shumëpërfolur të lustracionit nga janari 2016. Fillimisht ishte planifikuar që ai të vazhdonte deri në vitin 2019.
Megjithatë, kreu i Komisionit të Lustracionit, Tome Adziev, i cili vitin e kaluar u rizgjodh për të udhëhequr këtë organ deri në vitin 2019, këmbënguli se puna e tij ka qenë e pastër dhe e drejtë. Raporti i Brukselit “u bazuar në të dhënat e pamjaftueshme”, tha Adziev për BIRN.
Ai tha se pavarësisht atyre që pretendonin armiqtë e lustracionit, procesi nuk ishte abuzuar për të shënjestruar kundërshtarë të qeverisë dhe do të përfundonte “si një fitore historike për vendin”.
Maqedonia ndoqi hapat e shumë vendeve ish-komuniste që miratuan ligje lustracioni si një mënyrë për të adresuar padrejtësitë e kaluara që rrjedhin nga ndjekjet penale të motivuara politikisht.
Komisioni kërkoi nëpër mijëra dosje sekrete dhe deklaroi më shumë se 200 persona si ish-bashkëpunëtorë. Sipas ligjit, këta njerëz e kanë të ndaluar të punojnë në institucione shtetërore, por disa prej tyre po e padisin shtetin në gjykatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Deputetja e Maqedonisë ‘ra dakord për amnisti për krimet e luftës’
Në prill, opozita gjithashtu pretendoi se bisedat e përgjuara tregojnë përfshirjen e kryeministrit në mënyrë të drejtpërdrejtë në një marrëveshje politike me partinë e vogël në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, për amnisti të dyshuar në katër raste krimesh lufte nga konflikti i vitit 2001.
Bisedat e regjistruara supozohet të hedhin dritë mbi se si Gruevski për herë të parë pranon para koleges së partisë së tij, deputetes Silvana Boneva, se ai ka rënë dakord vetëm për një amnisti për çështjet me liderin e BDI-së Ali Ahmeti dhe pastaj udhëzon Bonevën që mocioni duhet të votohet në parlament “brenda një jave”.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë mori përsipër juridiksionin e pesë rasteve të krimeve të luftës nga Maqedonia në vitin 2002, viti pas konfliktit, por ktheu në aktakuzë vetëm një prej tyre.
Katër çështjet e tjera u dërguan përsëri në Maqedoni në vitin 2008, dhe zyra e prokurorit publik fillimisht tha se do t’i rishqyrtonte ato.
Por në një lëvizje të diskutueshme, koalicioni qeverisës i udhëhequr nga partia e Gruevskit, VMRO DPMNE, votoi në korrik 2011 braktisjen e katër çështjeve të krimeve të luftës. Në atë kohë, Gruevski këmbënguli se ai nuk kishte gisht në atë vendim dhe se nuk ishte pjesë e një marrëveshje politike me BDI-në që kjo e fundit t’i bashkohej qeverisë së tij.
Mbetën në fuqi dënimet me burgim të përjetshëm për çështjen e vrasjes
Ndërsa vitit i afronte fundit, Gjykata e Apelit në Shkup në dhjetor mbështeti vendimin për burgim të përjetshëm për gjashtë shqiptarët e dënuar për terrorizëm për vrasjen e pesë maqedonasve në vitin 2012, një ngjarje që shkaktoi trazira etnike.
Katër nga të dyshuarit, Agim Ismailoviç, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Ljuta do të mbeten në burg në Maqedoni, por dy të tjerët, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç, janë në burg në Kosovën fqinje, ku ata po kryejnë dënimin për një tjetër çështje që s’ka lidhje me këtë.
Seanca dëgjimore në Gjykatën e Apelit pritej të sillte një kthesë në çështje të profilit të lartë duke qenë se pati spekulime që sugjeruan se mbrojtja mund të paraqiste prova të reja nga transkriptet e bisedat e përgjuara mes zyrtarëve në lidhje me këtë çështje.
Sipas kreut të Social Demokratëve të opozitës, Zoran Zaev, regjistrimet hedhin dyshime mbi dënimet. Por Zaev nuk i ka publikuar transkriptimet dhe as nuk ia ka dhënë ato mbrojtjes, duke thënë se druhet se ato mund të shkaktojnë një reagim të dhunshëm nga komuniteti i madh shqiptar në vend.
Trupat e viktimave Filip Slavkovski, Aleksandar Nakjevski, Cvetanco Acevski dhe Kire Trickovski, të gjithë të moshës midis 18 dhe 20 vjeç, u zbuluan më 12 prill 2012 pranë liqenit Smilkovci në zonën e Shkupit.
Trupat e tyre ishin rreshtuar dhe ata duket se janë ekzekutuar. Trupi i 45-vjeçarit Borce Stevkovski u gjet pak më larg.
Lajmi i vrasjeve shkaktoi tensionet etnike dhe grupe maqedonasish etnikë organizuan protesta, disa prej të cilave u bënë të dhunshme, duke fajësuar pakicën shqiptare për vrasjet.
Dënimet për terrorizëm në korrik 2014 shkaktuan edhe më shumë tension ndërsa në Shkup shpërthyen përleshje mes disa mijëra njerëzve të zemëruar dhe kryesisht të rinjve shqiptarë etnikë dhe policisë e cila përdori gaz lotsjellës, tuba uji, granata tymuese dhe spraj piperi në një përpjekje për të shuar trazirat.