![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/aksident-1.jpg)
Pas rënies së konsiderueshme të shënuar gjatë vitit 2014, aksidentet rrugore u shtuan ndjeshëm në verën e këtij viti, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave.
![Policia duke inspektuar një aksident rrugor pranë Gjirokastrës më 11 gusht 2015. Foto: Gent Shkullaku/LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/aksident-1-300x180.jpg)
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015, policia rrugore regjistroi 586 aksidente me 805 të aksidentuar, nga të cilët, 72 vetë humbën jetën. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, aksidentet janë shtuar me 16 për qind, të plagosurit nga aksidentet u shtuan me 19 për qind ndërsa të vdekurit ranë me 1 për qind.
Për periudhën 9 mujore, janar-shtator 2015, të dhënat e Instat tregojnë se në Shqipëri ka pasur 1,431 aksidente, nga 1471 aksidente të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit 2014. Por ndërsa ka një rënie të lehtë të numrit të aksidenteve, ka rritje të numrit të aksidentuarve dhe të të vrarëve. Viktimat që gjetën vdekjen në aksidentet rrugore qenë 192 për këtë periudhë nga 183 që qenë në nëntëmujorin e vitit 2014. Numri i të vdekurve më 2015 është gjithsesi më i ulët se sa në të njëjtat periudha të viteve 2013, kur viktimat qenë 220 vetë apo të vitit 2012, kur viktimat qenë 249 vetë.
Numri i aksidenteve rrugore në Shqipëri është rritur në vazhdimësi që nga viti 1995 deri në vitin 2013. Numri i të vrarëve në aksidente rrugore shënoi kulmin në vitin 2007 me 384 viktima ndërsa qe më i ulët në vitet në vijim. Në vitin 2014, numri i të vrarëve qe 264 vetë, niveli më i ulët i shënuar që nga viti 2002.
Qeveria shqiptare aktuale filloi një fushatë për ndalimin e aksidenteve duke ashpërsuar masat ndëshkimore për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke arrestuar qindra shoferë si dhe duke përmirësuar infrastrukturën rrugore në disa nyje me shpeshtësi aksidentesh në rrjetin rrugor shqiptar.