![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Movie-poster-for-Shok.jpg)
Filmi “Shok”, i cili tregon se si lufta e vitit 1990 ndikon në jetët e dy djemve të rinj, ka bërë histori në kinematografinë e Kosovës pasi është nominuar për një çmim Oskar.
![Posteri i filmit.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Movie-poster-for-Shok-300x225.jpg)
Ditën e enjte u lajmërua se filmi 21-minutësh, bazuar në një histori të vërtetë nga lufta, u kandidua për çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër aksion” në edicionin e 88-të të ndarjes së çmimeve Oskar- i pari film kosovar që nominohet ndonjëherë për këtë çmim.
Me regji të anglezit Jamie Donoughue dhe i xhiruar në Mitrovicë, filmi tregon jetët e dy djemve 12-vjeçarë pas shpërthimit të luftës në vitin 1998.
Konflikti i mbush jetët e djemve me dhunë dhe frikë, duke i detyruar ata të bëjnë zgjedhje që kërcënojnë jo vetëm komunitetin, por edhe familjet e tyre.
“Ky nuk është vërtet një film lufte. Kjo është një histori mbi miqësinë dhe viktimat e luftës nga të gjitha anët,” tha Donoughue në një intervistë të fundit në faqen e internetit ScreenPicks.
Arben Zharku, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, tha se nominimi për Oskar ishte një hap i madh para për industrinë kinematografike të vendit.
“Kjo është arritja më e madhe e kinematografisë kosovare deri më tani dhe filmi “Shok” i ka hapur dyert filmave të Kosovës që të jenë të pranishëm në ngjarjet më të mëdha të filmit,” tha Zharku.
Në film luajnë aktorë nga Kosova, shumë prej të cilëve e kanë përjetuar luftën, gjë e cila dha edhe efektin e dramës, sipas Donoughue.
“Mendoj se ky ishte një element tepër i rëndësishëm i filmit dhe, pak a shumë, të gjithë aktorët apo ekipi i xhirimit ishin prekur drejtpërdrejtë nga lufta dhe këto gjëra u kishin ndodhur edhe atyre,” tha ai.
Filmi “Shok” konkurron për këtë çmim me filmat “Ave Maria”, “Day One”, “Everything Will Be Okay” dhe “Stutterer”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të bëhet më 28 shkurt në Hollivud.